MKO- ekspertët ngrenë alarmin, nevojiten ndryshime kushtetuese

12 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ekspertët kërkojnë ndryshime kushtetuese, pasi implementimi i saj nuk po jep rezultatet e pritura ndërsa gjitha palët e involvuara në të janë të pakënaqura.

Kjo u konstatua në tryezën me temë ‘Diskutimi mbi analizën kuantitative për statusin e implementimit të politikave të Marrëveshjes së Ohrit’, të cilën e organizoi Sekretariati për Implementimin e MKO-së.

Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër i obliguar për implementimin e MKO-së në parim mbështet idenë për sanksionimin e institucioneve që nuk kanë implementuar MKO-në.

‘Në fakt duhet të ketë, ideja është që ne cilat mekanizma duhet ti ndërtojmë, apo atë sistem të mekanizmave të cilët do ta bëjnë më funksional obligimet që dalin nga MKO apo Kushtetuta, që mos të ketë keqpërdorime apo majorizime. Së pari unë mendoj se çdo kushtetutë nuk është e ngurtë, nëse kemi parasysh edhe kushtetutat e shteteve tjera të cilat reformohen dhe pasurohen në bazë të praktikave që kërkon publiku, profesorët apo analistët kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre dhe ajo është interes i kësaj tryeze se si duhet të rregullohen çështjet të cilat kanë të bëjnë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO) në aspektin kushtetues, ligjor apo mekanizma të tjerë’ tha Xhaferi.

Mersim Maksuti, ekspert juridik, kërkoi që Maqedonia dhe institucionet e saj të revidojnë ligjin mbi pushtetin lokal dhe në raport me pushtetin qendror.

‘Në raport me pushtetin lokal të rriten kompetencat e pushtetit lokal edhe atë në disa drejtime, si në çështje të sigurisë, arsim dhe shëndetësi …do të thotë të rriten ingerencat e komunave në Maqedoni dhe kjo deri diku do të zbuste statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Çështja tjetër në raport me pushtetin qendror ne duhet të jemi të vetëdijshëm se realiteti që ndodhet në Maqedoni, patjetër po qon në atë që të hapet çështja e ndryshimeve kushtetuese në vend, për arsye se ne de fakto kemi ndryshim faktit të kushtetutës në vend, ne realisht po ndryshojmë kushtetutën e këtij vendi në mënyrën e realizmit praktik dhe funksionimit të gjërave në këtë shtet’ tha Maksuti.

Jo që shkon vështirë por implementimi i MKO-së de fakto deri tani nuk jep rezultatet e duhura, tha profesori universitar Imer Ismaili.

‘Implementimi i MKO ka përfunduar në 2006-ën, prej atëherë deri tani kemi vetëm interpretim të asaj që është bërë deri 2006. Rikujtoj opinionin se një ndër elementet kryesore që eliminoi konfliktin e armatosur në Maqedoni, në MKO ka qenë decentralizimi komplet në të cilin shqiptarët do të kishin realizimin e të drejtave të tyre, që Maqedonia të mos bëhet shtet federal. Gjitha palët janë të pakënaqura edhe maqedonasit, edhe shqiptarët edhe BE-ja, që do të thotë në këtë Marrëveshje diçka nuk funksionon, djalli ku qëndron duhet gjithsesi bashkë ta gjejmë’ tha Ismaili.

Vllado Buçkovski, tha se në zgjedhjet e fundit lokale nuk fitoi modeli i MKO-së.
Në zgjedhjet e fundit lokale, në shembullin e Strugës dhe Kërçovës nuk fitoi modeli i MKO-së, por për kundër kishim një homogjenizim etnik ku nuk ishte me rëndësi cilësia por përkatësia etnike. Kështu nuk paramendohej para 12 vjete kur përpilohej MKO, ishte me rëndësi cilësia, nëse XXX është më cilësor prej kandidatëve, do të votojmë për atë, pa marr parasysh se a është turk, shqiptar apo maqedonas’ tha Buçkovski.

Ndryshe, më konferencë morën pjesë edhe shumë politikan, ekspertë dhe profesorë universitar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button