Rruga e “UÇK”-së në Reçicë të Vogël ende e bllokuar si pasojë e vërshimeve (Foto)
Banorët e Reçicës së Vogël në Tetovë ankohen se rruga “101”, e njohur ndryshe si rruga e “UÇK”-së është e bllokuar si pasojë e vërshimeve, ata ankohen se komuna nuk po intervenon në pastrimin e saj. Komuna e Tetovës nuk përgjigjet për këtë rast, shkruan Portalb.mk.
Reshjet e shiut të mbrëmjes të së hënës shkaktuan vërshime në shumë pjesë të Tetovës dhe fshatrave në rrethinë. Prej tyre edhe në fshatin e Reçicë të Vogël.
Sot banorët e këtij fshati ankohen se institucionet kompetente nuk intervenojnë për të pastruar mbetjet të cilat kanë dalë nga vërshimet.
“Te rruga 101 apo e njohur si rruga e UÇK-së në Reçicë të Vogël vërshimet kanë bllokuar rrugën, edhe qytetarët nuk mund të lëvizin. Unë shtëpinë e kam këtu. Përveç natës së parë, intervenim tjtetër nga komuna nuk ka pasur. Kjo është gjendja e sotme”, thotë një banor nga ky rajon.
Për atë se përse nuk po intervenohet në këtë rrugë dhe kur do të bëhet e njëjta, Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.
Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të shtabit të krizës të komunës u miratua vendim që në mesin e rrugëve tjera të ndërhyhet edhe në rrugën e UÇK-së.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot njoftoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme aspak nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës, ku kërkohej ndihmë për rajonet e prekura nga përmbytjet.
Përmbytjet e ditës së diel dhe të hënë shkaktuan dëme të konsiderueshme në qytet, në fshatin Xhermë, Reçicë e Vogël, Poroj si dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës.
Deri dje janë paraqitur përafërsisht 30 qytetarë, të cilëve uji ua ka dëmtuar shtëpitë e tyre.
Ndryshe, të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga përmbytjet dhe kanë nevojë për ndihmë mund të drejtohen në Komunën e Tetovës, përkatësisht në Arkivin e Komunës, nga sot 23.8.2022 (e martë) deri më 26.8.2022 (e premte). Përveç plotësimit të formulimit, pala me vete duhet të ketë: kopje të letërnjoftimit ose të pasaportës, kopje të llogarisë bankare, dëshmi, fotografi nga vendi ku janë shkaktuar dëmet si pasojë e fatkeqësisë natyrore.
- LEXO: Po sanohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet e mbrëmshme në Tetovë, Dollnen dhe Vinicë
- LEXO: Filloi largimi i disa qytetarëve nga shtëpitë e tyre që janë mbushur me ujë, një pjesë e tyre pa energji elektrike
- LEXO: (VIDEO) Vërshime në disa pjesë të Tetovës, ndërsa pjesa më e madhe e fshatit Llazhan është nën ujë
- LEXO: Një pjesë e Maqedonisë së Veriut e përfshirë nga reshjet dhe stuhitë, lëvizja po shkon prej jugut kah veriu, paralajmëroi QMK