A do të lejojë bota të bëhet viktimë e një satrapi?

Jeta njerëzore në planetin Tokë nuk ka qenë kurrë më pranë rrezikut të shuarjes së përgjithmonshme për shkak të trilleve të presidentit despot rus Vladimir Putin, që nisi luftën e pakuptimtë pushtuese kundër Ukrainës, në krah të së cilës është rreshtuar gjithë bota demokratike.

Para nisjes së luftës në fjalë, e cila cilësohet si më e çoroditura në historinë e re të njërëzimit, askush nuk besonte se shkaktari i një tragjedie  me përmasa planetare mund të jetë një tiran që  ashiqare e ka humbur busullën e kohë-hapësirës së shekullit aktual dhe kërkon të  mbetet në histori si Pjetri i Madh – cari më i famshëm i perandorisë ruse të shekullit tetëmbëdhjetë; askujt nuk ia merrte mendja se luftën bërthamore mund ta shkaktojë sedra e sëmurë e një ish agjenti të KGB-së sovjetike, që nuk denjon të pranojë humbjet e turpshme në frontin e luftës me armë konvencionale, ndaj pretendon t’i kthejë ato në fitore nëpërmjet luftës kataklizmike bërthamore.

Përveç mosgatishmërisë së Putinit për të pranuar humbjen dhe për të tërhjekur ushtrinë ruse  nga Ukraina, veçmas pas referendumit të shpifur dhe shpalljes së krahinave të pushtuara si pjesë të Rusisë, rrezikun për shpërthimin e luftës bërthamore e bën të mundshëm edhe vendosmëria e palëkundur e SHBA-së dhe Perëndimit, për të mbështetur me të drejtë ushtrinë ukrainase gjer në përzënien e ushtarit të fundit rus nga territori i saj.

Kjo është ajo që mund ta bëjë të paevitueshme shtypjen e sustës së armëve bërthamore nga ana e Putinit të pallogaritshëm, i cili tani më e ka të qartë se edhe mospranimi edhe pranimi i disfatës nënkupton fundin e tij. Ndoshta dhe fundin e Rusisë si superfuqi  botërore, gjë e cila nuk e mërzit fare.

Janë të shumtë edhe rusët që mendojnë se tërheqja e ushtrisë së tyre nga Ukraina do të shpëtonte nga vuajtja njëkohësisht të dy popujt në konflikt. Rusët popullojnë një territor pakrahasueshëm më të madh se cilido popull tjetërv në rruzullin tokësor, ndaj nuk kanë asnjë arsye të flijojnë bijtë e tyre në luftëra idiote pushtuese për qejfin e një diktatori të etur për famë. Në kujtesën e tyre duhet të jenë të gjalla tmerret që shkaktuan në Rusi ushtritë e Napoleon Bonapartit (1812) dhe të Adolf Hitlerit (1942), që janë të ngjashme me krimet e sotme të ushtrisë së Pitinit në Ukrainë. Së këndejmi, ashtu si u tërhoqën ata të turpëruar duke lënë në baltërat ruse mijëra djem të rinj francezë e gjermanë, duhet të tërhiqet edhe ushtria e Putinit dhe kërkujt kurgjë. Ndërkaq, tërheqja e SHBA-së dhe shteteve perëndimore nga pozicioni i përkrahësve dhe furnizuesve me armë të forcave mbrojtëse ukrainase është i pamundshëm, sepse kjo do ta shtonte oreksin e Putinit dhe do ta bënte rregull shkeljen e sovranitetit të çdo shteti të botës.

Në këso rrethanash pa rrugëdalje janë rusët ata që mund ta zhdukin ose ta shpëtojnë botën nga kataklizma bërthamore. Fati i botës është thjesht në dorën e tyre, sepse vetëm ata mund ta rrëzojnë nga froni prijësin e çakërdisur, ose të vejnë së bashku me të në dreq të mallkuar, duke marë kësisoj më qafë gjithë njerëzimin.

Ne të tjerëve na mbetet të shpresojmë se vendi që i ka dhënë botës aq shumë personalitete të shquara të shkencës, artit, arsimit, sportit… nuk do ta lë fatin e saj dhe të gjithë rruzullimit në duart e një satrapi të egër që vuan nga deliri i e madhështisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button