U promovuan dy vepra të prof. dr. Kudusi Lama

Veprat “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare” dhe “Nëna ime Mihana Lama” të autorit prof. dr. Kudusi Lama, sot u promovuan para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës, njofton Portalb.

Autori i librit, prof. dr. Kudusi Lama, në fjalën e tij, duke folur për librin që ia ka kushtuar akademikut Rexhep Qosjes, u shpreh se filozofia e Qosjes ka dhënë prova të pakontestueshme të saktësisë së mendimit parashikues dhe të ideve vizionare.

Rexhep Qosja është komandant që qëndron pranë frontit që është i drejtpërdrejt në front, që i shikon luftëtarët e tij në sy, që e shikon armikun përballë, që e tërheq këmbëzën e pushkës së tij drejt atje ku duhet, duke e parë edhe sa ka goditur në shenjë ose jo. Do të kujtoj një ngjarje të disa viteve më herët, më saktësisht ka qenë viti 1993, kur kemi hyrë në Qafëthanë, na kanë mbajtur peng 6 orë. Ndërsa një ditë kur po dilnim nga Maqedonia, para dy vjetësh, kontrollorët e kufirit dolën nga kabina edhe thanë, ju lusim të zbresësh nga makina se duam ta bëjmë një fotografi me ty”, theksoi Lama.

Ndërsa, për sa i përket veprës “Nëna ime Mihane Lama”, autori tha se këtë punë e ka bërë gjithë përkushtim, por nuk kam arritur ta bind plotësisht veten se i kam dhënë përmasat e plota të asaj jete në rrafshin historik, moral, psikologjik, ekonomik, edukativ, njerëzor, human etj.

“Por, pavarësisht se kam arritur t’i jap përmasat e plota kësaj jete, kam bindjen se kam arritur të hedh dritë mbi atë jetë, që ajo të shërbejë për t’u njohur e shfrytëzuar nga të tjerët për të kryer vepra të mira në jetë. Uroj që lexuesit të mos zhgënjehen me punën time. Uroj që ta kem sjellë tek ata sa më të plotë jetën e nënës Mihane. Ajo donte të ishte me njerëzit, për t’u shërbyer atyre, dhe unë po e nis nëpër udhët e jetës me njerëzit”, theksoi autori Lama.

Në veprën “Nëna ime Mihane Lama” të autorit prof. dr. Kudusi Lama, protagonistja është një nënë e veçantë, e jashtëzakonshme me jetën dhe në përgjithësi fatin e saj. Arsyeja e madhe që e kanë mbushur mendjen dhe zemrën e Prof. Dr. Kudusi Lamës për t’ia kushtuar asaj këtë vepër, janë sakrificat e saj të jashtëzakonshme për pasardhësit e saj, pasi që është ballafaquar me shumë sfida, duke qenë një grua e ve, ajo me shumë mund ka rritur dy djemtë e saj duke i edukuar e shkolluar deri sa i ka bërë me shumë pasardhës.

Vepra kushtuar akademik Rexhep Qosjes, nga recensentët është cilësuar si një vepër me dimensione globale, monumentale e me thellësi filozofike, duke zbërthyer ideologjinë kombëtare.

Për profesorin universitar, prof. dr. Salajdin Salihu, ushtaraku i karrierës – gjenerali Kudusu Lama, në librin “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, rëndësi të veçantë i ka kushtuar personalitetit të tij në historinë kombëtare. Ai tha se në këtë vepër Akademik Qosja ka zënë vendin e patjetërsueshëm në historinë e kombit shqiptar, si filozof, ideolog e politikan i çështjes kombëtare dhe jo vetëm. Veç kësaj, ai ka zënë vend nderi edhe në historinë e letërsisë shqipe si studiues dhe si shkrimtar, andaj autori e ka analizuar veprimtarinë e tij nga një këndvështrim i ri.

Kurse recensenti, prof. dr. Fadil Grajçevci ka thënë se autori Kudusi Lama me të drejtë thotë se ndikimi i veprës letrare e shkencore të Rexhep Qosjes është sa i madh, aq edhe i veçantë në jetën letrare, kulturore e shkencore, por edhe në rrjedha të tjera të jetës politike e shoqërore shqiptare në përgjithësi. Ai është kritik letrar, teoricien e historian i letërsisë nga më frytdhënësit; tregimtar, romancier e dramaturg, i cili, edhe pse jo shpesh, si me vepra studimore, sa herë shfaqet në letërsinë tonë sjell përvoja të reja krijuese si eseist, publicist e polemist jokonformist, i cili guximshëm, në çdo kohë është zë i ndërgjegjes kombëtare.

Akademiku Rexhep Qosja, duke iu referuar veprës që Kudusi Lama ia ka kushtuar atij tha se është një vepër e shkruar me cilësi të madhe dhe me vëllim të madh.

“Sot ndjehem mire dhe ndjej gëzim për këtë vepër, pasi e ka shkruar një autor jo i zakonshëm, jo i përditshëm, e ka shkruar një gjeneral, dhe jo një gjeneral i zakonshëm por një gjeneral i dy kohëve, është gjeneral i kohës së paqes dhe i kohës së luftës. Gjeneral që ka bërë dy vepra për luftën e Kosovës. Këtë libër gjenerali e ka shkruar gjatë tetë viteve. Të shkruash një libër tetë vjet është punë e madhe që duhet çmuar shumë. Shkrimi i kësaj vepre më ka sjellë kënaqësi . Po ta lexojmë veprën e tij e shohim se ky gjeneral intelektual dhe krijues e njeh krejt historinë e popullit shqiptarë dhe të popujve të Evropës dhe gjetiu. Të shpresojmë që ai do të vazhdojë të na gëzojë me vepra të reja, të cilat do të luajnë një rol, rol në jetën tonë kombëtare, shoqërore, morale, siç e ka luajtur me këtë vepër, të luaj rolin e veprave që krijojnë të ashtuquajturin kohezion shoqëror, etik e kombëtarë”, u shpreh akademiku Qosja.

Prorektori për arsim i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti potencoi se botimi i këtyre veprave sjell një kontribut të çmuar, me interes për opinionin kulturor, studentët, kritikët e artit dhe studiuesit shkencor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button