TJETRIZIMI (II)

Antropologu i mirënjohur slloven Božidar Jezernik e ndërlidh tjetrizimin me termin gjerman Urangst, me frikën zanafillore nga “kërcënimi oriental”, me imazhin e “Turkut kërcënues” të rrënjosur në tokën pjellore të pan-europianëve, një frikë e hershme kjo nga armiqtë e pamëshirshëm që do të vinin në vendet e tyre nga Lindja. Sipas këtij perceptimi, lindori kanoset me luftë, plaçkitje, vdekje, rrëmbime dhe marrjen e të rinjëve për jeniçerë, por edhe fetarisht. Tri metaforat kryesore të vdekjes dhe shkatërrimit janë të kuptueshme për fëmijën slloven: lufta, “Turku” dhe murtaja.

Djathtistët radikalë serbë dhe kroatë i tjetrizojnë apo i stigmatizojnë boshnjakët myslimanë përmes shprehjes “balija” që shpesh lidhet me emrin “turci” (turqit), me orientalen, ballkaniken, me më pak të vlefshmen krahasuar me oksidentalen, me qarkun qytetërimor euro-perëndimor që identifikohet me (judeo)krishterimin. (Hromadžić, 2020). Kjo formë e stereotipizimit kulturor lidhet me mbiemrat i ndyrë, erëkeq, injorant, i thjeshtë, i ashpër. Gjatë luftës së viteve 1990 në hapësirën kroate është përdorur edhe deminutivi përçmues “muslići” (myslimanthët). Tjetrizimi i boshnjakut shprehet edhe nëpër grafite, si p.sh.: “Balije u provalije” (Boshnjakët në humnera!). Në kulturën serbe është i fuqishëm edhe pezhorativizmi i termit “seljačina” (sinonime: đilkoš, prostak, džiber ose šaban): njeri i provincës (pallankës apo pallangës), “i trashë” (no-brain), i paarsimuar, që sillet në mënyrë të pakulturuar, që vishet pa shije (xhup lëkure dhe zhinxhir të trashë ari në qafë), që dëgjon gjithçka pos muzikës klasike… Një përçmim stigmatizues i ngjashëm ezksiton edhe në kulturën turke përmes termit kurd “kuro”=>“kıro”  (lexohet: këro) që do të thotë djalosh por që me kalimin e kohës ka marrë kuptimet maganda (i pagdhendur), fshatar, vulgar, hanzo (njeri i pasur por pa shije), kurd…

Në Maqedoninë e Veriut si në media ashtu edhe nëpër tekste ka qenë prezent tjetrizimi i shqiptarit përmes termit pezhorativ “shiptar” (të cilin me gjasë kanë nisur ta përdorin nën ndikimin e propagandës serbe) në kuptim të njeriut të pashkollë, të vrazhdë, primitiv etj. Tjetrizimi ynë (shqiptar) ekstern shprehet si anticiganizëm, “xhip/kë” (evgjit/e), “maxhup”, më tej si cilësim fetar: “shka”, “kaurr”, “gjaurr”, me ngjyrime vendbanimi, “katundar”-“shehërli”, “malësor”, “malok” (njeri i paqytetëruar e i pagdhendur)-“qytetar” e të ngjashëm. Në hapësirën e tanishme të komunës  së Sarajit (Shkup) deri para do kohe ka ekzistuar diada tjetrizuese tanimë tejmase e zbehur “golec”-“tërbesh”. Në këtë diferencim, të bazuar kryesisht në dallimin dialektor, termi i parë shënjonte dervenasit (lumjanët), kurse i dyti të ardhurit nga Reka e Epërme. Nuk duhet harruar edhe cilësimet tona tjetrizuese si neo-otoman për shqiptarin konservator që kultivon lidhjet shpirtërore me Turqinë, që ka studiuar atje, “turçeli” për shehërli etj.

Do shënuar se tjetrizimi, si “prodhim i diferencës” (manufacturing difference) (Kakel III, 2011), që rënjët i ka te dialektika hegeliane e identifikimit dhe distancimit vetja-tjetri, zotëriu-robi, mund të jetë edhe fenomen intern (Pavlica, 2022: 408), pra të jetë prezent edhe brenda një entiteti të caktuar p.sh. brendashqiptar: termi “kosovar” në Shqipëri nuk përdoret në kuptimin pozitiv, siç edhe sintagma shqiptar i Shqipërisë padrejtë lidhet me shprehjen “rebel” (që asocon 1997-ën), brendakristian: mes orthodoksëve dhe katolikëve, brendislamik, mes sunnitëve dhe shiitëve, mes atyre që veten e quajnë “besimtarë të vërtetë” dhe “bidatçinjve” (novotaristëve) etj.  Goxha absurd dhe i rrezikshëm është edhe tjetrizimi i myslimanëve – ndonëse janë shumicë demografike – brenda bashkësisë gjithshqiptare, cilësimi i tyre si element antagonist që ka krijuar një temë të paqenë deri para 30 viteve: “Çështja e islamit shqiptarNë këtë drejtim islami cilësohet si i papajtueshëm me shqiptarizmin (Shekulli, 2013), kurse myslimanët akuzohen për tradhti ndaj fesë së etërve, cilësohen si “mbetje otomane”, si “anadollakë”, shkruhen peticione që sa s’pëlcasin nga pasioni “pro-Europë” dhe marazi “anti-Turqi” (Xhufi) e të ngjashme.

Ta përmbyllim: nga problemet e kohës është ajo e vetes superiore dhe tjetrit inferior, e distancimit vetja-tjetri, e hierakizimit, e dehumanizmit të tjetrit, si radiaklisht i huaj (radically alien), çështja e njohjes së diferencës dhe ndërtimit të shoqërive vërtet pluraliste (truly pluralistic society);  tjetrizimi si mënyrë e trajtimit të jo-vetes (not-self), si konstrukt i kundërtisë së pabarabartë (unequal opposition) (Brons, 2015: 86), lidhet me ndërtimin e identitetit negativisht e jo pozitivisht dhe rezulton me përjashtimin e grupeve minoritare. Sot, në kohën e dallimit dhe përjashtimit të bazuar në grup (group-based difference and exclusion) kemi nevojë për shoqëri larg demagogjisë dhe demonizimit të tjetrit, për një shoqëri të mirëkuptimit, respektit, tolerancës, shoqëri të paqës dhe mirëqenies për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button