RMV, çfarë janë marrëveshjet kolektive të shumë-përmendura kohëve të fundit?
Kohëve të fundit, me fillimin e grevave në disa sektorë, filloi edhe më shumë përmendja e marrëveshjeve kolektive. Sindikata të ndryshme në vend, përveç rritjes së pagave, kërkojnë edhe nënshkrime dhe rregullime të këtyre marrëveshjeve. Por çfarë nënkuptojnë Marrëveshjet kolektive, çfarë parashikohet me legjislacionin e BE-së dhe sa janë të rëndësishme ato për zbatimin e direktivave të Unionit, veçanërisht në fushën e politikave sociale, Portalb.mk, ju sjellë një pasqyrë më të qartë.
Çfarë janë Marrëveshjet kolektive?
Marrëveshjet kolektive janë një nga masat kombëtare që konsiderohen si mekanizma të përshtatshëm për zbatimin e direktivave të BE-së në fushën e politikave sociale dhe të punësimit dhe marrëdhënieve industriale.
Ueb-faqja, Mojataplata.mk, shpjegon se negociatat kolektive janë çelësi për vendosjen e pagave dhe kushtet e punës, por pak dihet se çka është rënë dakord saktësisht. Kur sindikatat dhe punëdhënësit apo organizatat e punëdhënësve negociojnë termat dhe kushtet e punësimit, ata marrin përsipër të hyjnë në bisedime kolektive. Dokumenti që hartohet pas këtyre bisedimeve quhet “marrëveshje kolektive pune”.
Marrëveshjet mund të nënshkruhen në nivel kompanie, sektori apo profesioni ose në nivel kombëtar.
E drejta për marrëveshje kolektive është një prej të drejtave themelore të punës, të parashikuara në dy konventa kyçe të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP). Këto konventa janë: “Konventa nr. 87 për lirinë e asocimit dhe mbrojtjen e të drejtës së organizimit”, e vitit 1948 dhe “Konventa nr. 98 për të drejtën për t’u organizuar dhe për marrëveshje kolektive”, e vitit 1949. Organizata ONP e trajton këtë çështje edhe në “Konventën nr. 154 për marrëveshjet kolektive”, të vitit 1981, dhe në Rekomandimin shoqërues nr. 163.
Rekomandohen, por legjislacioni i BE-së nuk ka një përkufizim të saktë ligjor
Përveç tjerash, Marrëveshjet kolektive janë një nga masat kombëtare që konsiderohen si mekanizma të përshtatshëm për zbatimin e direktivave të BE-së në fushën e politikave sociale dhe të punësimit dhe marrëdhënieve industriale. Ky rol i marrëveshjeve kolektive parashikohet nga neni 153(3) i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE), i cili thotë se një shtet anëtar mund t’i besojë menaxhimit dhe punës, me kërkesën e tyre të përbashkët, zbatimin e ligjit të punës direktivat e miratuara. Shumica dërrmuese e studiuesve dhe praktikuesve pajtohen gjithashtu se një direktivë në parim mund të zbatohet me anë të marrëveshjeve kolektive. Kjo formë e zbatimit të normave ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve kolektive është njohur edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Megjithatë, rasti Laval në Suedi theksoi dukshëm ‘përplasjen e kulturave’ që mund të lindë kur negociatat kolektive përdoren për qëllime legjislative, veçanërisht në mungesë të mekanizmave të zgjerimit ose të dispozitave kombëtare të zbatueshme ligjërisht.
Ligji i BE-së nuk ka përkufizim të saktë ligjor të marrëveshjeve kolektive. Sipas Eurofound, marrëveshjet kolektive në nivel kombëtar janë ‘marrëveshje të lidhura midis punëdhënësve të vetëm ose organizatave të tyre, nga njëra anë, dhe organizatave të punëtorëve, si sindikatat, nga ana tjetër. Këto marrëveshje përcaktojnë përmbajtjen e kontratave individuale të punës dhe rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet palëve’.
Roli i statuteve dhe i marrëveshjeve kolektive në qeverisjen e marrëdhënieve të punës, në përgjithësi, dhe koncepti ligjor i marrëveshjeve kolektive, në veçanti, ndryshojnë në mënyrë thelbësore midis shteteve anëtare të BE-së. Linja kryesore ndarëse ka qenë ajo midis grupit kontinental të marrëdhënieve industriale dhe asaj të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar (e cila nuk është më shtet anëtar). Marrëveshjet kolektive të shteteve anëtare kontinentale kanë tendencë të kenë fuqi normative të detyrueshme, ndërsa në Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ato shihen vetëm si ‘këshilltarë ekstra-ligjorë’, ‘zakone’ ose ‘marrëveshje zotërinjsh’ dhe nuk janë ligjërisht të detyrueshme, përveç nëse është përcaktuar ndryshe.
Në ligjin e BE-së, marrëveshjet kolektive kombëtare mund të kenë rol të dyfishtë:
- si mjete të zbatimit të burimeve të tjera ligjore të BE-së, si direktivat
- si mekanizma për të deroguar, në rrethana të caktuara, nga standardet e BE-së të përcaktuara nga direktivat.
Kur bëhet fjalë për rolin e parë, i cili është në qendër të analizës së Eurofound, Ruth Nielsen dallon katër mënyra të zbatimit të direktivave të BE-së në legjislacionin kombëtar:
- legjislacionin e zakonshëm statutor
- kombinim i legjislacionit statutor dhe marrëveshjeve kolektive
- marrëveshje kolektive me efekt të detyrueshëm erga omnes (për të gjitha palët)
- marrëveshjet kolektive me efekt të detyrueshëm që janë të zbatueshme inter partes (vetëm ndërmjet palëve).
Vetëm kategoria e dytë dhe e tretë janë rrugë e përshtatshme për zbatimin e direktivave nëpërmjet marrëveshjeve kolektive. Marrëveshjet kolektive me efekt të detyrueshëm që janë të zbatueshme vetëm ndërmjet palëve ose “marrëveshjet e thjeshta zotërinjsh” – si në Mbretërinë e Bashkuar pa ndonjë efekt normativ të detyrueshëm – duhet të konsiderohen si instrumente jo të përshtatshme për transpozimin e direktivave të BE-së në legjislacionin kombëtar.
Marrëveshjet kolektive në Maqedoninë e Veriut
Marrëdhënia e punës në Maqedoninë e Veriut rregullohet me Ligjin për marrëdhënie pune me ligj tjetër, me marrëveshjen kolektive dhe marrëveshjen për punësim. Institucionet e vendit, kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh kolektive me sindikatat përkatëse, përmes të cilave synojnë rregullimin dhe zbatimin e të drejtave të punëtorëve.
Shumë marrëveshje kolektive në vend janë nënshkruar për herë të parë viteve të fundit, por më aktuale janë ditëve të fundit kur sindikata të ndyshme kanë shpallur grevë dhe kërkojnë nënshkrimin ose ndryshimin e tyre.
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në vitin 2020 me Sindikatën e punëtorëve të administratës nënshkruan Marrëveshjen kolektive të degëve me të cilën rregullohen dhe rriten të drejtat e marrëdhënies së punës së punëtorëve të administratës shtetërore, gjykatave, prokurorive publike, institucioneve ndëshkuese-përmirësuese dhe edukuese-përmirësuese, agjencive, fondeve dhe organeve tjera të themeluara nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Me këtë marrëveshje që po e nënshkruajmë sot, rregullohen të drejta më të mëdha dhe më të favorshme sesa të drejtat e parapara nga ligjet e kësaj fushe”, deklaroi atëherë ish-ministri i Informatikës Damjan Mançevski.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës nga ana tjetër, Marrëveshje kolektive me SAShK-un kanë nënshkruar qysh në vitin 2008.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në shkurt të vitit 2021 për herë të parë nënshkroi marrëveshjen kolektive me të cilën rregullohej statusi, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e punëtorëve që janë të punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomia e Ujërave.
Ndërkohë për herë të parë në 30 vjet do të nënshkruhet marrëveshje kolektive për arsimin e lartë, mungesa e së cilës vitin e kaluar, kur të punësuarit në universitete nuk u përfshinë në rritjen e pagës prej 10% që Ministria e Arsimit aplikoi për stafin në arsimin fillorë dhe të mesëm, shkaktoi revoltë të madhe.