LIDERSHIPI SHPIRTËROR (1)

“Ne nuk jemi qenie njerëzore me përvojë shpirtërore, por qenie shpirtërore me përvojë njerëzore!”
T. de Chardin

 Një sintagmë e afërt me lidershipin moral që e trajtuam në shkrimin e kaluar, është ajo e lidershpit shpirtëror që lidhet me dimensionin më të thellë të përvojës njerëzore, me zhvillimin e relacioneve personale me të shenjtën dhe prezencën hyjnore. Është një lloj i spiritualitetit të vendit të punës, i lidhjes me transhendentalen që prodhon dhembshuri dhe kënaqësi të thellë te njeriu. Lidershipi shpirtëror nënkupton cilësitë që janë themel i  traditave shpirtërore dhe fetare në saje të të cilave udhëheqësit mund të përmirësojnë aftësitë dhe kompetencat e të punësuarve, mund të krijojnë klimë më pozitive, nivele më të larta të ndërgjegjshmërisë ndaj vetes dhe të tjerëve.

Lidershpi spiritual përfshin motivimin dhe frymëzimin e brendshëm të punëtorëve përmes shpresës/besimit në një vizion shërbimi ndaj palëve në ndërveprim dhe një kulturë korporative të bazuar në vlerat e dashurisë altruiste për të prodhuar një fuqi punëtore të motivuar, të përkushtuar dhe produktive. Qëllimi i udhëheqjes shpirtërore është të shfrytëzojë nevojat themelore si të udhëheqësve ashtu edhe të ndjekësve apo vartësve për mirëqenie shpirtërore nëpërmjet thirrjes (“Jeta ka kuptim.”) dhe anëtarësimit (përkatësisë). (IISL, 2022)

Artikuj të botuar në prestigjiozet Newswwek, Time, Fortune dhe Business Week flasin për trende rritjeje të spiritualitetit në Shtetet e Bashkuara, për faktin që shumë CEO dhe liderë aspirojnë të integrojnë përshpirtësinë e tyre me punë, hapa këto që kanë shkaktuar ndryshime pozitive në marrëdhëniet ndërpersonale, në efektivitetin e organizatave të tyre, në rritjen e shëndetit human, mirëqenies psikologjike dhe të profitit. (Fry & Egel, 2017) Hulumtimet e shumta kanë treguar se ka një lidhje të qartë mes vlerave dhe praktikave spirituale nga njëra anë dhe efektivitetit të lidershipit, se vlerat që janë konsideruar si ideale shpirtërore, si integriteti, ndershmëria, përulësia kanë ndikim pozitiv në suksesin e lidershipit. Do theksuar se lidershipi spiritual është një paradigmë brenda fushës më të gjerë të spiritualitetit të vendit të punës (workplace spirituality) që mund të aplikohet si në organizatat fetare ashtu edhe në ato shekullare apo laike.

Kultura e lidershipit shpirtëror kapërcen interesat egoiste personale, e lidh njeriun me diçka më të madhe që promovon të mirën e përgjithshme (common good). Kjo lidhje mund të jetë një orientim panteist drejt natyrës, sistem social humanist ose etik, praktikë shpirtërore dhe fetare që të afron me një fuqi të superiore, hyjnore, me një Fuqi, Qenie të Lartë ose me Zotin vetë. Kjo shpie deri te ajo që asnjë qenie njerëzore të mos shihet vetëm si objekt ose vegël ekonomike. Paul Poleman drejtor i Unilever, me 176 mijë të punësuar, me rreth 400 brende dhe shitje në 190 shtete, thotë se kualiteti kryesor i liderit është të jetë qenie e moralshme, etike; sipas tij askush nuk është i veçantë për shkak të titullit të punës apo përgjegjësive. Ai pohon se këshilla më e mirë që ka marrë është ajo nga babai: asnjëherë mos harro se nga ke ardhur (nga një familje me pasuri modeste) dhe qëndro me këmbët për toke!

Aflac është një ndër 500 kompanitë më të suksesshme në botë sipas revistës Fortune, që siguron mbi 50 milionë njerëz anekënd botës. Në filozofinë e kësaj kompanie, besimi luan një rol të rëndësishëm, ngase e njëjta është themeluar dhe ngritur mbi parimet e krishterimit. Paul S. Amos një nga ish-anëtarët e bordit të drejtorëve beson se mësimet e Jezusit krijojnë parimet e sakta për të gjetur rrugën e trajtimit të drejtë të njerëzve, një kulturë të veçantë për mirësjellje, për sjellje me brendësinë vetjake dhe me botën e jashtme. Kjo kompani vë theks mbi përgjegjësinë ndaj komunitetit global dhe mjedisit.

Oprah Winffrey, një nga gratë më të fuqishme në botë, me kapital rreth tre miliardë dollarë, është shprehur se baza e suksesit të saj është besimi në Zot; nëpunësit e saj kur flasin për të përdorin terma si dishepull, shenjtëri, busull morale dhe udhëheqje shpirtërore. Bethel lançon modelin e quajtur PIPES, që u ndihmon njerëzve të rriten profesionalisht, intelektualisht, personalisht, etikisht dhe spiritualisht. (Schoonover, 2022) Mel Lawrenz, autor i Lidershipi shpirtëror sot (Spiritual Leadership Today) thotë se njeriut që është në pozitë me ndikim, të ekzekutimit të lidershipit, besimi do t’i japë fuqi – të fshehtë – që do t‘i mundësojë atij që të bëjë dallimin e qëndrueshëm në jetët e njerëzve dhe organizatave. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button