Lufta kundër krimit financiar dhe ekonomik

Qendra Evropiane e Krimit Financiar dhe Ekonomik ose ndryshe e quajtur si (EFECC), sipas marrëveshjes së themelimit ka për detyrë të bëjë mbështetje operative dhe deri diku strategjike të “Europolit” me qëllim të parandalojë dhe njëkohësisht të luftojë krimin financiar në Bashkimin Evropian (BE). EFECC-ja nuk vepron vetëm brenda unionit, por edhe jashtë dhe kështu e bënë një qendër evropiane dhe rajonale të fuqishme. Për habi, EFECC-ja është themeluar në vitin 2020, dhe për shumë lexues kjo mund të duket si tepër vonë, megjithatë BE-ja edhe para EFECC-së e ka luftuar krimin e organizuar. Konkretisht EFECC ka për objektiv të angazhohet në uljen e kërcënimeve që burimin e kanë në brendi të BE-së dhe atyre jashtë, qoftë nga Ballkani dhe vendet e treta. EFECC nuk fokusohet vetëm tek kërcënimet e sigurisë rajonale dhe globale. Fusha e veprimit të agjencisë përfshinë luftën kundër korrupsionit, skemat e ndryshme tatimore, të pastrimit të parave, falsifikimin e monedhave, etj etj.

Siç bëhet e njohur EFECC-ja gjithashtu ofron mbështetje të madhe për shtetet jashtë BE-së duke bashkëpunuar ngushtë me qendrat inteligjente që luftojnë krimin e organizuar, pra duke filluar nga Ballkani dhe në mbarë botën me organizatat partnere. Ndonjëherë, përveç prej Europolit, EFECC-ja kërkon ndihmë nga agjencitë inteligjente financiare të shteteve jo anëtare dhe po ashtu ofron mbështetje për partnerët e Europolit, shtetet anëtare dhe jo anëtare që kanë të bëjnë me hetime e që lidhen kryesisht me krimin ekonomik.

EFECC drejton shumë projekte rajonale, një ndër ata është ai i “Inteligjencës Financiare të Partneritetit Publik Privat” (EFIPPP). Ky projekt sipas njoftimeve të agjencisë është krijuar në 2017-tën. EFIPPP ka për qëllim të rrisë bashkëpunim ndërkufitar dhe shkëmbimin informacioni midis Europolit, autoriteteve dhe subjekteve bankare. Deri në fund të vitit 2021, EFIPPP ka bashkuar 79 institucione që përfshijnë mbi 18 shtete të BE-së dhe nga shtetet jo anëtare. Përveç agjencive të zbatimit të ligjit, EFECC e gjejmë në bashkëpunim edhe  me Zyrën e Prokurorit Publik Evropian, institucionet e BE-së si: Komisioni Evropian, Parlamenti, Këshilli, organizatat ndërkombëtare etj etj. Për sa i përket strukturës organizative, EFECC-ja ka dy njësi kryesore: “Njësia e Operacioneve” dhe “Njësia e Ekspertizës dhe Menaxhimit të Palëve të Interesit”.

Në ndërkohë, është krijuar “Rrjeti i hetuesve të financimit të terrorizmit”. Në një hetim të koordinuar me “Qendrën e Krimit Financiar dhe Ekonomik të Europolit” (EFECC), është ndërprerë një rrjet i madh i pastrimit të parave gjatë kësaj vere. Sipas shtypit, grupi kriminal kishte mbajtur një sistem bankar paralel duke pastruar qindra miliona dollarë.

Në Maqedoninë e Veriut si vend që është në proces të hapjes së kapitujve me BE-në, kur flitet për korrupsionin dhe krimin e organizuar të të gjitha llojeve, agjencitë e zbatimit të ligjit, gjykatat, policia, prokuroria, drejtoria e të ardhurave publike, e tatimit, policia financiare dhe njësi tjera të forcimi të ligjit, shumë pak punë po bëjnë në ndriçimin e rasteve. Shpeshherë krijohet përshtypja se Maqedonia e Veriut e ka vështirë të bëhet shtet normal me një qeveri që në të vërtetë punon për sundimin e ligjit. Në këtë drejtim, së fundi është krijuar “Zyra e Inteligjencës Financiare” në Shkup kundër krimit të organizuar e cila ka për detyrë të ndjekë krimin financiar dhe të ndërmarrë aksione në koordinim me organet tjera shtetërore. Në vitin 2017 u publikua për herë të parë raporti i qeverisë rreth planeve për të përballuar rreziqet e kohës e quajtur si “Strategjia kombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button