Diplomacia gjermane në Ballkan

Gjermania ka marrë një ofensivë të re diplomatike për të vënë në një trakë të shpejtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në vigjilje të ofensivës ukrainase kundër  trupave ruse për të rimarrë qytetin strategjik të Kaersonit kancelari gjerman Olaf Scholz ka dekaruar se “është i përkushtuar për zgjerimin e BE-së për të përfshirë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainën, Moldavinë dhe në fund Gjeorgjinë”, duke thënë se “qendra e Evropës po lëviz drejt lindjes”. Siç dihet Gjermania pas vitit 91 ka qenë e angazhuar aktivisht në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë dhe në Maqedoni të V., misioni gjerman në kuadër të NATO-s ka qenë themelor dhe kryesor në ruatjen e paqes dhe përfundimin e operacioneve të suksesshme të aleancës në Ballkan. Këtu bën pjesë edhe Maqedonia e V. e cila pa misionin ushtarak gjerman të vitit 2001-02, nuk do të mund të arrinte një paqe të qëndrueshme dhe as që mund të ëndrronte që një ditë të bëhej anëtare e aleancës. Gjermania ka bërë punë të mira në Ballkan, dhe kjo shihet nga nismat ekonomike rajonale si “Procesi i Berlinit” dhe natyrisht nga ndihmat e drejtpërdrejta që shteti gjerman i ka dhënë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nuk  duhet harruar se qeveria gjermane ka ndihmuar rajonin dhe me mjete financiare që shkojnë në disa miliona euro. Dhe kjo nuk përfundon me kaq, pa Berlinin, Ballkani do të kishte një krizë ende më të madhe ekonomike dhe financiare e cila do të transformohej në kriza tjera etnike dhe fetare. Gjermania edhe pas shkatërrimit të ish- RSFJ-së, ka qenë shteti kryesorë që ka mbështetur eksportin e mallrave në tregun gjerman dhe importin e të mirave në tregun ballkanik.

Tash, kur gjërat me Ukrainën kanë ndryshuar, Berlini po tregohet mjaft aktiv për të qëndruar në Ballkan, dhe për të mos lejuar që Rusia të lëshojë edhe më shumë rrënjë në shtetet si Maqedonia e V. dhe Bosnja. Në këtë drejtim, politika gjermane është duke i dhënë mbështetje të fortë dialogut serbo-kosovarë nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe BE-së.

Pas ish kancelares Angela Merkel, pasardhësi i saj Sholci, ka treguar disa veprime të kujdesshme në marrëdhëniet me Rusinë dhe me politikën gjermane lindore, e cila ka disa ngjyra të ngjajshme më të ish kancelarit Vili Brand. Ajo që Gjermania synon, është pavarësia nga gazi rus dhe mundësisht qëndrimi sa më larg i ushtrisë ruse nga Polonia dhe shtetet Baltike. Këtë skenarë  nuk e dëshiron as Berlini, Londra dhe Uashingtoni zyrtarë. Një përplasje e re ushtarake me Rusinë para kufijve të saj nuk i shkon në favor Polonisë, ku në Kalingrad (Koinsberg) janë të stacionuara raketat ruse dhe po aty është “Swaliki Gap” një hapësirë e ngushtë ku ushtria ruse në rast të sulmit mund të depërtojë në Evropën Qendrore, por pa garanci se shtetet e BE-së nuk do të preken nga lufta e mundshme me ruset e që po ashtu nuk dihet për humbjet e mundshme ruse. Andaj kritikët që shpeshherë e kritikojnë politikën e jashtme gjermane se është me ngjyrime pro ruse, nuk kanë të drejtë, sepse Gjermania e pas LDB-së niset nga disa parime ose mësime të marra gjatë dy luftërave botërore dhe sidomos mësimet nga atmosfera apo rivaliteti i fuqive evropiane para fillimit të LPB-së. Pavarësisht politikës së brendshme dhe kufizimeve gjermane në fushën ushtarake, Ballkani Perëndimorë nuk mund të jetojë pa Gjermaninë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button