Liderët nga vendi, rajoni dhe bota reaguan ndaj vdekjes së Mbretëreshës

Liderë nga bota, vendi dhe rajoni, menjëherë pas vdekjes së Mbretëreshës së Britanisë, Elizabeta II filluan me telegramet e tyre ngushëlluese, transmeton Portalb.mk.

Një tronditje e madhe për kombin dhe botën, kështu e ka konsideruar vdekjen e Mbretëreshës kryeministrja britanike Liz Truss.

“Ne jemi të gjithë të shkatërruar” nga lajmi i vdekjes së Mbretëreshës, i cili është një “tronditje e madhe për kombin dhe botën”.

Ajo e përshkruan Mbretëreshën si “një shkëmb mbi të cilin u ndërtua Britania moderne”, duke shtuar: “Britania është vendi i madh që është sot për shkak të saj. Përkushtimi i saj ndaj detyrës është shembull për të gjithë ne”

Ajo tha se mbretëresha ishte një frymëzim personal për të, si dhe për shumë britanikë.

Liderë nga e gjithë bota kanë folur për trishtimin e tyre për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut shprei ngushëllimet e tij “të përzemërta për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj”

“Përkushtimi i saj i përjetshëm për shërbimin ndaj popullit, përkushtimin dhe udhëheqjen në momente të vështira do të jetë një frymëzim i qëndrueshëm për brezat e rinj”, tha Pendarovski.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftuan se në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i shprehin nderimet dhe ngushëllimet tona më të thella Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe popullit të saj me rastin e vdekjes së Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II.

“Mbretëresha Elizabeth II ka qenë një pjesë integrale e historisë moderne dhe një dëshmitare e trazirave dhe transformimeve të pabesueshme sociale në 70 vitet e fundit. Mbretërimi i saj ishte një dëshmi dhe një pishtar i ndritshëm për ndërgjegjësimin dhe tranzicionin planetar drejt sistemeve demokratike në mbarë botën.

Në të njëjtën kohë, në këto momente të kthjellta, ne shprehim respekt dhe mbështetje për mikun tonë të vjetër, Mbretin Charles III, së bashku me qeverinë e re të udhëhequr nga Shkëlqesia e Saj Liz Truss, me shpresën për një bashkëpunim të mëtejshëm edhe më intensiv midis kombeve tona mike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Presidenti i SHBA Joe Biden foli me dashuri për takimin e tyre të parë në 1982 dhe së fundmi kur ajo e priti atë gjatë një udhëtimi jashtë shtetit në 2021.

“Ajo na magjepsi me zgjuarsinë e saj, na emocionoi me mirësinë e saj dhe ndau bujarisht me ne mençurinë e saj. Ajo qëndroi në solidaritet me Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve tona më të errëta pas 11 shtatorit, kur ajo na kujtoi në mënyrë prekës se, “Pikëllimi është çmimi që paguajmë për dashurinë”, ka thënë Joe Biden.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri homazhe, duke thënë se Mbretëresha ishte një monark “zemërdashës” dhe një “mik i Francës”.

“Madhështia e saj Mbretëresha Elizabeth II mishëroi vazhdimësinë dhe unitetin e kombit britanik për më shumë se 70 vjet. E mbaj mend si një mike të Francës, një mbretëreshë zemërmirë që ka lënë një përshtypje të qëndrueshme në vendin e saj dhe në shekullin e saj”, tha Macron.

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz e përshkroi Mbretëreshën si një “model dhe frymëzim për miliona”.

Ai vlerësoi rolin e saj në riparimin e marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë pas “tmerrit të Luftës së Dytë Botërore”.

“Ajo do t’i mungojë, jo më pak humori i saj i mrekullueshëm”, tha Scholz.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se mbretëresha Elizabeth ishte “një nga njerëzit e tij të preferuar në botë”.

“Ajo ishte një prani e vazhdueshme në jetën tonë – dhe shërbimi i saj për kanadezët do të mbetet përgjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit tonë. Do me mungoje kaq shume”, tha Trudeau.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se Qytetarët e Republikës së Kosovës, krahas miliona njerëzve anë e mbanë botës, janë thellësisht të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II.
“Mbretëresha Elizabeta e udhëhoqi Mbretërinë e Bashkuar me zell, me hir e përulësi dhe e vendosi shërbimin dhe detyrën ndaj vendit të saj mbi çdo gjë tjetër. Ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme. Populli i Mbretërisë së Bashkuar na erdhi në ndihmë në ditët tona më të errëta, ndaj sot ne bashkëndjejmë me zemër të rënduar për këtë humbje të madhe së bashku me Familjen Mbretërore dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar”, tha Osmani.

“Lamtumirë Mbretëreshë”, shkroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me një simbol të përlotur.

Mbretëresha më jetë-gjatë e Britanisë, Elizabeta II vdiq pak orë më parë në moshën 96-vjeçare, kështu bëri të ditur Buckingham Palace. Tani fronin do ta marrë djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit. Elizabeta II, me emër të plotë Elizabeth Alexandra Mary u lind më 21 prill 1926, ajo ishte Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar dhe 14 mbretërive të tjera të Komonuelthit. Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 dhe mbretëroi për 70 vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button