Trajneri thotë se Eriksenit do t’i bëhet statuja nëse mbetet edhe sezonin e ardhshëm

Christian Erikseni mund të presë një statujë të ndërtuar për nder të tij jashtë stadiumit të Brentfordit, nëse ai e zgjat qëndrimin e tij në ekipin e Premier Leagues përtej këtij sezoni, tha të enjten trajneri Thomas Frank. Mesfushori danez iu bashkua Brentfordit në një marrëveshje afatshkurtër në janar, duke shënuar rikthimin e tij në futbollin garues pothuajse tetë muaj pasi kolapsoi në fushë gjatë Kampionatit Evropian, raporton Koha.net.

Eriksen frymëzoi një ringjallje në fund të sezonit nga klubi i Londrës perëndimore, i cili ka fituar shtatë dhe ka humbur vetëm një nga nëntë ndeshjet që mesfushori 30-vjeçar ka qenë titullar duke i ndihmuar të largohen nga zona e rënies.

“Do të doja të thosha 100 për qind, por jam i bindur se ka një shans të mirë që ai të mund të veshë fanellën e Brentfordit edhe pas këtij sezoni”, tha Frank. “E di që jam optimist, por gjithashtu mora telefonin dhe thashë: ‘Hej, a dëshiron të vish në Brentford?’. Askush nuk e mendoi këtë gjashtë muaj më parë. Jam i bindur se do të kemi një shans”.

Frank, i cili stërviti Eriksenin te Përfaqësuesja U17 e Danimarkës, tha se është në një situatë fituese edhe nëse nuk e vazhdon bashkëpunimin me Brentfordin.

“Ose ai nënshkruan me ne dhe të gjithë do të jemi të lumtur dhe tifozët do të ndërtojnë një statujë të tij jashtë stadiumit pas dy ose tre vjetësh”, tha Frank. “Ose ai shkon në një nivel më të madh dhe tifozët do ta duartrokasin. Dhe, ne të gjithë do të themi, ‘Faleminderit për këtë kohë, shkoni përpara’. Cilido të jetë vendimi i tij, ai do të jetë fitues”.

Frank tha se Brentfordi do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Eriksenit.

“Ai e ndihmoi ekipin, u dha diçka tifozëve që nuk i kishin parë kurrë më parë në këtë nivel”, tha ai për Eriksenin. “Ne e ndihmuam atë të kthehej sërish në jetën e tij të futbollit”.

Brentford tashmë e ka të sigurt paraqitjen në elitën e futbollit anglez edhe për sezonin e ardhshëm, ndonëse e ka edhe një ndeshje deri në fund. Për Brentfordin, kjo është hera e parë që arrin ta kompletojë kampanjën në ligën e parë angleze që nga sezoni 1946/47. Në duelin e fundit, Brentfordi përballet me Leedsin, ekip që rrezikon rënien në Championship.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button