Çfarë të studiojmë: ekzakte apo sociale? (II)

Shkencat shoqërore janë të rëndësishme ngaqë na ofrojnë dije rreth shoqërisë në të cilën jetojmë, na mundësojnë të kuptojmë botën, na fokusojnë në relacionin mes individëve në shoqëri, na aftësojnë për të marrë vendime efektive për problemet që na godasin, të notojmë më mirë në një botë kulturalisht diverse, demokratike dhe të ndërvarur.

Ekziston paragjykimi se shkencat sociale nuk sjellin karrierë dhe para, gjë që s’është e vërtetë. Shikuar globalisht ka njerëz me diploma të shkencave sociale që kanë arritur shumë: Susan Wojcicki, me histori dhe letërsi është CEO e Youtube, Howard Schulz ish-njëshi i Starbucks-it ka kryer shkenca komunikimi. Andaj si shoqëri duhet të lëvrojmë në dy krahë, edhe shkenca ekzakte, por edhe sociale, sepse për të dyjat kemi nevojë. Na duhen edhe njerëz që lexojnë njeriun, karakterin e tij, që frymojnë urtësi, përndryshe arrijmë te katastrofat, kataklizmat që i shkaktojnë njerëzit ekstremisht të pasur dhe të teknicizuar por pa frymë, pa shpirt. Do kemi mjekë dhe spitale si i përfoluri gjatë Covid-19: pasanikë të vdekur janë mbajtur ditë më gjatë për të bërë më tepër para. S’ka kuptim prodhimi i veglave dhe përmirësimi i mjedisit dhe i cilësisë së jetesës pa e bërë njeriun. Pa inxhinieri sociale s’ka ardhmëri të shëndetshme në asnjë mjedis dhe hapësirë. Pa analizë filozofike dhe arsyetim moral njerëzimi mund të përballet me rrezikun e hyrjes në një fazë të re të barbarizmit ku do të humbet dallimi mes realisht të mundshmes dhe moralisht të lejuarës. (Babić, 2016)

Audrey Osler, profesoreshë e edukimit dhe drejtoreshë e Qendrës pr Qytetari dhe Edukim për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Lidsit (Britani e Madhe), autore e Girls and Exclusion (Vajzat dhe përjshtimi, 2003); The Education and Careers of Black Teachers (Arsimi dhe karriera e mësuesve të zinj, 1997); Teachers, Human Rights and Diversity (Mësuesit, të drejtat njerëzore dhe diversiteti, 2005) dhe Changing Citizenship: Democracy and Inclusion in Education (Qytetari në ndryshim: Demokracia dhe përfshirja në arsim, 2005) flet për arsyet pse duhet të studiojmë shkencat sociale. Sipas saj shkencat shoqërore:

  • Na mundësojnë të imagjinojmë ardhmëri kolektive alternative.
  • Në ndihmojnë t’i kuptojmë financat tona, ta kuptojmë krizën ekonomike dhe t’i peshojnë vendimet që marrim për veten dhe ato që qeveritë marrin në emrin tonë që mund të na prekin në xhep dhe përtej.
  • Na mundësojnë të ruajmë shëndetin dhe mirëqenien tonë sociale. këtë funksion kanë sociologjia e sportit, ekspertiza e shëndetit publik, interpretimi i statistikave mjekësore, vlerësimi i politikave për kujdesin në moshë të pleqërisë etj.
  • Mund të na e shpëtojnë jetën në vendin e punës, në turma, përmes crowd control.
  • E bëjnë mjedisin, lagjen tonë më të sigurt, mund ta evitojnë kriminalitetin.
  • Prodhojnë intelektualë publikë që janë dëgjues aktivë, që flasin shpesh me komunitetin dhe mes vete, që dinë të integrojnë dije që vijnë nga rrënjë të ndryshme intelektuale.
  • E përmirësojnë jetën dhe arsimin e fëmijëve tanë, ndihmojnë në krjijimin e shkollave dhe lidershipeve shkollore efektive.
  • Mund ta ndryshojnë dhe përmirësojnë botën në përgjithësi si hapësirë ku do të jetësohen vlerat si dinjiteti bazik dhe të drejtat e njeriut, mirëqenia dhe zhvillimi.
  • Hapin horizontet tona për tema si paqja, ekologjia, lëvizjet sociale etj.
  • E vendosin në një bazament sigurie demokracinë moderne dhe transparente.

Të rinjtë kanë nevojë për udhëzim, konsultime, sugjerime nga prindërit, mësimdhënësit, shokët, figurat referenciale… Por megjithatë, ne duhet t’i lëmë ata që pa presione të zgjedhin atë që duan, të regjistrohen atje ku iu fle zemra, pa imponime dhe pa fiksione të caktuara. S’ka pse të studiojnë atë që duam ne, të marrin udhën e profesionin tonë apo atë që është fancy.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button