Petrovska-Balfort: Maqedonia e Veriut është gati, nevojitet fillim i shpejtë i negociatave për anëtarësim

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska u takua me Joaneke Balfort, drejtoreshë për siguri dhe politikën mbrojtëse e Shërbimit evropian për veprim të jashtëm, e cila ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në takim, ministrja Petrovska iu referua nevojës për një perspektivë të dukshme dhe të shpejtë evropiane të vendeve të rajonit, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos në këto kohë të sfidave të sigurisë në kontinent. Ajo shtoi se ky proces ndikon edhe në besueshmërinë e Unionit.

“Ballkani Perëndimor duhet të jetë në krye të agjendës së Bashkimit Evropian. BE-ja duhet të jetë e vendosur dhe sa më shpejt të fillojë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut”, tha ministrja Petrovska në takim.

Ajo theksoi se politika e përbashkët e sigurisë dhe mbrojtjes është një mjet tjetër për forcimin e marrëdhënieve me rajonin, ndërsa politika e jashtme e Maqedonisë së Veriut është plotësisht në përputhje me këtë politikë të sigurisë dhe mbrojtjes së Unionit.

Drejtoresha për politikë të sigurisë dhe mbrojtjes në këtë shërbim evropian, Balfort, theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për fillimin e negociatave.

“Shpresojmë se mund që shpejt t’i fillojmë negociatat e anëtarësimit, gjë që do të japë një shtysë jashtëzakonisht pozitive. Maqedonia e Veriut është gati për këtë proces”, tha Balfort.

Ajo falënderoi për harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut me politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të Unionit.

Lidhur me bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe BE-së, Petrovska dhe Balfort konstatuan se të dyja organizatat kanë sfida të përbashkëta që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta. Ata theksuan se NATO dhe BE duhet të punojnë së bashku për shumë çështje, veçanërisht në ndërtimin e rezistencës kundër kërcënimeve.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e ngushtë në ngritjen e kapaciteteve në trajtimin e kërcënimeve hibride dhe veçanërisht dezinformatave, si sfidë me të cilën përballen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarët e Unionit.

Maqedonia e Veriut ka kontribuar në operacionin EUFOR-ALTEA në Bosnje dhe Hercegovinë që nga viti 2006, dhe që nga viti 2020 ka qenë pjesë e misionit të trajnimit të BE-së në Republikën e Afrikës Qendrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button