RAPORTI I PROGRESIT

Arriti raporti vjetor i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Është për t’u përshëndetur fakti që shteti tregon kontinuitet në realizimin e prioriteteve të caktuara nga BE dhe që kjo gjë vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme në raportet e viteve të fundit. Në përgjithësi, edhe ky raport është pozitiv dhe e njeh përpjekjen e shtetit për ti përmbushur kriteret e përcaktuara për anëtarësim.

Të kujtohemi që vetëm para disa vitesh ishte pikërisht ky raport që e karakterizoi vendin si shtet të kapur, prej ku edhe filloi i gjithë ndryshimi si rezultat i të cilit sot vendi është anëtar i NATO-s dhe ka hapur procesin e skriningut që përcakton edhe fillimin e bisedimeve për aderim në BE. Pavarësisht se ka zëra që thonë se nuk është bërë asgjë për të zbatuar reformat e parapara nga BE, ajo që është e dukshme botërisht është se gjërat kanë ndryshuar drastikisht nga koha kur ishim tërësisht jashtë këtyre proceseve dhe as që kishim shpresa se mund të bëhej ndonjë kthesë domethënëse.

Sigurisht, mbetet edhe shumë për të bërë dhe raporti i Komisionit Evropian tregon qartazi se ku duhet të koncentrohen përpjekjet e shtetit në të ardhmen. Reformat në gjyqësor mbeten çështja kryesore që duhet të vazhdojë të realizohet me më shumë energji dhe përkushtim, duke qenë se Sundimi i së drejtës është kapitulli me të cilin fillojnë dhe me të cilin përmbyllen bisedimet për aderim në UE. Edhe në këtë sferë ka përmirësim të dukshëm dhe mjafton të shihen rastet më të mëdha të korrupsionit të cilat janë procesuar. Sigurisht që mund të bëhet më shumë që të dënuarit për korrupsion të mos mund ta shfrytëzojnë pasurinë e tyre për të blerë trajtim special gjatë vuajtjes së dënimit por të bartin përgjegjësi si të gjithë të tjerët.

Raporti i sivjetshëm i Komisionit Evropian mes tjerash tërheq vërejtjen që shteti nuk bën sa duhet për ta penguar ekonominë gri, dhe sigurisht që duhet vepruar më shumë në këtë drejtim.

Në përgjithësi, raporti është shumë pozitiv dhe i njeh përpjekjet e shtetit për të ecur përpara në proceset e euro-integrimeve duke paraparë qartazi se ku priten përmirësime në periudhën e ardhshme. Tani që procesi i bisedimeve për aderim në BE ka filluar edhe oficialisht mund të presim veprime edhe më të rrepta dhe më kritike për shtetin sepse gjatë rrugës së integrimit ne duhet ta përshtasim jo vetëm legjislacionin por edhe mendësinë tonë në përputhje me vlerat evropiane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button