Çka fitoi Maqedonia e Veriut nga Samiti në Bërdo të Sllovenisë?
Edhe pse në Samite të tilla si ai i 6 tetorit në Bërdo nuk merren vendime për zgjerimin, megjithatë pasqyrojnë tablonë e madhe të marrëdhënieve midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Nga ky samit konfirmuam se ka pritshmëri të paplotësuara nga të dyja palët. Për sa i përket Maqedonisë, pengesë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian nuk përbën vetëm Bullgaria, por edhe vendet skeptike të zgjerimit, vlerësojnë për Portalb.mk njohësit e çështjeve eurointegruese. Liderët evropianë, konsiderojnë ata, shprehin shqetësimin se sa po jep Ballkani Perëndimor në reformat për sundimin e ligjit.
Përsëritja e përpjekjeve për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por pa hapa konkret, afate dhe garanci konkrete, nënkupton një status quo të prolonguar për të cilin shanset janë të vogla që të ndryshohet për një kohë të shpejtë, vlerëson për Portalb Dimitar Nikollovski nga Eurothink. Sidoqoftë, shprehet ai status quo-ja si rezultat i mungesës së konsensusit në nivelin e BE-së nuk do të thotë edhe status quo për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku zhgënjimi dhe frustrimi po rriten. Një gjë e tillë, shton ai, mund të shihet nga deklarata e zotit Rama. Sfida për elitat lokale është të mbajnë një nivel të lartë të mbështetjes së BE-së midis qytetarëve të vendeve të rajonit.
Lidhur me çështjen Maqedoni-Bullgari, ai thotë se ky nuk është problemi i vetëm për pengesën e zgjerimit.
“Nuk besoj se Bullgaria është problemi i vetëm që duhet kapërcyer. Pas vetos nga Bullgaria janë shtete të tjera anëtare të cilat nuk janë pro zgjerimit, dhe të cilat mund të dalin me qëndrime të tilla të qarta në të ardhmen e afërt. Z. Michel deklaroi se do të diskutohet për zgjerimin në nivel të BE-së, prandaj as edhe për ne nul është i garantuar fillimi i negociatave pas zgjidhjes eventuale të ngërçit me Bullgarinë. Për këtë qëllim, konsideroj se negociatat me Bullgarinë duhet të ngadalësohen në periudhën vijuese, por definitivisht jo edhe të ndërpriten plotësisht. Duhet ta kuptojmë pasigurinë e re dhe të mos nxitojmë me hapat”, deklaron Nikollovski.
Ndërkohë, Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane, vlerëson se nga samiti i kësaj jave, konfirmuam se ka pritshmëri të paplotësuara nga të dyja palët. Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioni shton Kacarska, përqendrohen në atë që Unioni nuk e ka përmbushur (kryesisht fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën). Liderët evropianë nga ana tjetër, deklaron tutje, me përjashtime të sinqerta, përsëri shprehin shqetësimin se sa po jep Ballkani Perëndimor në reformat për sundimin e ligjit.
“Lidhur me ngërçin tonë në procesin e pranimit, presidenti bullgar paraqiti një sërë kërkesash për të cilat duhet diskutuar, por ato sigurisht nuk i kanë afruar qëndrimet e dy vendeve. Kjo ishte edhe e pritshme, pasi Bullgaria është në periudhë parazgjedhore. Edhe pse Kryeministri njofton mundësinë e një zgjidhjeje për të filluar negociatat në dhjetor, megjithatë duhet të jemi të vetëdijshëm se këto çështje do të na ndjekin gjatë procesit të negociatave që do të zgjasin shumë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që diskutimet me Bullgarinë të zhvillohen, të paktën formalisht, jashtë procesit të pranimit dhe të trajtohen si çështje bilaterale”, deklaron Kacarska.
Përndryshe, në margjinat e samitit të 6 tetorit në Bërdo të Sllovenisë, presioni evropian mbi Sofjen për të zhbllokuar rrugën e Shkupit në BE ishte i dukshëm, me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev dhe kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev të angazhuar në një seri takimesh ndërmjetësuese.
Presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.
Presidenti Radev ka deklaruar gjithashtu se, pret që bullgarët në Maqedoni të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka shtuar se, gjithashtu prej që të njihet “e vërteta historike”, siç ka qenë e pranuar “e vërteta historike me Greqinë”.
Tani për tani, Shkupi është peng i situatës parazgjedhore në Sofje, e cila nuk ka perspektivë për krijimin e një qeverie, të paktën deri në fund të nëntorit.
Mediat evropiane raportojnë se Sofja dhe Shkupi po punojnë në një protokoll dypalësh me gjashtë fusha bashkëpunimi, i cili mund parashohë heqjen e vetos ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë në fillim të nëntorit.