Përfundimet nga procesi i Bërdo-Brionit
Liderët e shteteve të Ballkanit sot në samitin e procesit të Brdo-Brionit në Kranj të Sllovenisë kërkuan integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe BE-ja të ndihmojë rajonin në përballjen e krizës energjetike dhe ekonomike, transmeton Portalb.mk.
Përfundimet e këtij samiti presidenti slloven Borut Pahor i shpalli në Twitter edhe atë:
- “Ne ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është më shumë se kurrë një çështje gjeopolitike;
- Ne jemi për një proces më të shpejtë të integrimit në BE sipas kushteve të njohura për anëtarësim.
- . Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnje dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022;
- Ne bëjmë thirrje për vendosjen e një regjimi pa viza për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022;
- I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike;
- Ne konfirmojmë angazhimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe për të hapur çështjet në rajon.”
Për samitin e vitit të ardhshëm, presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme të jetë nikoqire.
Sot u mbajt takimi i 11-të iliderëve të Procesit Bërdo-Brioni, me ftesë të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor dhe Presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Në takim morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari dhe dy anëtarët e Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, Milorad Dodik dhe Zheljko Komshiq, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Procesi Bërdo-Brioni, si nismë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, u krijua në vitin 2010, me qëllim përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zgjidhur çështje të hapura politike dypalëshe dhe rajonale, dhe është një nga nismat më të rëndësishme politike në Evropën Juglindore, të cilat i hapën rrugën edhe formimit të procesit të Berlinit.
Ndryshe, në Samite të tilla si ai i Bërdos nuk merren vendime për zgjerimin, megjithatë pasqyrojnë tablonë e madhe të marrëdhënieve midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.