Nishani dhe Berisha: Kini qetësi dhe maturi!

Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Sali Berisha, të cilët kanë kryer votimin, kanë ftuar shqiptarët që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi duke dalur pasivisht në votime, transmetojnë mediat shqiptare.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka votuar në orën 10.00 qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Cajupi” , shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë.

Për presidentin e vendit, kjo është një dite tërësisht e qytetarëve.

“Ftoj shqiptarët të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile duke votuar masivisht, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore, duke respektuar rendin në gjithë vendin e qendrat e votimit” tha Nishani.

Ai ne mënyrë të veçantë ka uruar ata që votojnë për herë të parë, duke thënë se ata në familje kane një votues për herë të parë, djalin.

“U them, paçin dorën e mbarë për fatet e vendit”, tha Nishani.

Ai ka uruar që të mos shënohen incidente. “U bëj apel qytetarëve dhe u kujtoj që partitë dhe ideologjitë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është një. Qetësi, maturi, ne votojmë për parti të ndryshme por jemi të gjithë një, shqiptarë”, tha ai

Kryeministri Sali Berisha ishte i pari ndër politikanët shqiptarë që votoi në këtë ditë zgjedhjesh. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, Kryeministri ftoi të gjithë votuesit që të marrin pjesë në proces, ndërsa siguroi se vota e çdo qytetari do të respektohet plotësisht.

“Ftoj të gjithë shqiptarët që të votojnë sepse këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë. Uroj ata që votojnë për herë të parë, si dhe falënderoj emigrantët që kanë ardhur në Atdhe për të ushtruar këtë të drejtë”, tha Berisha.

Kryeministri bëri thirrje për çdo anëtar partie, çdo simpatizant dhe mbështetës që ta shndërrojnë këtë ditë në një ditë feste dhe mirëkuptimi.

Këtë mesazh Berisha e dha, në një kohë kur në Laç është regjistruar një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një përkrahësi të LSI dhe plagosjen e një kandidati të Partisë Demokratike.

“Ende nuk kam marrë informacionin e duhur për këtë incident, por do të bëj një prononcim tjetër pasi të marr informacionin e plotë”, tha Berisha. 

Lajme të ngjashme

Back to top button