Llojani dhe Jegunovca si zona të kontaminuara me muaj presin në Kuvend që të përfshihen në ligj

Arseni në Llojan, kromi gjashtëvalent në Jegunovc dhe lindani në OHIS janë vetëm disa nga 16 pikat ekologjike në mbarë vendin, të cilat prej muajsh presin shpalljen dhe identifikimin formal si zona të kontaminuara në vend. Propozimi për ndryshime në Ligjin për mjedisin jetësor ka kaluar në seancën e Qeverisë më 7 dhjetor 2020 dhe është dorëzuar në Kuvend, por deri më sot nuk është miratuar nga deputetët.

“Projektligji për ndryshimin e Ligjit për mjedisin jetësor ndodhet në shqyrtim prej kohësh nga deputetët dhe do të ishte e dobishme që ajo procedurë të përfundonte më shpejt sepse përmban dispozita që janë shumë të rëndësishme për funksionimin normal të institucioneve në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor”, deklaruan për Meta.mk nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.

Me ndryshimet ligjore, futen dispozita të reja me të cilat rregullohet menaxhimi me zonën e kontaminuar. Ministria sqaron se ndryshimet e propozuara të Ligjit parashikojnë kritere në bazë të të cilave një zonë e caktuar mund të identifikohet zyrtarisht si e kontaminuar, gjegjësisht krijohet baza ligjore për miratimin e Metodologjisë për identifikimin e një zone të caktuar si të kontaminuar.

Pasi të jenë identifikuar me ligj zonat e kontaminuara, Qeveria e RMV-së do të mund t’i shpallë ato si të tilla, pas çka do të përgatitej një Plan për menaxhimin e zonës së kontaminuar. Ky akt nënligjor do të miratohej nga Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, por nga atje theksojnë se deputetët në Kuvend fillimisht duhet të miratojnë ndryshimet e propozuara në Ligjin për mjedisin jetësor.

Ndryshe, ndryshimet e këtij ligji fillimisht u gjetën në Komisionin juridiko-ligjvënës dhe në Komisionin për transport, lidhje dhe ekologji, më 15 prill të vitit të kaluar, pas së cilës kaluan leximin e parë në Kuvend më 1 qershor të vitit të kaluar, për të arritur në leximin e dytë në Komisionin për transport, lidhje dhe ekologji vetëm më 28 dhjetor 2021, theksohet në ueb faqen e Kuvendit të RMV-së lidhur me këto ndryshime ligjore. Ato duhet të paraqitn në seancë parlamentare para deputetëve që të mund të miratohen, përpara se të hyjnë në fuqi.

Portalb.mk dhe Meta.mk me muaj shkruajnë për rreziqet me të cilat ballafaqohet popullata vendase për shkak të arsenit në Llojan, kromit gjashtëvalent në Jegunovc, zgjyrës në shkritoren e Velesit, lindanit në OHIS, por edhe në dhjetëra lokacione të tjera në mbarë vendin. Disa nga këto lokacione nuk janë fare të rrethuara dhe janë pa shenja paralajmëruese, siç është rasti me arsenin në Llojan dhe Tabanovc, i cili paraqet rrezik real për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve që do të ndodhen aty.

Nga ana tjetër, në disa nga këto 16 pika të nxehta ekologjike në të gjithë vendin, popullsia vendase përdor tokën përreth zonave të kontaminuara për mbjelljen e bimëve që përfundojnë si ushqim për njerëzit dhe kafshët, por edhe bagëtitë shtëpiake lejohen të kullosin lirshëm dhe të punë ujë rreth pikave të tilla ekologjike.

Për shkak të materieve të rrezikshme që ndodhen në kuadër të zonave të kontaminuara, ndotja e mjedisit jetësor përfshin si ajrin ashtu edhe tokën dhe ujin në këto lokacione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button