Maqedonia e Veriut nuk është gati për ndryshim, vlerëson bashkëkryetari bullgar i komisionit historik

Çështja me RMV-në është e rëndësishme, por përsëri asgjë nuk ndodhi. Nuk ka gatishmëri për ndonjë ndryshim, pohon në një deklaratë për BNT, bashkëkryetari bullgar i Komisionit të përbashkët multidisiplinar të kspertëve për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, profesor Angel Dimitrov, transmeton agjencia e lajmeve BGNES, transmeton Portalb.mk.

Deklaratat e Dimitrovit vijnë pas takimit të 20-të radhazi të javës së kaluar të komisionit të ekspertëve për çështje historike, i cili u mbajt në Shkup.

“Ky është një sinjal i rëndësishëm për qëndrimet e përgjithshme, por mbi të gjitha për atmosferën në të cilën po punon Komisioni ynë i Përbashkët Historik në mbledhjen e tij të 20-të radhazi. Nuk ka gatishmëri për asnjë ndryshim”, thotë bashkëkryetari i Komisionit nga pala bullgare.

Ai ndan përshtypjet për atmosferën në të cilën ishte mbajtur komisioni javën e kaluar. Sipas tij, televizionet kryesisht janë marrë me propozimin, përkatësisht, siç thotë Dimitrov, kërkesën e DPMNE-së për shpalljen e referendumit që do ta refuzojë plotësisht Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

“Kjo atmosferë ishte sfondi në të cilin u zhvilluan bisedat tona. E shihja qartë shqetësimin e disa kolegëve sepse disa prej tyre thanë se i nënshtrohen kërcënimeve dhe presioneve kur ndryshojnë diçka në pozicionin e tyre”, thekson Dimitrov duke shtuar se “kjo tregon qartë se çfarë po ndodh në RMV”.

Si sqarim, në deklaratë ai i referohet të dhënave nga hulumtimi i fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, sipas të cilit, siç thekson Dimitrov, armiku më i madh i vendit të tyre (Maqedonisë së Veriut) është Bullgaria, gjegjësisht se 44 për qind e qytetarëve të vendit ishin të këtij mendimi. 

“Miku i tyre më i madh është Serbia – 37.4 përqind mendojnë kështu. Mbi 65 për qind janë mbështetës të idesë së Ballkanit të Hapur, një ide e nisur nga Serbia për një mini apo ri-Jugosllavi. Presidenti më i vlerësuar është Boris Trajkovski, i cili vdiq tragjikisht në rrethana të dyshimta në një aksident avioni. Paradoksi është se Trajkovski ishte mik i mirë i Bullgarisë. Njerëzit atje, të cilët pretendojnë se kanë rrënjë të thella historike, mendojnë vetëm pas vitit 1944. Ata nuk e dinë se çfarë ndodhi as në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, kur popullsia atje u shpall serbe, kur kishte regjim terrorist, kur kishte dhunë të madhe dhe represione të vazhdueshme, kjo di duket nuk u intereson fare, e dinë vetëm propagandën dhe manipulimet e pas vitit 1944, fatkeqësisht kjo propagandë është antibullgare” tha Dimitrov për BNT.

Sa i përket temave të Komisionit, ai thekson se Goce Dellçev është në programin e tyre, tashmë për të tretin vit, por nuk e arrijnë. Dimitrov thotë se Maqedonia duhet të bëjë ndryshime serioze në tekstet shkollore dhe se kjo duhet bërë menjëherë. Ndërsa tekstet shkollore, siç konsideron ai, mund të plotësohen pa shtypur të reja.

“Për atë nuk është diskutuar realisht. Ajo që është vendosur dhe paralajmëruar është se është i nevojshëm ndryshimi i teksteve të tyre. Flasim për tekstin shkollor jashtë historisë sonë të përbashkët. Një sinjal se pala bullgare synon të zbatojë me saktësi vendimet e komisionit e dha takimi ynë para se të niseshim për në Shkup me kryesinë e Ministrisë së Arsimit, të cilët pranuan me mirëkuptim atë që vendosëm. Shënimet në tekstet tona janë të përgjithshme, nuk prekin çështje të rëndësishme të interpretimit dhe janë mendime dëshirash, por ajo që duhet të bëjnë është të shohin veprime reciproke, respekt për komisionin e përbashkët, të bëjnë ndryshime serioze në tekstet e tyre. Kjo duhet të bëhet menjëherë. Tekstet shkollore mund të plotësohen pa shtypur të reja”, komentoi Dimitrov.

Ai thekson se i gjithë tensioni politik në Shkup ka të bëjë me bullgarizimin.

“Është shumë interesante që në vitet 1990 politikanët më të lartë, madje edhe vetë presidenti thoshin se kishim arritur fundin e debullgarizimit. Tani kanë frikë se do të ndodhë bullgarizimi, gjë që është absurde. Vetë Pendarovski e ka cilësuar si ngërç, por ka thënë se duhet të jenë të qetë, sepse kemi rrënjë të thella historike, ndërsa ky është sinjal edhe për komisionin”, konsideron Dimitrov.

Pas takimit të javës së kaluar të Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, nuk u njoftuan konkluzionet.

Një ditë para takimit, Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se pjesa maqedonase e Komisionit u plotësua nga një anëtar i ri – Dimitar Ljorovski, historian dhe profesor në Institutin e Historisë Kombëtare, interes shkencor i të cilit, sipas informacioneve të disponueshme në Interneti, është historia e Ballkanit në periudhën e vonë osmane, me referencë të veçantë për historinë e Greqisë në shekullin e 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të, politikën greke ndaj Maqedonisë osmane dhe lëvizjen revolucionare maqedonase nacionalçlirimtare.

Lidhur me punën e vazhdueshme për zbatimin e obligimeve si nga Marrëveshja ashtu edhe nga Protokolli, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një konferencë për media, informoi se Sekretariati i Komisionit Historik do të ketë kuadër që do të ndihmojë anëtarët e Komisionit dhe në pjesën administrative të punës së tyre për funksionim sa më efikas të komisionit historik.

“Vetë anëtarët do të propozojnë kuadrin që do të punojë këtu, ndërsa MPJ vetëm do të lidhë kontratat dhe do t’i paguajë. Ne nuk do të propozojmë asnjë emër, por ata do të zgjedhin bashkëpunëtorët e tyre”, tha Osmani.

Ish-kryeministri dhe ish-përfaqësuesi special i qeverisë në mosmarrëveshjen me Bullgarinë, Vlado Buçkovski, dje në një deklaratë për agjencinë e lajmeve BGNES tha se beson se Rusia ka pasur ndikim në protestat antibullgare që u zhvilluan në Shkup në periudhën e kaluar, por edhe pas njoftimit të referendumit për anulimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

Ndryshe, në mesin e gushtit të këtij viti u publikuan rekomandimet e deritanishme të dakorduara në komisionin historik.

Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ra dakord mes rekomandimeve për përkujtimin e përbashkët të Shën Kirili dhe Metodit, Shën Naumin e Ohrit, Shën Klementin e Ohrit dhe mbretin Samuil. Në të njëjtën kohë, komisioni harmonizoi pesë rekomandime për tekstet e historisë për klasën e V-të në Bullgari dhe për klasën e VI-të në Maqedoninë e Veriut, të cilat i referohen periudhës së antikitetit.

Ndrysh, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button