S’ka më kufizime të energjisë elektrike në Kosovë, vlerësoi KEDS-i

Kthimi në funksion i blloqeve A3 dhe B2 i termocentraleve të KEK-ut ka bërë që, sipas KEDS-it, të stabilizohet situata e furnizimit me energji dhe të ndalen kufizimet e rrymës, raporton Koha.net.

Megjithatë, KEDS-i ka apeluar për kursim.

“Pavarësisht kësaj, kursimi është i domosdoshëm! Prandaj, ftojmë konsumatorët t’i bashkohen thirrjes sonë për kursim të energjisë sepse çdo kilovat është i rëndësishëm të kursehet duke marrë parasysh krizën energjetike që ka kapluar gjithë botën. Ne në vazhdimësi do ju përcjellim udhëzime praktike se si mund ta kurseni energjinë elektrike dhe ta përdorni racionalisht. Në këto rrethana të vështira, ajo se çfarë na duhet është të jemi të bashkuar për tejkalimin e krizës”, thuhet në reagim të KEDS-it.

Ka përfunduar remonti i rregullt në njësinë prodhuese B2 të termocentralit Kosova B dhe është sanuar problemi i rrjedhjeve të ujit në njësinë A3 të termocentralit Kosova A, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës të enjten, për të treguar se tashmë të dyja po prodhojnë rreth 390 megavatë për orë.

Në njoftimin e KEK-ut thuhet se B2 tashmë po prodhon rreth 260MWh, ndërsa A3 me rreth 130 MWh. KEK-u ka thënë se synon t’i përfundojë remontet e rregullta në njësitë tjera që në fillim të sezonit dimërorë të operojë me nga dy njësi të termocentraleve me kapacitet prej rreth 800MWh.

Siç ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, të katër blloqet që janë në funksion prodhojnë totalisht afër 800MWh.

ME-ja ka thënë se kthimi i dy blloqeve luan rol kyç në përmirësimin e situatës energjetike në vend. Megjithatë sërish ka bërë thirrje për kursim të rrymës.

Ditëve të fundit qytetarët po përballen me mungesë të theksuar të energjisë elektrike. Në arsyetim të KEDS-it është thënë se furnizimi po bëhet vetëm me prodhim vendor e se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button