Eskili në syrin e shqiptarëve

“Jeta dhe librat” është kritikë e jashtëzakonshme eseistike që flet për veprën më të thellë të Eskilit “Prometeu i lidhur”. Është madje më shumë se kaq: një poezi eseistike në prozë, ndër më të bukurat që është shkruar ndonjëherë për veprën e njërit prej korifejve të letërsisë antike greke. Eseja në fjalë vazhdon të jetë po aq e freskët për lexim, si para 100 vitesh kur u shkrua nga pena unikate e Faik Konicës, autorit që përdori një gjuhë të stisur shqipe me mjeshtrinë e rrallë, që, nëse është arritur, sigurisht nuk është tejkaluar akoma, pavarësisht të dhënës se shqipja e sotme është pakrahasimisht me e pasur e më e lëvruar se ajo e kohës së Enciklopedisë së gjallë.

Por, t’i lëmë teoritë e thata e t’u kënaqemi rubaive me bukuri përrallore të Mjeshtrit të madh të gjuhës sonë: “Eskili është poeti më i lartë e më i thellë i letërsisë klasike. S’ka as mjeshtërinë elegante dhe të mbaruar të Euripidit, as lirizmin e lulëzuar të Sofokliut. Eskili ka një madhëri fisnike si të artistëve që punojnë mermerët e Parthenonit. Shumë herë të kujton Shekspirin, jo Shekspirin e Juljetës ose të Rosalindës, po Shekspirin e Hamletit dhe të Leartit”.

Në vazhdim të esesë, me një introduktë noliane, Konica jep me pak fjalë lëndën/subjektin e tragjedisë më të njohur të Eskilit: “Prometheu, një gjysmëperëndi, pati mëshirë për njerëzit dhe u shpuri zjarrin, të cilin gjer ahere e dijnë dhe e gëzojnë vetëm, perënditë; Zeusi, i pari i perëndive, që ta ndëshkiojë për vjedhjen e zjarrit vë ta lidhin Prometheun në një shkëmb të egër e të shkretë të Detit të Zi, ku do mbetet i munduar gjersa të pendohet e të kërkojë ndjesë: po ai, me një kryelartësi të hidhur, nuk do t’i përulet padrejtësisë. Aq. Pak punë për një dramë dhe me gjithë këtë është drama më e gjallë, më e fortë njerëzore, është drama e përjetshme e idealistit që vuan për mendimet e tij”.

Në vijim autori zgjodhi mendimet më të fuqishme të Eskilit, flijimin e të cilit për njerëzinë e krahasoi me vuajtjet e Krishtit:

  • Kur u shërbeva njerëzve, e vura veten me të dhembura.
  • Tiranët kanë një ves të keq, që nuk u zënë besë miqve.
  • Është gjë e lehtë kur e ke këmbën jashtë greminës t’i japësh mësime, të këshillosh ata që vuajnë.
  • Fjalët janë mjekët që shërbejnë zemërimin.
  • Del më i fituar njeriu i mençur që bëhet sikur s’ka mend.
  • Më mirë vdes njeriu njëherë se sa të vuajë çdo ditë.
  • Koha duke përparuar do të japë gjithë mësimet

Përmbyllja e esesë është edhe më brilante, tamam një kapak floriri: “Një librës dyzetfaqesh. Mund ta ngrejë një foshnjë me majen e një gishti se ky librës është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Dhe një monument me aq rëndësi, sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi”.

Pas gjithë kësaj, nëse rastis të kërkojmë përgjigje në pyetjen: përse shkrimet e Faikut janë të gjithkohëshme, të dashura dhe të freskëta si në momentin e shkrimit?, përgjigjen më të plotë do ta gjejmë serish te vetë ai, i cili në faqen e parë të esesë shkroi: “Një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vërtetën e të gjithë kohëve të pastajme”. Këtë mësim Konica e kishte nxënë herët, ndaj dhe është aq i sinqertë në shkrime, duke përmbushur kësisoj njërin prej kushteve parësore për të qenë i gjithkohshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button