Nëna e një fëmije me nevoja të veçanta arsimore: Secili 1 shtator është makth për mua

Secili 1 shtator për mua është makth, thotë Suzana Stojanovska, nënë e vetme e një fëmije me nevoja të veçanta arsimore, e cila po përpiqet që djalit të saj t’i sigurojë asistent arsimor. Por, meqenëse aktualisht asistentët arsimorë ofrohen ligjërisht vetëm për nxënësit e arsimit fillor, kurse djali i saj tashmë është në vitin e tretë të arsimit të mesëm, kjo praktikisht nuk është e mundur. Deri në miratimin e ligjit, siç thonë nga MASH, asistentët arsimorë për nxënësit e arsimit të mesëm sigurohen përmes programit për punë të dobishme komunale, të cilin e zbatojnë komunat, Qyteti i Shkupit, MASH dhe MPPS me mbështetjen e UNDP-së, raporton Portalb.mk.

Nëna i ka shkruar një letër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku tregon se që nga fillimi i procesit arsimor të djalit të saj, prej 11 vitesh e kalon të njëjtën golgotë. Siç thotë ajo për Meta.mk, letrën, përveç MASH-it, e ka dërguar edhe në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, në Qeveri dhe në Komitetin e Helsinkit.

Siç thotë ajo, biri i saj e fillon vitin e tretë në Shkollën Shtetërore për Kulturë Fizike “Metodi Mitevski-Brico” në Shkup, që është në grupin e shkollave për të cilat shteti ka interes të veçantë dhe sipas Stojanovskës kjo shkollë nuk është nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit, por të MASH.

“Disa herë jam drejtuar në sektorin kompetent pranë MASH, duke e shpjeguar problemin dhe duke e vënë në pah se përgjegjës nuk është qyteti i Shkupit, por ministria specifike (që të mos më shëtisin nga një institucion në tjetër), por pa sukses. Përgjigjja është se Ligji për arsimin e mesëm ende nuk është miratuar”, thotë Stojanovska në letrën e saj.

Ajo druan se deri në miratimin e Ligjit për Arsimin e Mesëm mund të kalojë periudhë e gjatë dhe pyet nëse kjo do të thotë që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore “duhet të ulen në shtëpi, të mos ndjekin mësimet e rregullta dhe të ndërpresin shkollimin?”

Nëna e nxënësit në vitin e tretë thekson se sipas nenit 26 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe sipas nenit 118 të Kushtetutës së RSM-së, shteti është i detyruar t’i sigurojë nxënësit proces arsimor pa pengesa në përputhje me nevojat e tij.

Gazetarët e Agjencisë së Lajmeve Meta e kanë kontaktuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa prej atje thonë se me miratimin e ligjit të ri për Arsimin e Mesëm, ky shërbim do të përfshihet edhe në shkollat ​​e mesme.

“Me hartimin e Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm, i cili është në procedurë e sipër, shërbimi do të përfshihet edhe në shkollat ​​e mesme, ndërsa ndërkohë për këtë qëllim do të punësohen asistentë arsimorë për nxënësit e shkollave të mesme në shkollat ​​e mesme komunale përmes programit për punë të dobishme komunale, i lidhur ndërmjet komunave, Qytetit të Shkupit, MASH, MTSP-së dhe UNDP-së si financues dhe personi të cilin ju po e tregoni tashmë është i njoftuar”, thuhet në përgjigjen që Meta.mk e ka marrë nga ministria.

Sipas të dhënave të tyre, vitin e kaluar kanë qenë të angazhuar 500 asistentë, ndërsa për vitin e ardhshëm shkollor pritet të angazhohen 720 asistentë.

Nga MASH-i sqarojnë se për angazhimin e asistentit arsimor duhet të sigurohet dokumentacioni i duhur mjekësor, gjegjësisht konfirmimi nga Komisioni për Vlerësimin e Funksionalitetit dhe njoftim deri te shkolla për nevojën e asistentit arsimor.

Ndryshe, në vend ka shoqata që merren me promovimin e fëmijëve me zhvillim jotipik dhe të drejtën e tyre për përparim në arsim, ndërsa ka edhe fëmijë që shtrojnë ambicie dhe aspirata për sukses.

Dy muaj më parë, gjatë Olimpiadës së Shkencës për inovatorë dhe talentë të rinj, të rinjtë e shoqatës “Dozë lumturi” (Doza sreqa) fituan gjithsej 23 medalje të arta nën drejtimin e mentorit Dr. Dragan Jovanov. Meta.mk ka shkruar disa herë për sukseset e të rinjve nga kjo shoqatë si dhe nga ansambli inkluziv i Kolektivit Veternica dhe shoqata Trisomia 21.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button