Qeveria e ndërpreu kontratën me koncesionarin turk për shfrytëzimin e arsenit në Llojan

Në seancën e mbajtur më 8 mars, Qeveria e RMV-së vendosi që në mënyrë të njëanshme ta ndërpresë kontratën me kompaninë turke “Kaltun Madenxilik” për koncesionin për shfrytëzimin e arsenit dhe resurseve tjera minerale nga ish-miniera “Llojan”. Vendimi i qeverisë është publikuar në Gazetën Zyrtare më 15 mars dhe në vendim thuhet se ai hyn në fuqi një ditë pas publikimit, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vendimi i qeverisë qendrore vjen pasi kompania turke, në fillim të këtij viti, ia paraqiti Ministrisë së Ekonomisë kërkesën për ndërprerje të njëanshme të marrëveshjes koncesionare për shkak të “mungesës së interesit ekonomik për ekzekutimin e mëtejshëm të koncesionit”.

Koncesionari në kërkesë iu ka referuar nenit 52 të Ligjit për Resurse Minerale me rastin e paraqitjes së kërkesës për ndërprerje të njëanshme të kontratës. Ndryshe, koncesionari turk në gusht të vitit 2014 ka nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Maqedonisë, sipas cilës kompania duhej të shfrytëzonte resursin mineral teknikogjen në lokacionin “Llojan”. Kjo marrëveshja e koncesionit ishte e vlefshme deri më 25.8.2024.

Nga Ministria e Ekonomisë, për Meta.mk, informojnë se kompania turke “Kaltun Madenxhilik” edhe më tutje e ka për obligim që të veprojë sipas Vendimit të Inspektoratit Shtetëror për Inspektim Teknik, nga fillimi i muajit shkurt të këtij viti, sipas të cilit koncesionari ngarkohet që të vendos rrethojë rreth zgjyrës në minierën “Llojan”, Të vendoset një tabelë informuese për rreziqet që fshihen në atë lokacion dhe shenja paralajmëruese për përdorimin e ujërave të zeza.

Pavarësisht që kontrata është ndërprerë nëse kompania turke nuk vepron konform detyrimeve të Inspektoratit brenda afatit të caktuar, atëherë do të përballet me procedurë kundërvajtëse në përputhje me rregulloret ligjore.

Lidhur me çështjen se cilat do të jenë hapat e ardhshëm për pastrimin e arsenit nga lokacioni në Llojan, Ministria e Ekonomisë thotë se rishpallja e koncesionit të ri me thirrje publike për përzgjedhjen e ndonjë kompanie të re mund të konsiderohet vetëm pasi vendimi për ndërprerje të bëhet i formës së prerë dhe përfundimtar.

Pas shkrimeve të Meta.mk dhe Portalb.mk për gjendjen në terren, Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik, më 4 shkurt të këtij viti, kishte dalë në terren dhe e ka inspektuar minierën “Llojan”. Me atë rast inspektorët kanë konstatuar se koncesionari nuk ka vendosur gardh përreth zgjyrës me mbetjet e arsenit dhe mineraleve të tjera, si dhe nuk kishte vendosur tabelë informuese për rreziqet që fshiheshin në mbetjet e rrezikshme. Inspektorët kanë konstatuar se afër hyrjeve të minierës Llojan nuk kishte shenja paralajmëruese nga rreziku i shfrytëzimit të ujit të mbetjeve dhe aktiviteteve të tjera që mund të jenë të rrezikshme për popullatën dhe kafshët.

Meta.mk dhe Portalb.mk,dhjetor të vitit 2021,  ishin në terren dhe konstatuan se në vetëm 100 metra linjë ajrore nga zgjyra është shkolla fillore “Rilindja”, në të cilën mësimin e vijojnë nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Fëmijët janë të rrezikuar nga thithja e arsenit. I rrezikuar është edhe lokacioni i dytë afër Tabanocit, pasi deponia gjendet pranë stacionit hekurudhor Tabanoc ku gjendet edhe kampi i migrantëve.

Gjatë gjithë periudhës së kaluar, njerëzit, kafshët dhe gjithë mjedisi jetësor në Llojan dhe Tabanoc janë përballur me pasojat nga arseni i shpërndarë në të dy lokacionet duke i humbur tetë vite për t’u përballur me rrezikun që e kërcënon drejtpërdrejt shëndetin e tyre. Përkundër gjithë kësaj, në arat rreth deponisë së arsenit në Tabanoc gjatë vizitës sonë vërejtëm se janë mbjellë kultura bujqësore, ndërsa në minierën “Llojan” ishim edhe dëshmitarë se bagëtitë kulloten në atë rreth.

Ndryshe, koncesionari turk brenda periudhës prej tetë vitesh ka arritur të pastrojë dhe shesë vetëm 60 tonelata nga rreth 15 mijë tonelata sulfur të arsenit që ndodhen në zgjyrën në “Llojan”. Koncesionari, për Meta.mk, tha se nuk janë të detyruar të shfrytëzojnë sasinë e mbeturinave prej 1000 tonelata në afërsi të fshatit Tabanoc, sepse ky lokacion nuk ishte përfshirë në procedurën e tenderimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button