Festivali Anibar i filmit përpara fillimit të tij zbarkoi edhe në Tetovë (FOTO)
Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” i cili mbahet në Pejë, këtë vit shënon edicionin e trembëdhjetë. Përpara se të fillojë festivali, stafi i tij udhëtojnë nëpër qytetet shqip-folëse për të prezantuar atë përpara të rinjve. Mbrëmë “Anibar” zbarkoi në Tetovë në hapësirat e Social Cultural Space, ku të rinjtë e këtij qyteti u njoftuan nga afër me festivalin dhe patën mundësi të shohin disa prej filmave të cilët do të shfaqen në festival, shkruan Portalb.mk.
Festivali këtë vit do të mbahet nga 13 deri më 19 korrik. Organizatorët për Portalb.mk thonë se duke marrë parasysh situatën si ka qenë me pandeminë, këtë vit rikthehen komplet fizikisht në qytetin e Pejës.
“Si çdo vit edhe sivjet kemi një program shumë të pasur ku për këtë vit kemi edhe kategorinë të filmave për fëmijë, e cila është kategori garuese që nuk ka qenë vitet paraprake”, thanë organizatorët.
Festivali për çdo vjet ka përzgjedhur një temë specifike për ta trajtuar gjatë edicionit, kjo ka filluar prej edicionit të vitit 2015, ku tema ishte ishte Reclaim the city, për arsyen se kinemaja që është në qytetin e Pejës ka pasur të privatizohet dhe për këtë arsye është bërë një peticion dhe edicioni i atij ishte lidhur me Reclaim the city, ku kinemanë tani e ka festivali dhe organizata Anibar në shfrytëzim.
Tema e këtij viti është rreth besëtytnive, ku filmat e animuar do të sillen rreth këtij fenomeni.
“Gjatë tërë javës të festivalit kemi deri 300 filma animacion të cilat shfaqen në katër kinema, dy të hapura dhe dy të mbyllura. Përveç filmave kemi edhe workshope të ndryshme ku pjesëmarrësit mësohen si të bëjnë animacione dhe teknika të ndryshme. Kemi edhe panele diskutimi rreth animacioneve dhe temës së vitit, ku për këtë vit është tema e besëtytnive. Kemi party, kemi shtatë kategori garuese në të cilat shfaqen filmat”, thonë nga stafi i Festivalit.
Organizatorët thonë se vizita në Tetovë ishte pikërisht për t’i informuar të rinjtë të cilët janë të interesuar për festivalin dhe për t’i tërhequr të rinjtë drejt filmit. Ndërkaq, ato rekomandojnë që të rinjtë të shkojnë në festival, pasi i njëjti u ofron përfitime të shumta.
“Së pari është për shkak të animacioneve ku tani ka filluar të përhapet ky lloj i mediumit, po ashtu është një javë plot qejf ku munden të takohen me njerëz të rinj të informohen për gjëra të reja interesante edhe ta vizitojnë qytetin e Pejës pasi është shumë i bukur”, theksojnë organizatorët.
Ndryshe, Festivali ka filluar në vitin 2010 ku është krijuar prej një grup të të rinjve dhe është ndërtuar ndër vite. Festivali sillet rreth filmave të animuar. Anibari është organizatë joqeveritare e cila ka edhe aktivitete tjera gjatë vitit përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme dhe me komunën. Festivali mbështetet edhe prej institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës.