Vendi i uzurpuar dhe i merituar 

Është mungesë lumturie ta zësh vendin që nuk të takon dhe është mençuri ta dish vendin që e meriton.

Jetësimi i kësaj urtësie nga folklori shqiptar sjell mbrothësi në jetë, familje dhe në shoqëri.

Në shoqërinë tonë gjërat janë përzier qëllimisht, ashtu sikurse gjuhët në Kullën e Babelit. Kështu qeverisin më lehtë ata që e kanë zënë vendin e pamerituar.

Lasgush Poradeci tha se punës duhet t’ia gjejmë njeriun dhe jo njeriut t’i gjejmë punë.

Kur punës ia gjejmë njeriun, atëherë mund ta pretendojmë suksesin në punë dhe në jetë. Kur njeriut i gjejmë punë, bëjmë sikur ia zgjidhim problemin personal.

Çdo njeri është i dobishëm për diçka, por duhet t’ia gjejmë punën që e meriton. Atëherë ai do të punojë me pasion, do të ndjejë kënaqësi në punë, do të ketë ambicie për ngritje në karrierë, do të jetë në shërbim të punës dhe të shoqërisë. E kundërta është e njëjtë sikurse një lojtar sulmi ta angazhonim në mbrojtje apo anasjelltas.

Nëse nuk e bëjmë punën që e dimë, atëherë do të merremi me intriga për ta mbrojtur vendin e punës, por nuk do të ndjehemi të lumtur.

T’i gjesh dikujt një punë në institucionet publike nuk duhet të kuptohet si zgjidhje e problemit social ose si një favor i pamerituar. Ky është uzurpim i një vendi të punës, të cilin dikush tjetër e meriton.

Kjo mënyrë e të qeverisurit e krijon gjendjen e anomisë.

Anomia e nënkupton gjendjen shoqërore ku mbizotëron anarkia. E shpreh mungesën e efikasitetit të normave, ligjeve, rregullave e vlerave, që një shoqëri e çon drejt dezorganizimit dhe destabilizimit, kurse individin drejt konfuzionit dhe delikuencës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button