Koncesionari nuk e ka rrethuar arsenin dhe nuk ka vendosur tabela paralajmëruese në Llojan, do të gjobitet

Zgjyra me rreth 15.000 tonelata sulfur arseni, mbetje e rrezikshme që ndodhet në minierën “Llojan” rreth 100 metra larg shkollës fillore, nuk është e rrethuar. Këtë e kanë konfirmuar për Meta.mk Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik, i cili thekson se kompania turke “Kaltun Madenxhilik” deri në momentin e posedimit të koncesionit, gjegjësisht Marrëveshjes koncesionare për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale teknogjene e lidhur në minierën  “Llojan”, nuk ka vepruar sipas vendimit ekzekutiv dhe përfundimtar të lëshuar nga inspektori shtetëror, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik (ISHIT) më 4 shkurt të këtij viti, pas shkrimeve të Portalb.mk dhe Meta.mk, ka kryer inspektim në lokacionet e treguara dhe ka konstatuar se mbetjet në zonën e minierës “Llojan” dhe deponisë në stacioni hekurudhor në Tabanoc nuk janë të rrethuara dhe nuk ka tabela informuese për rrezik për shkak të lëndëve të para të depozituara.

Më atë rast Inspektorati Shtetëror i Inspektimit Teknik e ngarkoi koncesionarin që të rrethojë zonën me gardh mbrojtës, të vendosë tabelë informuese për rreziqet që fshihen nga arseni i depozituar dhe lëndët e para minerale, ndërsa shenja paralajmëruese për rrezik të përdorimit të ujërave të zeza nuk kishte as në rrugët që shpinin te ai lokacion.

“Afati për mënjanimin e mangësive të konstatuara ishte 30 ditë (tridhjetë ditë) nga dita e pranimit të vendimit të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror për inspektim teknik”, njoftuan nga Inspektorati për Meta.mk.

Inspektoratin e pyetën edhe nëse koncesionari aktual do të gjobitej, ndërsa nga Inspektorati Shtetëror i Inspektimit Teknik u përgjigjën se kanë nisur procedurë për barazimin dhe marrëveshje me urdhërpagesa për gjobat e shqiptuara për personin juridik dhe personin përgjegjës në atë subjekt juridik.

Kjo procedurë ishte caktuar për datën 1 qershor 2022 dhe nëse procedura nuk pranohet nga kompania turke, atëherë do të përgatitet e më pas në gjykatë do të dorëzohet kallëzim përkatës kundërvajtës për koncesionarin.

Nga Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik informojnë se nuk kanë kompetencë të ndërmarrin hapa për të garantuar sigurinë e nxënësve që vijojnë shkollën fillore në afërsi të deponisë së arsenit në Llojan.

Ndryshe, Qeveria e RMV-së në seancën e mbajtur më 8 mars ka marrë vendim që në mënyrë të njëanshme ta ndërpresë kontratën me kompaninë turke “Kaltun Madenxhilik” për koncesionin lidhur me shfrytëzimin e arsenit dhe resurseve tjera minerale nga ish-miniera “Llojan”. Vendimi i qeverisë është publikuar në Gazetën Zyrtare më 15 mars, kurse në vendim thuhet se ai hyn në fuqi një ditë pas publikimit.

Ky veprim i qeverisë qendrore erdhi pasi kompania turke, në fillim të këtij viti, paraqiti kërkesë deri te Ministria e Ekonomisë për ndërprerje të njëanshme të marrëveshjes koncesionare për shkak të “mungesës së interesit ekonomik për realizimin e mëtejshëm të koncesionit”.

Meta.mk dhe Portalb.mk kanë shkruar për rreziqet nga arseni i shpërndarë dhe mbeturinave të lëndëve të para minerale në Llojan dhe Tabanoc në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjatë gjithë periudhës së kaluar, njerëzit, kafshët dhe gjithë mjedisi në Llojan dhe Tabanoc janë përballur me pasojat e arsenit të shpërndarë në të dyja lokacionet dhe tetë vite të humbura për t’u përballur me rrezikun që drejtpërdrejt e kërcënon shëndetin e tyre. Përkundër gjithë kësaj, në arat rreth deponisë së arsenit në Tabanoc gjatë vizitës sonë vërejtëm se aty mbillen kultura bujqësore, ndërsa te minierën “Llojan” kemi qenë edhe dëshmitarë në terren se bagëtitë kullotin në rrethin e këtij lokacioni.

Ndryshe, koncesionari turk në një hark kohor prej tetë vitesh ka arritur të pastrojë dhe shesë vetëm 60 tonelata nga rreth 15 mijë tonelata sulfur arseni që ndodhen në zgjyrën në “Llojan”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button