Turqi, përleshje në Ankara e Stamboll

Policia turke ka përdorur pasditen e së shtunës gaz lotësjellës për të shpërndarë demonstruesit e mbledhur njëkohësisht në Stamboll dhe Ankara, për 1-vjetorin e protestave anti-qeveritare që morën disa jetë.

Rreth 25 mijë policë ishin vendosur në Sheshin Taksim të Stambollit, epiqendër e manifestimeve të vitit të kaluar.

Kryeministri Recep Tayip Erdogan më herët u kishte bërë thirrje të rinjve të mos bashkoheshin për protesta, por duket se ata e kanë shpërfillur paralajmërimin e tij.

Përleshjet shpërthyen fillimisht në Stamboll pasi protestuesit marshuan drejt Sheshit Taksim, pavarësisht urdhër-ndalimit të qeverisë.

Forca policie, topa me ujë dhe autoblinda ishin vendosur për të bllokuar aksesin drejt sheshit, që ndodhet pranë Parkut Gezi. Një numër protestuesish raportohet të jenë arrestuar. Ndërkohë, forcat e sigurisë qëlluan gaz lotësjellës demonstruesve të mbledhur në qendër të Ankarasë.

Më herët gjatë ditës policia në Stamboll rrahu dhe më pas arrestoi një gazetar të CNN gjatë një transmetimi live nga sheshi. Pak orë më vonë, Ivan Watson njoftoi në profilin e tij në Twitter se ai dhe ekipi i tij ishin liruar një orë e gjysmë më vonë.

Protestat kundër planeve për rindërtimin e Parkut Gezi në Stamboll u kthyen në protesta masive kundër kryeministrit Erdogan vitin e kaluar, pas një përgjigjeje me dorë të hekurt të policisë. Një numër personash mbetën të vrarë gjatë trazirave, ndërsa mijëra të tjerë të plagosur. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button