Bulevardi “Bllagoja Toska”, Kasami: Nuk janë ndërprerë punimet, kanë dalë disa probleme të paparashikuara

Vazhdimi i punimeve në Bulevardin “Bllagoja Toska” filloi në mes të muajit maj, ndërkaq i pyetur se pse janë ndërprerë të njëjtat këto ditë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami njoftoi se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të punimeve, por se aty kanë dalë punë të paparashikuara të cilat do të rregullohen ditëve në vijim, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se gjatë punës në vazhdimin e këtij bulevardi kanë dalë shumë punë të paparashikuara por që do vazhdohet me intensitet më të lartë këto ditë.

“Ka dalë një kabllo e largpërçuesit të rrymës elektrike e cila nuk ka qenë e paralajmëruar nga EVN se është aty, kur kanë filluar me punë ka dalë aty, veç më jemi marrë vesh me EVN për dislokimin e asaj. Ka dalë një gyp i ujit i cili gjithashtu duhet të dislokohet në trotuar dhe veç më është duke u dislokuar, pra në bazë ditore aty intervenohet dhe njëherësh edhe kompania bën përgatitjen e punëve për të vazhduar me intensitet më të lartë në ditët në vijim”, theksoi Bilall Kasami.

Ndërkaq për çështjet e pronave ai tha se janë zgjidhur.

“Domethënë veç më jemi marrë vesh, shtëpia është prishur si e dini. Nuk ka probleme shtesë sa i përket eksproprijimit, me ato që ka pasur janë zgjidhur, paratë u janë lëshuar në llogari aty ku mund të lëshojmë. Në pjesën tjetër ku është me vendim të gjykatës, presim vendimin e gjykatës që të mund t’i deponojmë mjetet ku do na e thotë gjykata, çështjet janë të zgjidhura dhe vazhdohet me dinamikën të cilën e kemi paraparë.  Procesi gjyqësor është mbyllur, presim nga gjykata që të përcaktojë deponimin e parave, është 70 mijë euro e vlerësuar”, bëri të ditur Kasami.

“Bllagoja Toska” në Tetovë (18 maj 2022), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
“Bllagoja Toska” në Tetovë (18 maj 2022), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rikujtojmë që tani më ish këshilltarët komunal nga BDI kritikuan udhëheqësinë aktuale se merr meritat e këtij projekti i cili u  fitua nga udhëheqësia paraprake e komunës.

Punimet për vazhdimin e bulevardit filluan me 16 maj nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e kaluar, tek ura nën spitalin e qytetit dhe që u la në gjysmë.

Sipas dinamikës së paraparë punimet pritet të përfundojnë në muajin shtator-tetor.

Investitor në këtë projekt është Qeveria e RMV-së, ndërsa financohet nga TAV. Punimet në këtë Bulevard i realizon Kompania NB, kurse Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës.

Bulevardi çdo herë premtohet para zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button