Medalje e artë për Mila Reljiq në garën ndërkombëtare taekwondo në Izrael
Sukses të jashtëzakonshëm sportiv, arriti nëntëmbëdhjetë vjeçarja Mila Reljiq nga klubi taekwondo “Tigri” nga Shkupi. Ajo në fundjavë fitoi medaljen e artë në konkurrencën e femrave seniore (62 kg) në garën ndërkombëtare të taekwondo-së “Wiener Israel Open” nga seria G2 e garave ndërkombëtare botërore, transmeton Portalb.mk.
“Në garë morën pjesë më shumë se 270 konkurrentë nga 25 vende të botës, përfshirë SHBA-në, Korenë, Indinë, Brazilin, Spanjën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe. Në kategorinë e saj, seniore, në luftën për medaljen e artë, Mila mposhti përfaqësuesen e Izraelit, Naama Binenstock dhe në ndeshjen finale me dominim mposhti medalisten e bronztë të Lojërave të fundit Panamerikane, përfaqësuesen e Ekuadorit Mel Mina”, njofton trajneri Aleksandar Eftimov.
Ai thotë se kjo është medalja e parë e artë për Milën, e cila pas fitimit të medaljes së bronztë në Zagreb në qershor të këtij viti dëshmoi klasin e saj botëror.
Eftimov paralajmëron edhe suksese të reja për Milën, pasi po vjen kampionati evropian për klube, i cili do të zgjasë nga 22 deri më 26 gusht në Talin të Estonisë, pastaj Kampionatin evropian për të rinj deri në 21 vjeç, i cili do të zhvillohet në fund të shtatorit në Shqipëria, dhe po ashtu ai shpreson për sukses në kampionatin botëror që do të mbahet në nëntor në Meksikë.