VMRO-DPMNE dorëzoi interpelancë për deputen e LSDM-së për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar kërkesën e paralajmëruar për interpelancë të kryetares së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievska nga LSDM, për shkak të procedurës për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Kërkesa është dorëzuar, siç tha deputeti Antonio Milloshoski, për shkak se, sipas VMRO-DPMNE-së, Georgievska në mënyrë jokushtetuese i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit, raport të pjesshëm për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, për një pikë ende të papërfunduar për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues.

“Ata gjyqtarë kushtetues që u përshtaten, i paraqesin në votim pa përfunduar procesi i diskutimit në vetë seancën, ku e emëruara Marija Georgievska. Kjo është në kundërshtim me nenin 128 të Rregullores së Punës, ku saktë thuhet se trupi punues mblidhet dhe pas përfundimit të seancës përgatit raport dhe procesverbal për atë që është vendosur nga vetë trupi punues dhe kjo seancë e Komisionit për zgjedhje dhe emërime nuk ka mbaruar”, tha Milloshoski.

Shkelja e dytë, sipas tij, është në nenin 129 të Rregullores së Punës, ku thuhet se raportuesi në lidhje me çdo seancë të trupave punues është zakonisht kryetar i atij trupi punues para seancës plenare.

Deputetët e opozitës vlerësojnë se me këtë sjellje të mazhorancës në Kuvend, zhvlerësohet edhe më shumë jo vetëm Gjykata Kushtetuese si institucion, por edhe Kuvendi, e sidomos besimi i qytetarëve te drejtësia.

Pritjet e VMRO-DPMNE-së, siç tha Milloshoski, janë që interpelanca sa më shpejt të futet në seancë plenare dhe të mbështetet nga ata deputetë që besojnë në politikën si profesion dhe në Rregulloren e punës si procedurë demokratike.

Lidhur me këtë çështje, deputetët e pushtetit dhe opozitës kanë shkëmbyer akuza për të tretën ditë. Kjo erdhi pasi debati për zgjedhjen e tre gjyqtarëve kushtetues në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime “ngeci” kur erdhi radha e propozimit që prokurori i republikan Ljubomir Joveski të bëhet gjyqtar kushtetues. Joveski është i fundit nga nëntë kandidatët e propozuar, nga të cilët Komisioni duhet të përcaktojë tre që do të votohen në seancë plenare.

Nga tetë të mëparshmet, shumica në këtë Komision i dha dritën jeshile gjyqtarit të apelit Fatmir Skender dhe avokates Tatjana Vasic-Bozaxhieva – të dy të propozuar nga anëtarët e qeverisë. Gjashtë të tjerët të propozuar nga VMRO-DPMNE nuk morën mbështetje në Komisionin. Bëhej fjalë për: prokurorin e Prokurorisë së Lartë Publike Shtip- Todor Vitlarov, prokurori i Ohrit Voislav Dimoski- profesor universitar në pension nga Fakulteti Juridik në Shkup, si dhe ish-deputeti dhe kryetar i Kuvendit Savo Klimoski, Rodna Zhivkovska- profesoreshë nga Fakulteti Juridik, gjyqtarja administrative nga Manastiri Vesna Jovanovska dhe gjyqtari në pension i Gostivarit- Branko Sekulloski.

Kur debati arriti te Joveski, VMRO-DPMNE e bëri të qartë se nuk do ta lejojnë të kalojë dhe të zgjedhë gjyqtarë kushtetues që janë në diskrecionin e qeverisë.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese funksionon prej muajsh me vetëm pesë nga gjithsej nëntë gjyqtarë. Mandati i një gjyqtari tjetër do të përfundojë më 7 dhjetor të këtij viti, çka do të thotë se Gjykata nuk do të ketë kuorum as për mbajtjen e seancave.

Kjo ishte edhe arsyeja pse kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime vendosi të dërgojë propozim vetëm për dy në vend të tre gjyqtarëve. Sipas saj dhe kolegëve të mazhorancës, nuk bëhet fjalë për shkelje të procedurës, pasi në këtë rast nuk bëhet fjalë për miratim të një ligji, por për zgjedhje dhe emërim të një posti, ku secili kandidat të votohet veç e veç.

“Duke marrë parasysh përbërjen ekzistuese të Gjykatës Kushtetuese, aktualisht janë pesë gjyqtarë nga nëntë gjyqtarë, të cilët mund të vënë në pikëpyetje ushtrimin e kompetencave të saj, propozimet e vendosura për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Komisionit për zgjedhje dhe emërime janë të nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;

“Debati në Komisionin për përcaktimin e propozimit të tretë për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin deputetët janë regjistruar për diskutim, është në vazhdim dhe do të vazhdojë, por nuk duhet të jetë shkak për mosfunksionim të Gjykatës Kushtetuese. Aq më tepër që edhe Komisioni edhe Kuvendi vendosin për secilin propozim veç e veç”, shkruhej në letrën që Georgievska ia ka dërguar Xhaferit.

VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, konsideron se disa herë e ka përsëritur qëndrimin se propozimi për gjyqtarë kushtetues duhet të dërgohet kur të përfundojë debati për të gjithë kandidatët.

Interpelancën që u dorëzua sot Micevski e bëri të ditur dje me fjalët se “është më e pakta me të cilën do të përballet kryetari i Komisionit”, ndërsa një ditë më parë nuk e përjashtoi mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale kundër disa personave.

Ndryshe, tre gjyqtarët duhet t’i plotësojnë vendet e tashmë ish-gjyqtarëve Sali Murati, Elena Gosheva dhe Nikolla Ivanovski, mandati i të cilëve skadoi në fund të majit 2021. Vitin e kaluar në qershor ishte caktuar seancë për përcaktimin e propozimeve për vendet e lira, por seanca filloi në atmosferë të tensionuar dhe më pas u ndërpre. Më pas ishin zgjedhjet lokale, ristrukturimi i shumicës në Kuvend dhe ndryshimet në përbërjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Në ndërkohë ka skaduar edhe mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit Jovan Josifovski, i cili u largua nga Kushtetuesja në fund të janarit të këtij viti. Më 7 dhjetor të këtij viti i skadon mandati gjyqtares Vangelina Markudova dhe nëse deri atëherë nuk zgjedhen gjyqtarët, Gjykata Kushtetuese mbetet pa kuorum, me çka një numër i madh nismash të dorëzuara nuk do të mund të votohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button