Spasovski nuk pret sulm ndaj Kuvendit nesër, përshëndeti frymën demokratike të protestave të ditëve të fundit

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski përshëndeti frymën demokratike të protestave të ditëve të fundit dhe u përgjigj se nuk pret që Kuvendi të sulmohet nesër si më 27 prill 2017, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Për nesër është caktuar seanca parlamentare në të cilën do të shqyrtohet Informata e qeverisë për përmbajtjen e kornizës Propozimin-negociues për negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë në BE, të propozuar më 30 qershor nga Presidenca franceze. Prej nëntë ditësh qytetarët protestojnë kundër propozimit për heqjen e vetos së Bullgarisë, të paraqitur nga Franca dhe në ditët e para të protestave u plagosën 54 policë, 11 prej tyre me lëndime më të rënda.

“Nuk dua të bëj një korrelacion me 27 Prillin 2017, me atë ditë të zezë për demokracinë tonë. Përkundrazi, mirëpres frymën demokratike të protestave të ditëve të fundit dhe prandaj pres që protestat në kohën e seancës së nesërme parlamentare të jenë në atë frymë. Parlamenti është vendi i debatit demokratik, ku paraqiten të gjitha pikëpamjet dhe mosmarrëveshjet. Sido që të jetë, MPB është e gatshme ta sigurojë atë debat sa më shumë në Kuvend, por edhe jashtë tij”, u përgjigj Spasovski në pyetjen gazetareske nëse pret të përsëritet nesër skenari i njëjtë si në 27 prill të 5 viteve më parë.

Megjithatë, ai tha se Ministria merr informacione për aktivitetet dhe strategjitë për nesër, nga individë të organizatorëve, por sipas informacioneve merr masa.

Spasovski krahasoi se në 9 ditë protesta janë lënduar 54 policë, prej të cilëve 11 janë lënduar rëndë (dy në spital), ndërsa në protestat e Revolucionit Laraman u lënduan 13 me lëndime të lehta.

Kujtojmë se opozita maqedonase VMRO-Levica mbi një javë protestojnë kundër propozimit francez, madje pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button