Biseda me Omer Kaleshin

Ky është titulli i veprës së akademik Luan Starovës brenda faqeve të të cilit gjejmë dialogët e rrallë të autorit me mikun piktor Omer Kaleshin. Ajo u botua fillimisht nga ASHAM, e më pas (2019) edhe nga ITSHKSH.

Në kujtim të dy personaliteteve të shquara që nuk janë më fizikisht në mesin tonë, por që lanë gjurmë të pashlyeshme në artin evropian – Luani si mjeshtër i prozës narrative, kurse Omeri si mjeshtër i pikturës, po sjell në gjuhën shqipe pjesë nga parathënia e veprës në fjalë, të shkruar nga pena e ndritur e shkrimitarit dhe filozofit Ferid Muhiq.

Ta shijojmë bashkë:

Gjithkush mund të flasë, të shkruajë, madje edhe të luftojë për të vërtetën, por i lirë është vetëm ai që mendon lirshëm!

Tundimin që kjo fjali të jetë teksti im i plotë lidhur me librin më të ri të Luan Starovës (për shumëçka edhe të Omer Kaleshit), nuk arrita ta ndrydh edhe pasi fillova të shkruaj. Po e sqaroj menjëherë përse: Nga faqja e parë gjer tek e fundit, ky libër paraqet demonstrim impozant të principeve intelektuale dhe etike në të cilat mbështetet imperativi i mendimit të lirë autonom, autentik dhe konsekuent. Këtu mund të ndalet e vërteta: mendimi i lirë vetvetishëm përfaqëson kualitetin non plus ultra! të ndershmërisë intelektuale nga e cila nuk mund të shkohet më lart.

Ajo që më detyroi të vazhdoj është përmbajtja e këtyre dialogëve, veçmas mënyra e zhvillimit të tyre. siç shprehet Niçe: “Le t’na dallojë mënyra!” Kurse ajo që i dallon këta dialogë prej gjithë librave të tjerë të këtij zhanri, është e dhëna se ai, thjesht: është briliant! Dy bashkëbiseduesit e drejtëpërdrejtë, të cilëve u bashkangjiten qindra pjesëmarrës indirektë në këtë dialog të mahnitshëm dhe inspirues: artistë, mendimtarë, filozofë, poetë… të famshëm dhe krejtësisht anonimë, të gjallë dhe të vdekur – të gjithë protagonistë të mendimit të thellë dhe origjinal, që hasen shumë rrallë madje edhe në letërsitë e kulturave më të zhvilluara!

Edhe pse tema i është kushtuar artit, konkretisht artit figurativ, akoma më saktësisht, opusit krijues të një piktori të vetëm (Omer Kaleshit), ky libër është dhe enciklopedi e veçantë e pikturës dhe teorisë së artit, krestomacisë filozofike, studim antropologjik e kulturologjik i shkallës më të lartë dhe sërish – himn i mendimit të lirë në krijimtarinë artistike të dy bashkëbiseduesve, të cilët kuptohen dhe plotësohen me kreativitet për t’i dhënë formë secilës valë të detit të vërtetë të koncepteve, qëndrimeve, drejtimeve artistike, vizioneve humaniste…

Me gjithë shkëlqimin me të cilin i adresojnë problemet estetike, filozofike, ekzistenciale dhe metafizike, këta dialogë në thelb paraqesin meditime autentike dhe inspiruese, të mbështetura në erudicionin mbresëlënës, përvojën e madhe jetësore dhe integritetin intelektual të Luan Starovës dhe Omer Kaleshit.

Meditimet meditarene të Luan Starovës dhe Omer Kaleshit lidhen me topografinë kulturore dhe historike të Mediteranit, që nga Anadolli e Ballkani gjer në Spanjë, madje edhe bisedat e zhvilluara në amplitudat e mëdha të hapësirës kulturore Shkup, Stamboll e Paris…

Para se t’ia lëmë lexuesit kënaqësinë e leximit të këtij libri, në këtë prolog do të ndalemi në temat e përzgjedhura ndërmjet mijëra temave të diskutuara për meditimet e mediteranit, si mënyrë për afrimin te porta e tij.

Tema e parë:

Në fillim të librit, si një lloj motoje, Luan Starova sjell mendimin e Junus Emres:

“Kjo botë nuk i takon askujt!”

Arsyeshmëria e kësaj përzgjedhjeje vërtetohet në shumë pjesë të librit, me qëndrimet e Omer Kaleshit, të përputhura plotësisht me mendimin e cituar të mësuesit të madh sufist dhe poetit nga Anadolli. I lindur dhe i rritur në Maqedoni, i formuar në Turqi, i profiluar në mënyrë plotësuese në aspektin shpirtëror dhe profesional në Francë dhe Spanjë, artisti i madh, piktori dhe mendimtari Omer Kaleshi u bind se bota (edhe si territor edhe i tëri si planet), vërtet nuk i takon askujt, as mund t’i takojë dikujt!

Njërezit dhe popujt, vijnë dhe ikin, shpërngulen ose zhduken në tërësi, por toka mbetet. Asnjë popull ose individ nuk solli asnjëherë me vete asnjë pëllëmbë toke. Kjo e vërtetë e përcaktoi filozofinë e inspiruar kosmopolite dhe universale të Omer Kaleshit, e cila është kredoja e tij në jetë dhe në pikturë. Jam kujdesur që në këtë pikë të mos futem në analizën e pikturave të tij, sepse ajo është realizuar në mënyrë briliante në dialogët e Luan Starovës dhe Omer Kaleshit, kështu që çdo përpjekje për ta bërë këtë do të ishte një parafrazë e tepërt dhe e zbehtë e ekspertizës së thellë dhe të gjithanshme të udhëhequr prej Luanit të përgatitur me themel dhe Omerit me njohuri enciklopedike, që mbetet i sinqertë edhe gjatë zbërthimit të finesave më intime të filozofisë jetësore dhe poetikës së pikturës së tij!

Se ky qëndrim është rrënjosur thellë në vetëdijen e çdo njeriu dhe në traditën e secilës kulturë, e dëshmojnë qindra shembuj nga të gjitha viset dhe nga të gjitha kohët, si në bashkësitë parake ashtu edhe në sistemet filozofike të mendimtarëve më të mëdhenj. Për ilustrimin e këtij fenomeni, do ta përmendim përputhshmërinë e qëndrimeve të Junus Emres me konceptin e Zhan Zhak Rusoit (të ndarë jo vetëm nga shekujt por edhe nga dallimet, në shikim të parë, të pakalueshme sociale, ideologjike dhe qytetëruese), që është aq e madhe, sa, më shumë i ngjan një citati dhe parafraze të një qëndrimi të vetëm, se sa koincidencës ose njëllojshmërisë së dy qëndrimeve të formuara në mënyrë të pavarur!

Në të vërtetë, pesëqind vjet pas Junus Emres, pa dëgjuar gjë për Junus Emren, Zhan Zhak Rusoi i drejtohet gjithë njerëzimit me paralajmërimin e tij të famshëm:

“Mos thoni se frytet u takojnë të gjithëve, kurse toka nuk i takon askujt!”

Sipas Rusoit, neve na takon dhe e jona mund të jetë vetëm ajo që e kemi bërë vetë. Botën nuk e ka krijuar askush, prandaj askush nuk mund ta posedojë. Përvetësimi i të drejtës që toka mund të posedohet si pronë personale prej një njeriu ose prej një populli, sipas Rusoit, e paraqet burimin e të gjitha padrejtësive shoqërore dhe luftërave ndërmjet popujve. Kjo përputhshmëri bëhet edhe më impresionuese në tekstin e plotë, në të cilin thuhet:

“I pari që rrethoi një copë toke, e shpalli pronë të veten dhe gjeti numër të mjaftueshëm njerëzish naivë që t’i besojnë, ishte themeluesi i shtetit. Prej sa krimesh, luftërash, vrasjesh, prej sa vuajtjesh dhe tmerresh do të kursehej njerëzimi, sikur edhe një njeri i vetëm ta shembte gardhin dhe t’u drejtohej vëllezërve të tij: ‘Mos e dëgjoni këtë mashtrues! Do të zhdukeni nëse harroni se frutat u takojnë të gjithëve, por toka nuk i takon askujt!”

Tema e dytë:

Ndërmjet pesë formulimeve të pesë autorëve të zgjedhur dhe të orientuar shpirtërisht për ta ravijëzuar hartën e Omer Kaleshit, Luan Starova e përmend aforizmin e Zhak Llakarierit:

“Bota ka vetëm një gjuhë për të gjithë njerëzit!”

Në dialogët që vijojnë, bëhet e qartë se ky mendim është shumë i afërt me Omer Kaleshin, sa mund të thuhet se Llakarieri vetëm e ka formuluar atë që e ka bërë Kaleshi gjatë gjithë jetës me pikturat e tij! Edhe përkundër ekzistimit të qindra e mijëra gjuhëve, mendon Omer Kaleshi (fundja, me këtë formulim Zhak Llakarieri e shpreh mendimin e tij për thelbin e pikturës së vet Kaleshit), e dhëna se bota është një libër i lexueshëm dhe i arritshëm për të gjithë njerëzit, dëshmon se Bota ka vetëm një gjuhë, për çka dëshmi më e padiskutueshme është piktura. Se piktura e Omer Kaleshit inspirimet burimore i gjen në këtë bashkësi arketipe të njeriut parak, dëshmon edhe fakti se katër shekuj më herët, filozofi Xhorxh Berkli fjalëpërfjalshëm e formuloi një mendim identik, madje e zhvilloi edhe në koncept të sistemuar filozofik.

I mrekulluar prej faktit se të gjithë njerëzit e shohin njësoj botën, pavarësisht se cilit popull i takojnë dhe në cilën gjuhë flasin, madje dhe pavarësisht dallimeve të tyre kulturore e qytetëruese, Xhorxh Berkli e formuloi hipotëzën e guximshme dhe fare të papritur, sipas së cilës shikimi paraqet gjuhën e përbashkët primordiale të gjithë njerëzimit. Sipas Berklit, të gjitha gjuhët në të cilat flasin popujt më të mëdhenj të botës, në thelb janë vetëm përkthime të afërta dhe të papërkryera në raport me gjuhën e përbashkët burimore, gjuhën e shikimit! Ndikimi i kësaj vepre te bashkëkohanikët qe shumë i madh, kurse receptimi ashpërsisht kundërvënës. Megjithatë, ndikimi i saj vazhdoi gjer në ditët tona, para së gjithash në optikë dhe fizikë, ndërkaq në filozofi jehonën më impresive e gjeti në studimin monumental të Moris Merlo-Pontit Fenomenologjia e perceptimit (Phenomenologie de la perception).

Piktura e Omer Kaleshit jo vetëm që koincidon në tërësi me teorinë filozofike të Xhorxh Berklit për shikimin si gjuhë e përbashkët dhe e vetme për të gjithë njerëzit dhe popujt, por e gjenë dëshminë e vet në formulimin e Zhak Llakarierit, mikut shumëvjeçar të Omer Kaleshit, njërit prej njohësve më të mirë të pikturave të tij dhe autorit ndoshta të monografisë më kompetente dhe më meritore kushtuar zbërthimit dhe shpjegimit të pikturave të Kaleshit.

Tema e dytë dhe tema:

Falë ndjenjës së tij të jashtëzakonshme për ndarjen e të rëndësishmes nga më e rëndësishmja (të rënduar në mënyrë plotësuese për faktin se, në momentin kur i lexoni, secili qëndrim i Omer Kaleshit ju duket më i rëndësishmi!), Luan Starova e ka ndarë kosmopolitizmin metafizik të Kaleshit si tipar qenësor i filozofisë së krijimtarisë së tij dhe si tutull për librin e tij zgjodhi:

“Atdhe e kam jetën!”

Pas dy pikave të para – se toka nuk i takon askujt, përkatësisht, se toka ka vetëm një gjuhë, Luan Starova e identifikoi me luciditet dhe e vendosi në mënyrë precize edhe pikën e tretë, e cila flet për universin shpirtëror të Omer Kaleshit, si për atë filozofik si për atë artistik. I nxitur dhe i inspiruar prej bashkëbiseduesit të tij inteligjent dhe të përgatitur me nivel të lartë, Omer Kaleshi, përgjatë gjithë këtyre bisedave, përjeton përvojën e veçantë të një vetëzbulimi autentik, për ta shpërfaqur më në fund të tërën në një lloj rrëfimi introspektiv, në një katarzë panteiste e metaforike:

“Bota ime gjendet në atelienë time, këtu janë bashkuar lindja dhe perëndimi, veriu dhe jugu, prej këtu e nisin rrugëtimin pikturat-koka, në të katër anët e botës udhëtojnë me fatet e tyre. Unë nuk kam pasur kurrë qëllime konceptuale aprioristike, ato ndoshta kanë dalur në aktin final, kur pikturat janë përfunduar. Pikturat e mia janë vazhdimi dhe zgjerimi i jetës sime, janë atdheu im i vetëm…”

Ndoshta as Omer Kaleshi as Luan Starova nuk do të befasoheshin, sikur në tre librat e shenjtë, me modifikime të vogla, do ta gjenin (nëse nuk  e kanë gjetur tani më), fragmentin në vijim:

“Nga të nisem, në cilën anë të shkoj, o Zot?”

“E Zotit është Lindja, i Zotit është Perëndimi, i Zotit është veriu, i Zotit është Jugu. Në cilëndo anë të nisesh, është ana e Zotit!”

Me urtinë dhe njohuritë e Luan Starovës dhe Omer Kaleshit, kjo vepër e veçantë paraqet porosi dobiprurëse e cila i shemb gardhiqet, pavarësisht kush i ka ngitur, e bashkon në një hapësirë të vetme kulturore jo vetëm trashëgiminë fragmentare të Mediteranit, i relativizon dhe zhduk jo vetëm kufijtë etnikë dhe politikë ndërmjet popujve të Ballkanit, por në mënyrë të bindshme dhe të argumentuar e afirmon njëllojshmërinë e të gjitha qenieve njerëzore dhe i relativizon të gjithë kufijtë ndërmjet të gjithë popujve, duke i promovuar vlerat më të larta estetike, si trashëgimi e përbashkët e gjithë njerëzimit.

E lirë prej çfarëdolloj paragjykimesh etnike, pa asnjë shenjë të ekskluzivitetit religjioz dhe stereotipeve politike, kjo vepër paraqet udhëzues të pazëvendësueshëm për të gjithë adhuruesit e mendimit të lirë dhe lektyrë thelbësore si për dashamirët ashtu edhe për hulumtuesit që e gjakojnë të vërtetën humaniste universale të artit dhe pikturës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button