Ekspertët e BIEPAG reaguan ndaj Raportit të KE-së për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022

Më pak se tre muaj pasi BE-ja “filloi fazën e hapjes” së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, raporti i Komisionit Evropian për vendin për vitin 2022 ka marrë pak ose aspak vëmendje publike. Ai që dikur ishte dokumenti më i pritur për gjendjen e reformave në vend është reduktuar në disa lajme sporadike dhe kryesisht teknike, thuhet në tekstin e përbashkët të publikuar në blogun e Grupit këshillues për politika publike – Ballkani në Evropë (BIEPAG), ku Nikolla Dimitrov dhe Zoran Neçev analizojnë gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Përkundrazi, hapja e fundit e një qendre kulturore bullgare në Ohër të emëruar sipas mbretit bullgar Boris III, i cili u bashkua me aleancën e Boshtit dhe mori pjesë të mëdha të Maqedonisë dhe Thrakisë në këmbim, ka krijuar një stuhi publike dënimi dhe zemërimi. Heqja me dhunë e tabelës që ndodhi ditën e publikimit të raportit të KE-së mori shumë më tepër vëmendje mediatike. Këto zhvillime nënvizojnë shqetësimin kryesor të përbashkët të autorëve: se politikat e identitetit dhe agjendat revizioniste po e defokusojnë vendin nga ajo që duhet të jetë procesi i pranimit – transformimi i shoqërisë maqedonase në përputhje me kriteret e Kopenhagës”, thuhet në tekst. 

Raporti e shpërfill këtë sfidë, thuhet më tej, duke i përshkruar protestat që shpërthyen në korrik si “protesta … kundër propozimeve të krijuara për të hequr pengesat për hapjen e negociatave të pranimit në BE”. Në mënyrë të ngjashme, duke iu referuar “debateve intensive në parlament” për këto propozime, raporti nuk pranon se gjatë debatit parlamentarët nuk kishin akses në një nga elementët kryesorë të propozimeve: Protokollin Bilateral midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të mirë gatishmërie në aspektin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, duke bërë përparim shumë të mirë me harmonizimin e plotë me BE-në pas pushtimit rus të Ukrainës, duke treguar edhe një herë se është një partner i besueshëm i BE-së. Më tej, raporti merr parasysh përpjekjet e qytetarëve për të strehuar refugjatët nga Ukraina të cilëve u është dhënë statusi i mbrojtjes së përkohshme. Vendi renditet i dyti në rajon, pas Malit të Zi, kur bëhet fjalë për gatishmërinë e përgjithshme për anëtarësim, pasi është mesatarisht gati në shumicën e grupeve. Në periudhën raportuese, ka bërë më shumë progres se Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por më pak se Shqipëria dhe Mali i Zi.

Vendi vazhdon të demonstrojë përkushtimin e tij dhe ka dhënë rezultate në fushat kryesore themelore. Megjithatë, Komisioni Evropian paralajmëron për progres të kufizuar në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur për sa i përket reformës së administratës publike dhe ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë për shkak të vonesës së ligjeve kyçe që promovojnë një “sistem meritash” dhe kundërshtojnë shfaqjen e kronizmit. KE përsëri njeh punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por kërkon mbështetje më të madhe dhe përcjellje të gjetjeve të tij. Vendi ka arritur një nivel të caktuar gatishmërie, është mesatarisht i përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Është bërë njëfarë progresi, duke përfshirë arritjet në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e disa rasteve të korrupsionit dhe rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Kur bëhet fjalë për punën e Kuvendit, raporti pranon sfidat në lidhje me përdorimin e procedurës së shkurtuar. Gjegjësisht, nga 213 ligje të miratuara në vitin 2021, 81 janë miratuar me këtë procedurë të shkurtuar. Në pikëpyetje vihet edhe përdorimi i “flamurit evropian”. Në mënyrë eksplicite është përmednur mungesa e progresit në zbatimin e angazhimeve të marra nga dialogu “Jean Monnet”, i cili përfshin ndryshimin e rregullores, rritjen e mbikëqyrjes së qeverisë, dëgjimet publike, kalendarin parlamentar dhe procedurat për ligjet në pritje nën “flamurin evropian”. Këshilli kombëtar parlamentar për Integrime evropiane duhet të bëjë shumë më tepër për të siguruar një konsensus të gjerë në agjendën e BE-së. Të gjitha palët e përfshira, pa përjashtim, duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE.

Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut u publikua më 12 tetor, në të cilin thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Vetëm në kriteret ekonomi është theksuar progres i mirë, ndërkaq në harmonizimin e vendit me politikën evropiane të jashtme dhe të sigurisë ka progres shumë të mirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button