Republika e Maqedonisë së Veriut e filloi procesin e skriningut shpjegues në Bruksel
Në kuadër të vizitës historike në Bruksel, sot, 19 korrik 2022, kur zyrtarisht Maqedonia e Veriut i hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani kishte fjalim hyrës në takimin inaugurues për procesin e skriningut.
Duke iu referuar fillimit të shumëpritur të negociatave, Osmani theksoi se sot e fillojmë fazën finale të rrugës sonë eurointegruese për realizimin e qëllimit të përbashkët – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Rruga e deritanishme nuk ishte aspak e lehtë, por sot nuk do të kthehemi pas në të kaluarën, por vështrimi ynë është kthyer kah e ardhmja dhe detyrat të cilat duhet t’i plotësojmë gjatë procesit negocioues. Përfundimisht, nga pozicioni fillestar ne po nisim garën dhe tani e tutje do të varet nga forcat tona dhe aftësitë tona – t’i mobilizojmë të gjitha resurset tona njerëzore dhe me përkushtim të punojmë deri në përmbushjen e kushteve të nevojshme për të hyrë në familjen evropiane, të cilës i përkasim për nga civilizimi, vlerat dhe kultura” tha Osmani.
Osmani falënderoi Komisionin Evropian për angazhimin e tij të vlefshëm, duke i siguruar se ekipi ynë negocioues është i përgatitur dhe me padurim pret që të vazhdojë me skriningun, e secilit prej kapitujve në kuadër të klastereve.
Me këtë rast, ministri Osmani u uroi qytetarëve hapjen e negociatave dhe iu falënderua të gjithë punonjësve në administratë, por edhe në sektorin civil, të cilët kanë punuar me shumë zell dhe përkushtim ndër vite për arritjen e prioritetit bazë të politikës së jashtme të vendit tonë.
Sipas agjendës së sotme të delegacionit qeveritar, takimi për fillimin e procesit të skriningut filloi pasdite në Bruksel. Në këtë takim për skrining fjalën hyrëse dhe shpjegimin e qëndrimeve të shtetit e ka pasur zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane – Bojan Mariçiq.
Skriningu do të përbëhet nga dy nënfaza ose procese. Një nga proceset është një skrining shpjegues, gjatë të cilit Komisioni Evropian do të përditësojë ligjin përkatës të BE-së, duke qenë se kanë kaluar disa vite nga mbajtja e takimeve fillestare shpjeguese dhe njëkohësisht do të zhvillohet një proces tjetër shqyrtimi dypalësh.
Nëpërmjet procesit dypalësh, vendi do të duhet të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me ligjin e BE-së dhe planet për përputhshmëri të mëtejshme, duke ndërtuar kapacitete institucionale dhe administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.
Këto procese do të zbatohen në një periudhë që do të zgjasë të paktën një vit dhe sipas Metodologjisë së re në nivel klasterësh.
Kalendari për zbatimin e skriningut do të definohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian.
LEXO: Pas 17 vitesh, Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet qasëse me BE-në
Sot në Bruksel u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase lexoi fjalën hyrëse. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.