Protesta e nëntë antievropiane kaloi pa incidente, forca të shtuara të policisë pranë “Skënderbeut”

Protestuesit të cilët po protestojnë kundër “propozimit francez” nën organizimin e VMRO-DPMNE dhe Levica, sonte janë rikthyer në rutën e vjetër të protestës, nga para Qeverisë te Ministria e Punëve të Jashtme, më pas para Parlamentit, njofton Portalb.mk.

Për dallim prej herës së kaluar, kur pranë sheshit “Skënderbeu”, një grup protestuesish maqedonas u përplasën me një grup tjetër shqiptarë, sot nuk pati incident. Protesta e mbrëmjes së sotme, e nënta me radhë, kaloi në atmosferë të qetë, por vërehej prania e shtuar e policisë pranë “Skënderbeut”.

Protestuesit janë kundër pranimit eventual të “propozimit francez”, i cili duhet të çojë në heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave për hyrjen e RMV-së në BE. Nën moton “Ultimatum, jo ​​faleminderit” dhe “Nuk negociojmë me fashistët”, të pranishmit dolën për të thënë “jo”, siç thonë ata, bullgarizimit të Maqedonisë së Veriut.

Por, këtë pretendim, autoritetet e shtetit kategorikisht e demantojnë duke theksuar se protesta është për qëllime politike dhe se pranimi i propozimit francez nuk e cenon identiteti dhe gjuhën.

Të premten, në vend të marshit të zakonshëm, janë organizuar bllokada në Shkup pranë Qeverisë, si dhe në rrugët Shtip – Veles, Strumicë – Radovish dhe Pletvar – Prilep.

Gjatë vikendit nuk është mbajtur protestë për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button