Baerbock: Të përshpejtohen negociatat e Ballkanit Perëndimor me BE-në

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock konsideron që diskutimi për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohet, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Nuk duhet humbur më kohë në përpjekjet për integrim dhe harmonizim, tha Baerbock të premten, pas bisedimeve në Berlin me homologen e saj sllovene Tanja Fajon.

“Në Ballkan nuk duhet të krijohet asgjë ku Rusia apo aktorë të tjerë mund të vendosen”, tha Baerbock.

Përveç Rusisë, ndikim më të madh në Ballkanin Perëndimor po kërkon Kina..

“Ballkani Perëndimor është gjeografikisht në mes të BE-së. Duhet që përfundimisht t’i sjellim njerëzit e Ballkanit Perëndimor në qendrën tonë politike”, kërkoi Baerbock.

Sipas ministres gjermane, Bashkimi Evropian duhet të kishte mbajtur premtimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Është në interesin tonë strategjik dhe gjithashtu një çështje e besueshmërisë”.

Negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë për anëtarësim në BE, janë duke vazhduar.

Ndryshe, sot Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button