Belgjika tërhoqi nga shitja akullore tjera të Haagen-Dazs, përmbajnë stubstanca kancerogjene
Belgjika zgjati dje urdhërin për tërheqjen nga tregu të disa akulloreve Haagen-Dazs pas zbulimit të gjurmëve të një kimikati të lidhur me kancerin, si limfoma dhe leucemia, raporton Euractiv.
Masa u shkaktua nga një alarm i BE-së për sigurinë ushqimore dhe Spanja dhe Franca kanë lëshuar gjithashtu tërheqjen e disa produkteve Haagen-Dazs.
Pasi tërhoqi tashmë 10 produkte të premten e kaluar, agjencia kombëtare belge e ushqimit të shëndetshëm, të martën në listë shtoi edhe shtatë produkte të tjera Haagen-Dazs.
Lëvizja e fundit ka të bëjë me vaskat dhe minikupat e prodhuara nga Haagen-Dazs, markë në pronësi të prodhuesit amerikan General Mills, me data të përdorimit midis marsit dhe prillit 2023, me shije duke përfshirë vaniljen, çokollatën belge, Macadamia Nut Brittle dhe Pralines & Cream.
Klientëve që kishin blerë produkte Haagen-Dazs të prekur nga tërheqjet, iu tha që të mos i hanin, t’i asgjësonin dhe të kontaktonin General Mills për rimbursim.
Alarmi u transmetua në sistemin e alarmit të shpejtë të BE-së për ushqimin dhe ushqyerjen me kërkesë të Francës, e cila muajin e kaluar zbuloi 2-kloroetanol në kontrollet në disa produkte Haagen-Dazs, duke shkaktuar tërheqjen fillestare.
2-Kloroetanoli është përbërës që gjendet në oksidin e etilenit (ETO), një kimikat kancerogjen që përdoret si pesticid dhe kimikat pastrimi dhe ka veti që dëmtojnë ADN-në.
General Mills javën e kaluar tha se “nivelet e gjurmëve të ETO mund të jenë burim i një përbërësi (ekstrat vanilje) të ofruar nga një prej furnizuesve tanë”.
Jashtë BE-së, agjencia e monitorimit të shëndetit ANVISA të Brazilit muajin e kaluar lëshoi alarmin mbi produktet e vaniljes Haagen-Dazs të importuara nga Franca.
Pavarësisht nga emri i saj, Haagen-Dazs nuk ka origjinë nordike. Ajo u themelua nga një çift polako-hebre në Nju Jork, të cilët i dhanë një brend që menduan se tingëllon si danez.