Shkupi, Prishtina dhe Tirana në protestë për mbrojtjen e vajzave dhe grave: Autoritetet t’i dënojnë dhunuesit (VIDEO)

“Në park shkoj me lujt, jo me u dhunu”, “Dhuna nuk justifikohet”, “Pedofilët në burg të përjetshëm”, “Mos më prek”, “Që mos me i mbrojt vajzat, edukoni djemtë”, “Nuk urrejmë burrat, urrejmë dhunën”, janë vetëm disa nga mbishkrimet në pankartat e protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Protestë kjo kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, e cila erdhi si rezultat i dhunimit seksual të një 11 vjeçareje nga 5 burra në Kosovë, shkruan Portalb.mk.

Në një protesë kundër dhunës, po në mes të ditës dikush sulmoi disa nga organizatorët pak para se të fillojë protesta.

“Me shokun tim Bekimin duke ndenjur, pamë se një djalë i ri afrohej. Ai u afrua edhe e sulmoi Bekimin, vrapova që ta shpëtoj prej sulmit. Mirëpo prej rezistencës time, ai (sulmuesi) mu kthye mua dhe më ra me një grusht, rashë për toke. Pastaj iku”, tha mes tjerash gruaja e sulmuar.

“Deonoconi dhunuesit, e lus shtetin që të funksionojë drejtësia”, porositi ajo.

“Kemi ardhur të protestojmë kundër dhunës, gjysmë ore para se të vini ju këtu, ndodhi përsëri dhuna. Tre nga iniciatorët e kësaj proteste u sulmuan nga individë të panjohur. Ajo që sot ndodhi këtu vetëm se na tregon se ne duhet të protestomë çdo ditë, sepse dhunën e kemi këtu çdo ditë. Të gjithë ne jemi viktima potenciale. Mjaft më”, tha Anita Latifi.

Protestuesit thonë se u bashkohen vajzave dhe grave nga Kosova në thirrjen e tyre drejtuar institucioneve, për marrjen e masave të menjëhershme kundër kriminelëve përgjegjës si dhe për garantimin e mbrojtjes së vajzave dhe grave në të gjitha hapësirat publike.

“Dhuna kundër një vajze, dhuna kundër një gruaje, është dhunë kundër të gjitha vajzave dhe grave”, thonë protestuesit.

“Apelojmë parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen, duke vetëdijesuar popullatën me reagime të formave zyrtare dhe jozyrtare”, tha Agnesa Çavolli.

“Me anë të kësaj proteste kërkojmë që shtetet të risin masat e mbrojtjes dhe sigurisë për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë dhe me dënime më të ashpra të dhunës, legalizimin dhe shpërndarjen e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje, regjistër të pedofilëve, të respektohen konventat ndërkombëtare, me theks të veçantë ajo e Stambollit, trajnim të profesionistëve që punojnë me viktimat, rritje të ndërgjegjësimit për format e dhunës, përfshirja e çështjeve të barazisë gjinore në kurikulat arsimore, bashkëpunim me OJQ-të, mediat dhe sektorin privat për ndërgjegjësim të publikut, krijimin e shërbimeve të specializuara për viktimat dhe fëmijët, institucionet e drejtësisë të ju përgjigjen thirrjeve për ndihmë”, tha mes tjerash Njomza Shaqiri.

Foto: Dorina Ajdini/Portalb.mk
Foto: Dorina Ajdini/Portalb.mk

“Jam këtu për të gjitha vajzat, e gjithë kjo që po ndodh historikisht me neve, jam këtu për gjithçka që duhet të ndërmerret këtu”, tha këngëtarja Tuna.

“Rastet që kanë ndodhur në Kosovë, nuk është se nuk ndodhin te ne. Siguria e vajzave varret nga vetë shteti fillimisht. Duhet të vetëdijesohen institucionet, e para policia pasi ato pranojnë raportimet”, tha Rita Behadini.

“Edhe unë jam burrë, asgjë nuk mundet të më detyrojë të dhunoj dikë, të gjithë ato komentet që i thonë njerëzot se veshja e provokoi, e ka lyp, Ato janë pallavra prej dhunuesve, burrat nuk e bëjnë atë gjë, dhunuesit e bëjnë. Askush nuk ka të drejtë ta prek askë”, tha Fatos Grubi.

“Edukoni “djemtë e mamit” si të sillen me vajzat”, tha Trëndelina Dehari.

“Ne si gra sot kemi vendosur mos të falim më asgjë”, tha një protestuese.

“Asnjëherë mos e mbyllni gojën, çfarë ju ndodh paraqiteni në ligje, në rast se ato nuk funksionojnë, shkoni deri në fund”, tha një protestues.

Për të njëjtin rast sot është protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në ora 12:00. Protesta u thirr nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Qytetarët hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Këshillit Gjyqësor. Protestuesit kërkuan dënimin e të dyshuarve e dhunimit të të miturës. Ngjyrë hodhën edhe në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës

This slideshow requires JavaScript.

Protestë pari në Tiranë filloi në sheshin ”Nënë Tereza” në ora 18:00. Protestuesit kërkuan ndryshime ligjore si dhe   masa të rrepta ndaj dhunuesve, si dhe emrat e tyre të bëhen të njohur për publikun.

Një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona, më 27 gusht, në Prishtinë. Rasti dyshohet se ka ndodhur në një park të qytetit. Ku më pas viktima është dërguar në një strehimore. Aktualisht pesë të dyshuarit për dhunimin e vajzës së mitur janë në paraburgim prej një muaji, tre prej të cilëve janë të mitur. Bëhet fjalë për SH.K, G.R, G.J, XH.S dhe E.R.

Rasti nxiti reagime të shumta, si nga udhëheqësit e institucioneve, ashtu edhe nga opinion publik si në Kosovë po ashtu edhe në rajon.

Brenda një periudhe 5 vjeçare në Kosovë janë ngritur mbi 500 aktakuza nga prokuroria për vepra penale të dhunimeve dhe abuzimeve seksuale.

“Raste të tilla nuk ndodhin vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut”

Profesoresha universitare, Linda Ziberi në mbështetje të protestave thotë se në Maqedoni të Veriut ende dominion frika dhe turpi, ku rastet e tilla rrallë raportohen kurse ata që raportohen fshihen nga familjet, gjykata dhe policia e korruptuar.

“Mos të flasim për gjendjen në të cilën ndodhen mediat tona, ku mungojnë gazetarë që dinë të shkruajnë dhe të raportojnë, si dhe organizatat civile inegzistente, mungesa e hulumtimeve adekuate, etj. Organizata feministe që e ngrejë zërin ekzistojnë vetëm në Shkup, e ata fokusohen kryesisht në popullsinë maqedonase. Me dashje apo pa dashje, problemet e grave shqiptare nuk janë në fokusin e tyre. Hulumtimet bëhen në gjuhën maqedonase, apo në gjuhen angleze, dhe popullata shqipfolëse ngel e pa hulumtuar dhe e pa informuar”, thekson Ziberi.

Nga ana tjetër, nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, ndër të vetmet organizata shqiptare që merren me këta problematika thonë dhuna dhe përdhunimi i grave është prezent në përditshmëri dhe se paraqitja mediatike e këtyre rasteve tregon se sa janë normalizuar, që nuk duhet të jetë ashtu.

“E kur ju ndodhin fëmijëve e kuptojmë se sa serioze si çështje është. Ndonëse në përditshmëri “Mollëkuqja” punon për vetëdijesimin, gjithashtu edhe informimin për këto problematika përmes portalit Mollëkuqja.mk, jo vetëm të njerëzve por edhe institucioneve, të dyja palët duket sikur nuk janë shumë të vëmendshme për të shëruar rrënjët e këtyre problemeve. Gjithsesi, duhet të dalim të gjithë rrugëve dhe të kërkojmë dënime maksimale për dhunuesit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet dhunimi i një tjetër vajze nesër”, thonë nga Mollëkuqja.

Rasti i fundit që u bë publik në vend, ishte pedofili nga Tearca e Tetovës i cili ngacmonte seksualisht dhe kërcënonte vajzën 12 vjeçare nga Kosova, ku më pas i njëjti u arrestua.

Në RMV zyrtarisht ka 294 pedofilë të regjistruar

Në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut, nga numri total i pedofilëve të regjistruar për vepra penale për abuzim seksual të të miturve dhe pedofili, 281 janë burra dhe 13 janë gra.

Regjistri përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për 11 krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ndaj fëmijëve, aty janë të shënuara emri, mbiemri, pseudonimi, datëlindja, adresa e vendbanimit-qëndrimit, krimi për të cilin janë dënuar, masa e dënimit, fillimi, pushimi apo ndryshimi i vuajtjes së dënimit me burg.

Të dhënat e të gjithë të regjistruarve në këtë regjistër publik, pavarësisht nëse ndodhen në burg apo dalin nga burgu pasi ta vuajnë dënimin, mbeten në regjistër, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së popullatës dhe fëmijëve. Pra nëse një person vendoset në këtë regjistër, ai do të jetë aty derisa të jetë gjallë.

Regjistri i Pedofilëve me defekte dhe vetëm në gjuhën maqedonase

Ky regjistër edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën, herë pas here nuk është i qasshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale arsyetohet se faqja me raste bie pasi bëhet përditësimi i së njëjtës.

Të dhënat nga MPB-ja, shqetësuese

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), numri i përgjithshëm i krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual për vitin 20192020 dhe 2021 është 95. Ndërsa për tre-mujorin e parë të këtij viti është 2.

Infografik: Fisnik Xhelili, burimi: MPB
Infografik: Fisnik Xhelili, burimi: MPB

Psikologët alarmojnë se rrjetet sociale kanë krijuar hapësirë të sigurt për pedofilët, ndërsa prindërit duhet të kenë komunikim të vazhdueshëm me fëmijët për këto fenomene.

Opinioni në vend mori një mesazh të fortë për sa i përket kësaj çështjeje pas bërjes publike të skandalit të “Dhomës Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave, ku në mesin e tyre kishte edhe të mitura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button