Putin shpalli gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, duke u dhënë fuqi shtesë krerëve të rajoneve të Rusisë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Këto katër rajone ukrainase Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Kam nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së luftës në këto katër subjekte të Federatës Ruse”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që u transmetua drejtpërdrejt.

Kremlini më pas publikoi dekretin ku thuhet se gjendja e luftës do të hyjë në fuqi mëngjesin e 20 tetorit.

Putin nuk tregoi se çfarë hapash konkretë do të ndërmerren pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Dekreti i tij u jep agjencive të zbatimit të ligjit tri ditë afat për të paraqitur propozime specifike.

“Ne po punojmë që të zgjidhim çështjet e vështira që të mbrojmë sigurinë e Rusisë dhe të garantojmë të ardhme të sigurt, të mbrojmë njerëzit tanë”, tha Putin.

“Ata që janë në vijat e luftës ose janë duke u trajnuar për luftë në qendrat trajnuese, duhet ta ndjejnë mbështetjen tonë dhe duhet të dinë se kanë pas vetes shtetin dhe popullatën”, shtoi ai.

Dhoma e Lartë e Parlamentit rus pritet të mblidhet shpejt për të miratuar vendimin e Putinit për shpalljen e gjendjes së luftës. Pritet që kjo masë të përfshijë kufizimin e udhëtimeve dhe tubimeve publike, por edhe dhënien e fuqive më të mëdha për autoritetet e zbatimit të ligjit.

Sot më herët u raportua se sulmet ruse me raketa dhe dronë në stacionet e energjisë, kanë lënë më shumë qytete, qyteza e fshatra pa rrymë në Ukrainë, kanë thënë autoritetet më 19 tetor.

Sulmet që kanë nisur më shumë se një javë më parë, kanë shkatërruar pothuajse një të tretën e stacioneve energjetike të Ukrainës dhe kanë lënë pa rrymë më shumë se 1.000 vendbanime.

Bombardimet ruse kanë lënë pa rrymë dhe ujë disa pjesë të qytetit Enerhodar, ka thënë, Dmytro Orlov, kryetar i qytetit.

Ky qytet gjendet në afërsi të centralit bërthamor të Zaporizjas, njëherësh më i madhi në Evropë.

Përleshjet e muajve në fundit mes forcave ruse dhe atyre ukrainase afër këtij centrali, patën rritur shqetësimet për mundësinë e një katastrofe bërthamore.

Edhe një termocentral në Krivih Rih, qytet që shtrihet në pjesën qendrore dhe jugore të Ukrainës, është dëmtuar rëndë nga bombardimet ruse, duke lënë rajone të mëdha pa rrymë dhe ujë, ka thënë guvernatori rajonal.

Forcat ruse kanë shënjestruar dhe rajonin jugor, Mikollaiv, me dronë kamikazë në orët e hershme të 19 tetorit.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pasi Moska mbajti referendume të rreme në katër rajonet ukrainase, më 30 shtator Putin nënshkroi dekretin për aneksimin e tyre. Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar vendim të paligjshëm aneksimin e katër rajoneve ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button