Lindita Ahmeti e mori çmimin shtetëror 11 “Tetori” për veprën jetësore në fushën e kulturës dhe artit

Këshilli për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “11 Tetori” ndau sot në Kuvend çmimin shtetëror “11 Tetori” për vitin 2022 për mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe veprimtarive të tjera me interes publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Çmimi për vepër jetësore në fushën e shkencës dhe arsimit iu nda neuropsikiatrit, prof. dr. Metodi Çepreganov, ndërsa në fushën e kulturës dhe artit, poetes Lindita Ahmeti, shkrimtarit Tomislav Osmanli dhe artistit Micko Jankulovski.

Lindita Ahmeti lindi në Prizren. Pas diplomimit nga shkolla e mesme në Shkup, ajo studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin Skopijskiego. Ajo aktualisht jep mësim letërsinë antike në Universitetin e Tetovës dhe është anëtare e Klubit PEN në Maqedoni.

Ajo për lexuesit u bë e njohur që me poezitë e para në shtypin që në vitet 90-të, duke e dëshmuar talentin e saj me një varg përmbledhjesh që do të pasojnë ndër vite: “Mjedra dhe bluz”, “Ishulli Adular”, “Brezi dhe Zonjës”, “Vetë perballë Erosit”, “Lulja alba” (përzgjedhje), “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”, “Dhoma pa derën dalëse”. Katër përmbledhje i janë përkthyer në guhën maqedonase “Камена месечина” (“Hëna e gurtë”), “Син сон” (“Ëndërr e kaltër”), “Призивање во април” (“Grishja në prill”), “Утрешните монети” (“Monedhat e nesërme”)dhe një në gjuhën bullgare(“Пролетен копнеж”), ndërkaq janë botuar edhe në revista letrare në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake dhe është përfshirë në shumë antologji dhe panorama në gjuhë të ndryshme, transmeton Arsalbanica.

Kolumnisti i Portalb.mk, Salajdin Salihi për poeteshë thotë se ajo është poete e më së paku dy shekujve. Është pjesëtare e brezit të poetëve të post – komunizmit, që sollën diskurs dhe sensibilitet të ri krijues. Kjo kohë i dha letërsisë shqipe disa emra të njohur poetësh, që krijojnë në vise të ndryshme ku flitet shqip dhe më gjerë. Ajo është poetja që i dalin zot tre qytete: Shkupi, Tetova e Prizreni. Ashtu siç ndodhi me Homerin, ashtu sikurse ndodh me çdo emër të veçantë të letërsisë. Lindita është e të gjithë qyteteve tona…

“Lindita është e heshtur. Ajo jeton në botën e heshtur. Ajo jeton me poezinë si rrallë poete tjetër. Ajo është poezia vetë. Në mes librash e dëgjon muzikën e heshtjes. Për ta përjetuar muzikën e kësaj bote nuk mjafton të dëgjosh tingujt, por heshtjen, ashtu si një Bethoven, që prej heshtjes çlironte muzikën e kohërave dhe ëndrrave e ia falte botës sonë të zhurmshme. Kur e lexon poezinë e Linditë Ahmetit e ndjen triumfin e gjuhës së harruar, gjuhës së ëndrrës, të figuracionit, kundrejt gjuhës së përditshmërisë, të klisheve e refreneve, zhveshur nga mendimi i thellë. Je pjesë e një ëndrre, e një parabote, e një përtejbote, e një tejbote”, shkruan Salihi.

Ndërkaq kolumnisti i Portalbit, Fatmir Sulejmani thotë se vargu për e saj që nuk njeh konvenca e kufizime është shkruar e thënë shumë. Sytë e poeteshës shohin gjithçka, veçmas anët e trishtueshme të jetës sonë. Në poezitë e saj të cilësuara si ishuj më vete, gërshetohen realja me ëndrrën dhe mitiken, të cilën ajo e njeh me shumë kompetencë. Gjithë ajo që shkruan Linda mund të konceptohet edhe si sfidim iluzionesh – një betejë e pasosur vargjesh të papërsëritshme e të matura në peshore filigranësh për një jetë ndryshe nga ajo e shpirtit të robit…

“Për shijen time, Lindita është LIRA më e veçantë e poezisë shqipe, jo vetëm aktualisht. Se si ia del të shkruajë me bojërat e shpirtit të saj bilur nuk e kam të qartë. Me gjasë është në pyetje sekreti të cilin nuk e di as vetë ajo, është rrezatimi i dorës së Zotit mbështetur koxha gjatë në supet e saj, është hyjnorja e shpërfaqur me penelata vargjesh shumëformëshe, që drithërojnë me vrushkuj ethesh palcën shpirtërore të adhuruesve të perlave, që mund t’i shkruajë vetëm një dorë maestroje”, thotë Sulejmani.

Në vitin 2016-të poetja Ahmeti, erdhi me librin poetik “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim”, që e botoi PORTALB. Libri i saj është mirëpritur nga qarqet letrare, që kanë vlerësuar si “mrekulli estetike”, “lirikë e përshpirtshme”, “libër që imponon vlera të reja në letërsinë shqipe”, “lirë e veçantë e letërsisë shqipe apo “metaforë gjigante e dhembjes, vetmisë krijuese, ndjeshmërisë”. Libri u nderua edhe me çmimin për libër më të mirë të vitit 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button