Qytetarët janë të vetëdijshëm për dezinformatat, por përballja me këtë të keqe duhet të jetë shumë më e fortë

Aktorët kryesorë në uljen e efekteve të dezinformatave duhet të jenë institucionet përgjegjëse për krijimin e politikave mediatike, por edhe vetë mediat, gjegjësisht gazetarët. Por, nevojitet qasje sistematike, nga më tepër faktorë, tha hulumtuesi Gjorgji Mitrevski në sesionin “Situatat dhe sfidat që lidhen me ndikimin e dezinformatave në Maqedoninë e Veriut”, në kuadër të konferencës “Përballja me dezinformatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, që dje e organizoi Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” nga Shkupi, transmeton Meta.mk.

Ai në fakt me këtë e përsëriti një nga rekomandimet kryesore të hulumtimit të Metamorfozës.“Efekti i dezinformatave dhe ndikimet e huaja mbi proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut”, në hartimin e të cilit Mitrevski e luan rolin kryesor, së bashku me drejtorin programor të “Metamorfozës”, Filip Stojanovski.

Mitrevski tha se sipas hulumtimit një pjesë e madhe e qytetarëve janë të vetëdijshëm për praninë e dezinformatave dhe se rreth 2/3 e tyre e njohin dezinformatat në media, megjithatë dezinformatat, e sidomos përhapja e narrativave autoritare, kanë ndikim në minimin e vlerave demokratike.

Gjorgji Mitrevski, foto: Meta.mk
Gjorgji Mitrevski, foto: Meta.mk

“Qytetarët janë të vetëdijshëm për përhapjen e dezinformatave në media, gati 90 për qind e qytetarëve mendojnë se dezinformatat janë vërtetë problem në shoqërinë tonë, kurse njëkohësisht 2/3 e qytetarëve, në mediat nga të cilat informohen, vërejnë informacione që realitetin nuk e paraqesin saktë ose e paraqesin gabim. 2/3 e tyre janë të sigurt se mund të njohin dezinformatat në mediat nga të cilat informohen. Megjithatë, integrimet e ngecura, dezinformatat, sidomos përhapja e narrativave autoritare, kanë ndikim në minimin e vlerave demokratike dhe përcaktimet strategjike të vendit”, tha Mitrevski.

Si shembull, ai vuri në dukje imazhin e Kinës dhe Rusisë në mendjen e qytetarëve, i cili është kryesisht pozitiv, kundrejt sistemit dhe vlerave perëndimore, ku janë të orientuara angazhimet e vendit.

“Gjithnjë e më shumë njerëz besojnë se sistemi politik kinez nuk është më i keq se sistemet politike perëndimore. Ekziston gjithashtu një numër dukshëm më i madh i qytetarëve që besojnë se Rusia ka më shumë fuqi ushtarake se NATO. Shumë qytetarë besojnë se aleanca me Rusinë dhe marrja e gazit rus më të lirë do të ishte vendimtare për përmirësimin e ekonomisë së vendit. Gjithashtu konsiderohet se për vendin tonë më e dobishme është aleanca me fuqitë e mëdha ortodokse sllave, siç është Rusia, sesa me SHBA-në dhe BE-në. Kjo është vetëm një pjesë e gjetjeve, ka shumë të tjera, por me këto mund të ilustrojmë seriozitetin e dezinformatave në media, të cilat pas pranisë së gjatë mund të çojnë në cenimin e vlerave demokratike dhe përcaktimeve strategjike të vendit“, tha Mitrevski.

Por, siç theksoi ai, gjërat nuk janë krejtësisht të zeza, sepse shumë qytetarë besojnë se lufta ndaj dezinformatave duhet të jetë më e ashpër.

“Qytetarët, megjithatë, kanë interes për ndryshimin e politikave. Është një numër i madh qytetarësh, të cilët mendojnë se dezinformatat duhet të sanksionohen me ligj. Aktorët kryesorë në zvogëlimin e efekteve nga ballafaqimi me dezinformatat duhet të jenë institucionet përgjegjëse për krijimin e politikave mediatike, por edhe vetë mediat, përkatësisht gazetarët”, tha Mitrevski.

Sipas Katerina Sinadinovska, kryetare e Bordit drejtues të Këshillit për Etikë në Media – KEMM, mediat duhet të luajnë rol shumë më të madh se më parë, sepse sipas statistikave nga ankesat që KEMM i pranon prej vitesh për shkelje të standardeve gazetareske, më së shumti shkelet neni 1 i Kodit të Gazetarëve, i cili përcakton se gazetarët duhet të publikojnë informacione të verifikuara dhe të sakta.

Katarina Sinadinovska, foto: Meta.mk
Katarina Sinadinovska, foto: Meta.mk

“Do të thotë që nëse e shkel këtë nen dhe publikoni informacione të pa verifikuara, me fjalë të tjera janë lajme të rreme, spekulime dhe dezinformata në përgjithësi. Ku qëndron problemi këtu? Gjithmonë them se puna e verifikuesve të fakteve dhe verifikimi i informacionit pasi publikohet është i rëndësishëm, por nuk mjafton, sepse dëmi tashmë është bërë. “Gazetarët duhet të dinë se informacioni duhet të kontrollohet para se të publikohet”, vëri në pah ajo.

Sinadinovska gjithashtu pajtohet se duhet një qasje gjithëpërfshirëse në përballjen me dezinformatat dhe këtu, përveç gazetarëve dhe faktorëve të tjerë, duhet të përfshihet edhe komuniteti i biznesit, përkatësisht reklamuesit, të cilët japin një pjesë të madhe të mjeteve për funksionimin e mediave. Tani, sipas saj, padrejtësisht po financohen media që janë shpërndarës të dezinformatave, spekulimeve dhe sensacionalizmit.

“Kështu kemi një situatë që ata që publikojnë spekulime, kurse nuk janë profesionistë, kanë më shumë lexues, ndërsa nga ana tjetër kanë edhe më shumë para nga reklamat se mediat që punojnë profesionalisht dhe i verifikojnë informacionet. Pra, kemi situatë ku profesionalizmi pëson, kurse nuk guxon të jetë ashtu ka theksuar ajo.

Në seancën, të cilën e moderoi Filip Stojanovski nga “Metamorfozis” për rreziqet e dezinformatave folën edhe Andreja Stojkovski, drejtor ekzekutiv e Institutit të Prespës dhe Rosana Aleksoska, menaxhere e projektit “Lufta kundër narrativave të rreme” të shoqatës qytetare “Most”.

 Rosana Aleksoska, foto: Meta.mk
Rosana Aleksoska, foto: Meta.mk

Sipas Aleksoskës, pasqyra reale e dezinformatave në vend mund të shihet nëse ato nuk shihen vetëm si raste individuale, por nëse grupohen sipas karakteristikave, ashtu do të krijohet imazhi i narrativave dezinformuese. Me fjalë të tjera, do të jetë më e lehtë të shihet burimi i dezinformatave dhe qëllimet e atij që i krijon dezinformatat që më pas transmetohet nga mediat dhe rrjetet sociale. Në shumë raste, është e qartë se kjo është Rusia, theksoi ajo.

Konferencën e plotë mund ta shikoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button