Ziberi: Qytetarët po rrjepen nga përmbaruesit

Për shkak të borxheve të grumbulluara dhe kamatës ndëshkuese kryesisht për energjinë elektrike, përmbaruesit ua marrin qytetarëve një të tretën e pagës. Kështu, borxhi fillestar rritet deri në dhjetëfish duke i bë qytetarët borxhlinj të përjetshëm. Avokati i Popullit Naser Ziberi deponoi iniciativë në Qeveri për ndryshime ligjore e cila mes tjerash parasheh që kamata ndëshkuese të ndalojë të rrjedhë kur shuma e interesit të arritur do të arrijë shumën e borxhit kryesor, shkruan Alsat.

“Në Ligjin mbi Marrëdhëniet Detyrimore të shtohet një nen i ri në të cilin do të thuhet: Interesi ndëshkues do të ndalojë të rrjedhë kur shuma e interesit të arritur ndërsa të papaguar do ta arrijë shumën e borxhit kryesor, ndërsa në Ligjin mbi Përmbarimin gjithashtu të shtohet një nen i ri ku thuhet: Gjatë procedurës së përmbarimit kur shuma e interesit të arritur ndërsa të papaguar do e arrijë borxhin kryesor, përmbaruesi do të ndalojë me llogaritjen dhe arkëtimin edhe të interesit ndëshkues ligjor”, deklaroi Ziberi.

Ai i vlerëson si të nevojshme këto ndryshime sepse qytetarët aktualisht nuk mund të lirohen nga borxhet të cilat i kanë sepse nuk janë në gjendje që përnjëherë të bëjnë pagesën e borxheve.

“Kjo në fakt i shndërron qytetarët në debitor të përjetshëm, në robër të kamatave dhe interesave para përmbaruesve”, tha Ziberi.

Qytetarët shpesh herë nuk janë të informuar në lidhje me inicimin e procedurave për përmbarim, për lartësinë e borxhit dhe për shumën kamatave dhe shpenzimeve të llogaritura, për konfiskimin e mjeteve të cilat sipas ligjit për përmbarim janë të përjashtuara ose të kufizuara, për parregullsi në dorëzimin e padive dhe urdhrave të përmbarimit dhe për bllokimin e llogarive të transaksionit në bankë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button