Liqeni i Ohrit ndotet nga anijet
Çdo ditë në liqenin e Ohrit derdhen sasi të mëdha vaji motorik dhe karburant. Arsyeja janë motorët me benzinë që përdorin mjetet lundruese. Ndotja e liqenit është shqetësuese, pranojnë pronarët e anijeve dhe varkave. Faktori njerëzor, thonë ata, është arsyeja e vetme e shkatërrimit të liqenit, shkruan Alsat.
“A e dini sa objekte lundruese ka? Këtu mbushen rezervarë. Sa motoskafë ka, nga një pikë të hedhim. Unë vetë kam rënë dy herë me kanistra”, tha Dimitri Çekrexhi, pronar varke.
Për shkak të kësaj situate, disa mbrojnë idenë që Liqeni i Ohrit të fillojë me transformimin ekologjik të anijeve. Kjo do të thotë të fokusohemi në anijet që funksionojnë me motorë elektrikë. Varkat me vela janë shembull tipik i anijeve ekologjike.
“Llogaritni se një skaf me 1000 kuaj fuqi nga këtu në Shën Naum mbërrin për 15 minuta dhe do të konsumojë 100 litra karburant, ndërsa ne 100 litra karburant harxhojmë për disa vite”, u shpreh Budimir Sokoloviq– kryetar i Federatës së Lundrimit të Maqedonisë.
Por që lundrimet me benzinë të zëvendësohen me ato elektrike ose me erë, duhet të ketë infrastrukturë adekuate.
Diku duhet të mbushen bateritë me rrymë. Pronarët e varkave që lundrojnë me motorë me lëndë djegëse fosile besojnë se një zëvendësim i tillë ekologjik për momentin është pothuajse i pamundur.
“Është e pamundur të realizohet këtu në varkë tretonëshe, me një elektromotor ekologjik me energji diellore. Nëse vendosni 10 veta këtu dhe ju ndalet rryma, çfarë do u bëni njerëzve, do u thoni lajuni! Kë do kërkoni? Ky liqen di të çmendet për 5 minuta dhe ku do shkoni?!”, shtoi Dimitri Çekrexhi, pronar varke.
Ndryshe, me vite të tëra ekziston ideja për ndërtimin e një marine të re të qytetit në Ohër, ku do të kishte lokacione të veçanta ku anijet do mbusheshin me karburant, e jo me kanistra siç po bëhet tani. Por, të gjitha këto premtime të partive politike nga para çdo zgjedhje, tani për tani mbeten vetëm në letër.