RMV, gjuha e urrejtjes do të gjykohet vetëm në format më të rënda

Gjuha e urrejtjes nuk do të jetë nën juridiksionin e diplomacisë, por vetëm institucionet kompetente do të vlerësojnë se çfarë është gjuhë e urrejtjes dhe në raste të tilla do të veprojnë sipas ligjeve, ndërsa kjo vepër nuk duhet të lidhet vetëm me Bullgarinë, shpjegojnë këto ditë ministrat përgjegjës për punë të jashtme Bujar Osmani dhe për drejtësi Nikolla Tupançevski në lidhje me atë se kush do të vëzhgojë, vlerësojë dhe ndëshkojë për këtë vepër, transmeton Portalb.mk.

Kohët e fundit janë bërë ndryshime në Kodin Penal dhe në pjesën e urrejtjes u edhe urrejtja “në bazë të ligjit apo marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar”, ndërsa lufta kundër gjuhës së urrejtjes është ndër segmentet kryesore të protokollit dypalësh të nënshkruar së fundmi nga Shkupi dhe Sofja, e cila, nga ana tjetër, ishte kusht që Bullgaria të hiqte veton në Bruksel për negociatat e Maqedonisë për anëtarësim në BE.

Në publik po debatohet shumë për rregullimin e ardhshëm të “gjuhës së urrejtjes”, me theks më të madh në dënimin e mundshëm të qytetarëve në kushte të një debati të ashpër se kush i tradhtoi dhe kush i ruajti interesat kombëtare maqedonase duke pranuar një pjesë të madhe të kushteve bullgare, të nxitura nga mohimi kategorik i gjuhës maqedonase nga Sofja zyrtare. Ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet të ketë censurë sepse është e ndaluar me Kushtetutë dhe se dispozitat e Protokollit lënë hapësirë ​​për interpretim të lirë të gjuhës së urrejtjes.

Tupançevski: Protokolli është abstrakt, ligjet janë të qarta

Ministri Osmani është kategorik se Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë dhe Bullgarisë vetëm do të mbledhë informacione për këto akte dhe do të ketë kontakte për të shkëmbyer informacione me kërkesë të palës tjetër. Ndërsa ministri Tupançevski thotë se kushdo që beson se ka elemente të gjuhës së urrejtjes në tekst apo diku tjetër, mund të paraqesë kallëzim penal, por për këtë do të vendosin vetëm institucionet.

Tupançevski siguron se ndryshimet në Kodin Penal (KP) nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet maqedono-bullgare, por janë rezultat i disa standardeve ndërkombëtare që rrjedhin nga përkufizimi i termit urrejtje.

“Ne kemi legjislacionin tonë kombëtar ku e kemi përcaktuar saktësisht termin gjuhë urrejtjeje ose sintagmën gjuhë urrejtjeje. Kjo do të thotë se nëse ka shkelje të asaj që quhet e drejtë pozitive, atëherë do të flasim për gjuhën e urrejtjes pa asnjë element apo segment shtesë. Përkufizimi ynë për gjuhën e urrejtjes, e cila është vepër penale predikative për disa forma më të rënda të krimeve, është pozicionuar në bazë të standardeve të mirëpërcaktuara evropiane, kështu që pavarësisht situatave specifike, marrëveshja dypalëshe është mjaft abstrakte në atë sferë, ne kemi rregullativë kombëtare. Nëse i përmbahemi, praktikisht do të arrijmë qëllimin e dëshiruar, që gjuhën e urrejtjes të mos e lidhim gjithmonë me Bullgarinë, por t’i japim një kuptim pak më të gjerë”, tha ministri Tupançevski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se ndryshimi i fundit i KP në nenin 426, i cili i referohet nxitjes së urrejtjes, përçarjes apo intolerancës në baza diskriminuese kombëtare, racore, fetare dhe të tjera, nuk mund të lidhet me protokollin dypalësh.

“Praktikisht nuk ka asnjë vazhdimësi apo asnjë lidhje midis ndryshimeve, gjegjësisht Kodi i ri Penal dhe versioni i tij i parë, me zhvillimet aktuale në vendin tonë. Për dy vjet e gjysmë, përkatësisht tre vjet, kemi punuar në këtë draft version fillestar që është futur në sistemin ENER, dhe të gjitha ndryshimet dhe shtesat në KP aktual janë bërë në bazë të standardeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale”, thotë ministri i Drejtësisë.

Kodi penal është mjeti i fundit

Dispozitat e Protokollit në lidhje me gjuhën e urrejtjes janë shumë të përgjithshme, andaj i pyetur se cila do të jetë procedura konkrete ligjore në rast se dikush nga Bullgaria trego gjuhë urrejtjeje, Tupançevski thotë se do të ketë reagim vetëm në atë pjesë në të cilën ka shkelje flagrante të normave.

“Ekziston Kod Penal që është “ultima ratio”, pra mjeti i fundit me të cilin me të cilin përgjigjet për ato forma të rënda të gjuhës së urrejtjes, pra aktet e urrejtjes. Është reagimi i fundit shoqëror në vendin tonë kur bëhet fjalë për urrejtjen. Mekanizmi apo mjeti i dytë është Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin nga diskriminimi, i cili parasheh edhe dispozita, përkatësisht norma. Ne do të reagojmë absolutisht vetëm në atë pjesë kur të kemi shkelje flagrante të normave kombëtare”, sqaron ministri.

Në Protokollin dypalësh parashihet që MPJ e Maqedonisë dhe Bullgarisë të kenë obligim të identifikojnë dhe të marrin masa kundër gjuhës së urrejtjes.

“Të dy shtetet, përmes kanaleve diplomatike ndërmjet ministrive të punëve të jashtme, vazhdojnë të shkëmbejnë informacione në lidhje me gjuhën e urrejtjes, mbishkrimet dhe tabelat e identifikuara në ndërtesat dhe monumentet publike, në tekstet shkollore dhe materialet mësimore, si dhe në hapësirën publike në territorin e shtetin tjetër dhe të informojë brenda një afati të arsyeshëm marrjen e masave nga shteti përkatës për heqjen e menjëhershme të rasteve të evidentuara të gjuhës së urrejtjes”, thuhet në Protokoll.

Është paraparë edhe që shtetet të marrin masa efektive për parandalimin e propagandës keqdashëse nga institucionet dhe agjencitë. Gjithashtu, të dyja vendet duhet të garantojnë financimin shtetëror të librave të rinj, dokumentarëve, filmave etj., ku kushdo që merr para nga shteti do të bëjë deklaratë detyruese për mospranimin e të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes.

Pas nënshkrimit të Protokollit kontrovers, ministri Osmani sqaroi se nëse ministritë shohin se dikush provokon qëllimisht, do t’i informojnë institucionet kompetente sepse, siç tha ai, “askush nuk duhet të mbështesë gjuhën e urrejtjes, as ata ndaj nesh e as ne ndaj tyre” dhe se është në interes të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

.Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Në Samitin e fundit të BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button