Siorani mbi filozofinë, prostitucionin dhe  kultin

Tek po mendoja çfarë të shkruaj sot më shkoi mendja te perlat e Emil Sioranit (filozofit francez me origjine rumune), që njihet si njëri prej mendimtarëve më të shquar të sh. XX. Ai i sqaron si rrallë ndonjë tjetër traumat e jetës me të cilat vazhdon të ballafaqohet njerëzimi, ndaj vendosa të sjell për lexuesit e PortAlb-it dy perla të përkthyera nga vepra Pasqyra e kalbjes.

  1. Filozofia dhe prostitucioni

Filozofi që shmang sistemet dhe bestytnitë, por akoma u bën ballë udhëve aventuristike duhet të imitojë pironizmin e trotuarit (Pironi – themeluesi i shkollës së lashtë skeptike greke – F.S.) në të cilën paraqitet qenia më jodogmatike: prostituta.

E shkëputur nga çdo gjë dhe gjithçka dhe e hapur për të gjithë, ajo pranon disponimin dhe idetë e klientit: ndryshon zërin dhe pamjen sipas situatave; ajo është çdo herë e gatshme të hidhërohet ose gëzohet, por mbetet indiferente; ajo derdh psherëtima të shumta për shkaqe komerciale; duke hedhur një shikim të rremë e të paramenduar mbi ëmbëlsimin e fqiut të sinqertë që gjendet mbi të – ajo i propozon shpirtit një model të sjelljes që korrespondon me atë të urtarëve.

Të jesh i pabindur ndaj njerëzve dhe ndaj vetvetes: ja ky është mësimi i lartë i prostitucionit, akademisë ambulante të kthjelltësisë së lënë në margjinat e shoqërisë, ngjashëm si filozofia.

”Gjithçka që di e mësova në shkollën e prostitutave”, do të bërtasë mendimtari që gjithçka pranon dhe gjithçka kundërshton, kur njerëzit për të janë vetëm klientë, ndërsa trotuaret e botës tregje ku ai e shet pelinin, si shoqet e tij, prostitutat kur shesin trupin.

  1. Restaurimi i një kulti

Meqë e harxhova vetinë time njerëzore, nuk më levërdis më asgjë. Të udhëhequra nga një ideal gjithandej shoh vetëm dele të tufëzuara në kope për t’i blegëruar shpresat e tyre… Madje edhe ata që nuk jetojnë bashkë detyrohen të jenë bashkë si fantomë, sepse ndryshe për çfarë qëllimi është menduar “bashkësia” e të shenjtëve?…

Gjurmëve të një shkretëtire të vërtetë rishikoj shekujt, i takoj dhe ia kam lakmi vetëm Djallit. Mendja e dëbon, zemra e lut… Shpirti i gënjeshtrës, Princi i Errësirës, i Mallkuari, Armiku, – ç’kënaqësi më krijon përmendja e emrave që ia venitën vetminë! Dhe sa shumë e dua qëkur për çdo ditë është i gjykuar për agzod; Ta kisha mundësinë ta rikthej në gjendjen e parë! I besoj Atij me gjithë paaftësinë time për të besuar. Më duhet prezenca e tij: qenia e vetmuar shkon drejt më të vetmuarës, drejt Vetmitarit… Ia kam borxh vetvetes të përmallohem për të: fuqia ime që vin nga frika se do të mbetet e pashfrytëzuar – më shtynë drejt tij. Ja ku jam përballë modelit tim; duke u lidhur për të unë e gjykoj vetminë time që s’është e plotë, krijoj një tjetër që ia kalon: kjo është mënyra ime për të qenë i përbuzur…

E zëvendësojmë Perëndinë ashtu si mundemi; sepse çdo Perëndi është e mirë, nëqoftëse e përjetëson dëshirën tonë për të qenë vetmitarë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button