SAJUESIT E “TOKAVE TË SHENJTA”

Maqedonia ishte në qendër të vëmendjes kur serbët kremtuan 500 vjetorin e Betejës së Kosovës, në vitin 1889. Mbreti trembëdhjetë vjeçar serb e përfaqësonte edhe Maqedoninë. Mitropoliti i Beogradit Mihaili, ndonëse i rënduar nga pesha e pleqërisë, mbajti fjalim të zjarrtë para turmës dhe ngriti dolli duke thënë: “Dashtë i Plotfuqishmi që kjo festë një ditë të kremtohet edhe në Maqedoni”.

Kështu e përshkruan kremten autori bullgar Dimitar Spirov në librin Maqedonia dhe mëtuesit e saj (1890).

Një shekull më vonë, pra në vitin 1989, në qendër të vëmendjes ishte Kosova. Serbia ishte e njëjta. Priftërinjtë u shfaqën si para një shekulli.

Elitat serbe e kanë shfrytëzuar betejën gati mitike për të shpallur “toka të shenjta serbe”. Tani Vidovdanin e kanë zhvendosur në Bosnjë, në Republikën Serpska.

Miti mbi Betejën e Kosovës u afirmua nga Kisha Ortodokse Serbe. Ajo e kombëtarizoi fenë nëpërmjet ideologjisë së “Shënsavizmit” (Svetisavlje).

Ky mit e ka ushqyer edhe letërsinë serbe. Shkrimtarët serbë e paraqitën dhe e paraqesin Kosovën si Axis Mundi – si “qendër e botës serbe”, si “tokë e sakralizuar”. Mirçea Eliade shkruan se për njeriun religjioz çdo botë është sakrale. Për të qenë “bota jonë” ajo duhet që të sakralizohet.

Elitat serbe, për këtë qëllim, Fushën e Kosovës e quajtën “vend i shenjtë”. Knjaz Llazari u krahasua me Krishtin, Brankoviqi me Judën, Jugoviqët me dishepujt e Krishtit, kurse populli serb u quajt “populli i zgjedhur” që luftonte për “Mbretërinë Qiellore”.

Në mitizimin e betejës dhe demonizimin e shqiptarëve morën pjesë edhe poetët serbë. Poeti Milan Rakiqi (1876 – 1938) i akuzoi shqiptarët se ia kishin dëmtuar sytë ikonës së Simonidës.

“T’i nxorën sytë e bukura pikturë! / Një natë shqiptari, i mbrojtur nga terri / Në kishën e vjetër aty mbi mur / Me maje të thikës të dy sytë t`i theri” (Vargjet janë përkthyer nga Mark Kraniqi).

Poeti Vasko Popa (1922 – 1991) e quajti Fushën e Kosovës si “qiellore” dhe të  “shenjtë”, “ku bozhuret arrijnë deri në qiell”. (“Fushë si asnjë tjetër / Mbi të qiell / Nën të qiell”.)

Desanka Maksimoviqi (1898 – 1993), e quajtura “princesha e poezisë serbe”, në poezinë “Bisedë me Kosovën“, shkruan: “Askush s’të vajton, Kosovë / për përçmimin dhe kobin tënd /Askush s’të merr në mbrojtje… / Askush s’të qan veç pasardhësve.” Pasardhësit, sipas saj, janë serbët. Kjo poete ishte edhe autore e parathënies së librit Vitet e shthurjes të Slobodan Millosheviqit, ku tiranin e quajti “kalorës mesjetar dhe shpëtimtar i kombit serb”.

“Millosheviqi e dëshiron shpirtërisht që populli ynë mos jetë më i etur pranë ujit, i paditur pranë shkencës, i varfër në tokën e pasur, i prapambetur përballë përparimit në Europë. Kësi ndikimi të madh te njerëzit, te rinia, te kombi mund të ketë vetëm njeriu me një fuqi të madhe karizmatike”, ka shkruar ajo. 

Për Matija Beqkoviqin “Kosova është fjala më e shtrenjtë serbe”, “fusha ku poezia triumfoi mbi historinë, ku historia u nda nga poezia, ku poezia u bë mbihistorike dhe art i besimit”.

Sipas poetit Veselin Pavlloviq, Kosovën mund ta ndanin në dy pjesë, por “Kosmeti do të jetë te njëra pjesë e zemrës” së serbëve.

Dragan Millashinoviqi e quajti Kosovën “vend i shenjtë” që rrezikohej nga “të tjerët”. (“Ata qeshin, vdesin Ne”… / “Ne jemi historia” etj.). “Ata” janë shqiptarët.

Poeti Bllagoja Çobotin, në poezinë “Borxhi i shenjtë“, i krahasoi shqiptarët me bijtë e Kainit që, sipas tij, i martirizonin ortodoksët.

Goran Stevanoviqi e quajti Kosovën “altar serb” dhe “jeta e serbëve”.

Zdravko Krstanoviq i akuzoi shqiptarët si “shkatërrues të varreve” në Fushën e Kosovës, e cila, gjithnjë sipas tij, nuk u takonte “gjakësorëve”. (“Kosovën nuk mund ta marrësh / Kushdo që të jesh…”).

Milan Komneniq, në poezinë “Fqinjët“, shprehu shovinizëm të hapur. Ai tha se kishte frikë se shqiptarët (në të cilët aludon) mund të ishin fqinj me serbët edhe në botën tjetër.

Të njëjtin qëndrim e shprehu shkrimtari Vuk Drashkoviq.

“E gjithë bota pyet se çfarë do të bëhet me Kosovën? Pyetja nuk duhet të parashtrohet: çfarë do të bëhet me Kosovën, por çfarë do të bëhet me ne. Nëse mund të ketë lumenj pa burime, bimë pa rrënjë ose shtëpi pa themele, atëherë mund të ketë Serbi dhe serbë pa Kosovën. Atje ka lindur dhe është krijuar gjithçka që na bën komb dhe shtet […] Ashtu sikurse nuk ka të krishterë pa Krisht, po ashtu nuk ka serbë pa Kosovën. Ajo është Jerusalemi ynë, Mali ynë i Sinait, muri ynë i vajtimit, Golgota jonë e përhershme ku jemi kryqëzuar dhe jemi ringjallur. Serbët përgjatë shekujve, edhe kur nuk ishte Serbia, ngroheshin me kujtimin për Kosovën dhe mbijetuan si komb vetëm falë Kosovës, të cilën e mbartën në zemrat e tyre. Kosova është pasqyra jonë […] Sot Kosova është dhembja më e madhe dhe më e gjithëpranishme e serbëve. Është hidhërimi që e përtypin e që duhet të na bëhet ilaç […] Kosova do të na lartësojë kur do ta kuptojmë ku kemi rënë dhe pse kemi rënë”.

Këtë mit provuan ta “çmontojnë” disa intelektualë serbë. Historiania Dubravka Stojanoviq tha se miti i mban serbët të ngrirë në kohën epike, në vitin 1389, prandaj nuk arrijnë ta lexojnë kohën e sotme. Sipas saj, çdo regjim dhe ideologji në Serbi manipuloi me këtë mit. Ndërkaq, antropologu Ivan Çoloviq, në librin Vdekja në Fushë Kosovë, shkruan se miti pësoi ndryshime përgjatë shekujve dhe u “kombëtarizua” për qëllime politike. Serbia, sipas tij, jeton me mitin për “Serbinë qiellore” dhe refuzon të bëhet “Serbi tokësore” sepse i frikësohet europianizimit dhe nuk dëshiron të distancohet nga krimet.

Projekti nacionalist dhe ekspansionist serb kaherë është kundërshtuar nga Danilo Kishi, shkrimtari më i sulmuar në ish – Jugosllavi. Ai iu kundërvu nacionalizmit serb, veçanërisht Dobrica Qosiqit, të cilin e ironizoi në poezinë “Poeti revolucionar në anijen e presidentit”. Ky projekt u kundërshtua nga shkrimtari dhe filozofi Radomir Konstandinoviqi. Ai kërkoi një “Serbi tjetër që nuk do të pajtohej me krimin”. Shkrimtari dhe arkitekti Bogdan Bogdanoviqi u kërkoi ndjesë shqiptarëve për krimet e shtetit serb etj. Këta ende janë të padëshirueshëm në Serbi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button