RMV, reformat sociale të pamjaftueshme për fëmijët dhe personat me nevojat të veçanta

Maqedonia e Veriut ka bërë disa përparime në reformën sociale, megjithëse është akoma shumë larg pritshmërive apo standardeve të vendeve të zhvilluara evropiane. Edhe pse vendi në vitin 2019, solli disa shërbime të reja për personat me aftësi të kufizuara, megjithatë kjo nuk i bën më pak të diskriminuar këtë kategori të cenueshme qytetarësh. Ajo çfarë KE-ja vërejti në raportin e vitit 2021 ishte se kjo kategori qytetarësh vazhdojnë të përballen me diskriminim, mungesë të infrastrukturës, informacionit dhe shërbimeve, transmeton Portalb.mk.

Sidoqoftë, Ministria përgjegjëse për këtë kategori qytetarësh, ajo e punës dhe politikës sociale, kur pyetet, numëron një sërë reformash, pa përmendur ata që nuk janë bërë ende.

Nga kjo ministri për Portalb.mk, deklaruan se reforma sociale që filloi në vitin 2019 prezantoi dy shërbime krejtësisht të reja për personat me aftësi të kufizuara, Asistencën personale dhe Kujdesin shtëpiak, duke shtuar se e drejta e aftësisë së kufizuar është zgjeruar edhe për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, përderisa shtesa për kompensim të pagës për orarin e shkurtuar të punës për një prind që kujdeset për fëmijë me aftësi të kufizuara është rritur në 50% të pagës mesatare neto, 

Gjithashtu është bërë futja e të ashtuquajturës shtesa e përhershme për prind që kujdeset për fëmijë me aftësi të kufizuar deri në moshën 26 vjeç pa e akomoduar në ndonjë institucion, i cili është i papunë dhe nuk e shfrytëzon të drejtën e pensionit pas mbushjes së moshës 62 për një grua, gjegjësisht 64 vjeç për burrë.

Shuma e përcaktuar për të drejtën e shtesës së veçantë me ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, nga ana tjetër, është rritur nga 4.202 denarë në 5.021 denarë, në mënyrë shtesë kjo shumë rritet për 25% dhe arrin në 6.276 denarë për familje të pasigurta materiale dhe rritje prej 50%, gjegjësisht 7.531 denarë për prindërit e vetëm që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara. Gjithashtu në gjysmën e dytë të vitit 2022 kjo e drejtë do të rritet edhe me 15%.

Zhvillimi i politikave moderne për personat me aftësi të kufizuara është i dukshëm edhe nëpërmjet prezantimit të Klasifikimit ndërkombëtar të funksionimit gjatë vlerësimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Me mënyrën e re të vlerësimit braktiset modeli i vjetër mjekësor i monitorimit të aftësisë së kufizuar, gjegjësisht zëvendësohet me monitorim jo-mjekësor që vlerëson forcat dhe aftësitë e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe mbështetjen e nevojshme që duhet të marrë fëmija për të gëzuar mundësi të barabarta si bashkëmoshatarët e tyre dhe të jenë në gjendje të zhvillojnë potencialin e tyre. Kjo metodologji respekton të drejtat e njeriut të çdo personi me aftësi të kufizuara dhe pasqyron plotësisht modelin social të të kuptuarit të aftësisë së kufizuar”, thuhet në përgjigjen e MPPS-së.

Nga kjo ministri shtojnë se, Qeveria nga ky vit siguroi mjete dhe punësoi 500 asistentë edukativë në mësimdhënie për të cilët janë siguruar 216 milionë denarë dhe të cilët i përkrahin mësimdhënësit në punën me nxënësit me aftësi të kufizuara, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale bëri ndryshime ligjore me të cilat kufiri i moshës për përdorimin e shërbimit të asistencës personale reduktohet nga 18 vjet në 6 vjet. Për momentin janë punësuar 150 asistentë personalë që ofrojnë mbështetje për 217 fëmijë/persona me aftësi të kufizuara dhe 126 persona të angazhuar në shërbimin e kujdesit dhe kujdesit në shtëpi për gjithsej 301 persona.

Pyetjet tona drejtuar MPPS-së përfshinë edhe atë se çfarë me ndihmat edukative për të verbrit/nxënësit në të shkruarit brail dhe bankomate me teknologji për të verbrit apo semaforët në qytete me sinjale zanore, për çka nuk morëm përgjigje, por në qershor të vitit 2021 për të verbrit për herë të parë arriti mjeti – audio lexues, i cili u siguron atyre pavarësi më të madhe dhe funksionim të qetë në jetën e përditshme dhe se është gati për tu përdorur.

Raporti i KE-së vlerësoi se ka pasur pak progres në përmirësimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, megjithatë sërish mbeten të diskriminuar.

“Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me diskriminim të konsiderueshëm, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për shkak të barrierave të lidhura me infrastrukturën, mungesës së informacionit dhe shërbimeve, qëndrimeve diskriminuese dhe përjashtimit social. Në vitin 2020, Avokati i Popullit raportoi 37 ankesa për diskriminim ndaj fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara”, thuhet në raport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button