Quo vadis, tradita jonë?

Në bisedat e gjata me babain tim shpesh flasim për rolin që familja e shëndoshë e ka luajtur në ndërtimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Babai im gjithmonë thotë që ajo që e ka ruajtur kombin tonë ndër vite e shekuj ka qenë pikërisht familja e shëndoshë e bazuar në ruajtjen e solidaritetit mes anëtarëve të saj. Këtu ai asnjëherë nuk harron ta përmendë rolin qendror të gruas si nënë dhe rëndësinë e madhe që ajo e ka për edukimin dhe ngritjen e familjes. Ai e sheh si vendimtar këtë rol dhe thotë që pa ato vlera familjare të ruajtura brez pas brezi, do të ishte vështirë që indi kombëtar të mbijetojë në realitetin e ashpër të konflikteve që na kanë përndjekur në këtë rajon.

Tradita shqiptare është e tillë që familjes dhe vlerave familjare u jep shumë rëndësi. Mund të flasim gjerë e gjatë për raportet ndërgjinore në traditën shqiptare dhe për diskriminimin gjinor ndaj gruas, por në të njëjtën kohë, gjithmonë duhet të kemi parasysh që statusi më i lartë dhe më i respektuar që femra e fiton në atë traditë është kur bëhet nënë. Nëna ka respekt të veçantë në familjet tona, qofshin ato familje moderne apo konservative. Në një mjedis që ka mbijetuar me shekuj në një sistem patriarkal, nëna ëshët gjithmonë e respektuar, e dashur dhe e dëgjuar.

Aspekti tjetër i traditës shqiptare është respekti i thellë për personat e moshuar, mbi të gjitha për prindërit. Ky respekt ndonjëherë është edhe i tepruar, sa që prindërit respektohen në nivel hyjnor, dhe dëshirat e tyre realizohen edhe kur ato mund të jenë të tepruara ose të gabuara. Por ajo që e karakterizon traditën shqiptare është respekti i pakompromis ndaj më të moshuarit, deri në atë shkallë sa që kemi kujdes si flasim dhe si shprehemi ndaj atyre që janë më të moshuar se ne.

Tradita në nënqiellin tonë shpesh ngatërohet dhe zëvendësohet me folklorin. Biles edhe ai folklor, shpesh bastardhohet duke vendosur elemente nga folklore të tjera, të huaja për ne. Kur bisedoni me vajzat e reja lidhur me arsyeshmërinë e veshjeve tradicionale që ato shpesh i paguajnë shtrenjtë (më shtrenjtë se sa brednet botërore të veshjes që kanë çmime absurde e megjithatë aq shumë parapëlqehen nga njerëzit) ato theksojnë që kjo është tradita jonë që duhet të mbahet dhe të kultivohet brez pas brezi, sado që të kushtojë. Por traditën nuk e bën veshja me ar dhe me sërmë, traditën e bëjnë vlerat në të cilat kombi jonë ka besuar me shekuj. Ato vlera fatkeqësisht janë duke u përmbysur.

Pamjet e llahtarshme të infermjeres që me një nënqeshje meskine në fytyrë e dhunon me shuplaka gruan e moshuar në azilin e pleqve diku në Pejë, që është një qytet ku tradita shqiptare ka lulëzuar me shekuj, janë pamje të cilat tregojnë shumë mirë se në çfarë gjendje ka rënë tradita jonë shekullore që aq shumë kemi qejf ta përmendim nëpër dasma dhe në rituale tjera. Në një video disa minutëshe, shihet përmbysja totale e vlerave me të cilat e kemi mbrojtur identitetin tone ndër shekuj. Në atë video rrënqethëse shohim gruan e sëmuarë që përballet jo vetëm me sëmundjen e Alzajmerit por edhe me realitetin brutal të kohës moderne, ku empatia ia ka lënë vendin pamjes sipërfaqësore. Populli jonë ka ditur që gjatë priudhave të varfërisë së madhe të kujdeset më mirë për të moshuarit dhe për personat e pafuqishëm. Kujdesi për këto kategori ka qenë gjithmonë pjesë e jetës. Ndërsa tani, persona që paguhen për ta bërë këtë punë tregojnë sjellje çnjerëzore për njerëz të cilët kanë humbur gjithçka në jetë. Nëna e një dëshmori, por mbi të gjitha nëna e një njeriu, apo thjesht një njeri, nuk meriton një trajtim të tillë çnjerëzor.

Lexova që infermieret të cilat e kanë kryer këtë akt makabër, qeshjet e të cilave të rrënqethin sa herë që e dëgjon dhe shikon atë video-inçizim të tmerrshëm, janë arrestuar dhe ndaj tyre do të zhvillohet proces penal. Pres që ato të marrin dënimin e merituar për atë që kanë bërë. Por ajo që më shqetëson është pyetja se ku po shkon tradita jonë shekullore e respektit të vlerave familjare? Kur me plot gojë flasim për traditën le të mos mendojmë që ajo është diçka sipërfaqësore, por le ta kuptojmë që ajo shkon thellë deri në indin tonë kombëtar të cilin me aq krenari dimë të themi që e mbrojmë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button