Bullgaria: Qëndrimi për RMV-në nuk ka ndryshuar
Ministria e Punëve të Jashtme bullgare në deklaratën e sotme u shpreh se është kategorike se qëndrimi bullgar për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet i pandryshuar. Reagimi, siç thuhet, është pas spekulimeve në disa media, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të ministrisë thuhet se Bullgaria vazhdon t’i përmbahet qëndrimit kornizë për zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë nga 9 tetori 2019, të cilat u mbështetën njëzëri me deklaratën Kombëtare të Kuvendit nga 10 tetor 2019 dhe me seancën e Këshillit Konsultativ për Siguri Kombëtare nga 10 janari i këtij viti.
“Mbështetja për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet një prioritet i politikës së jashtme bullgare dhe ndjek kriteret e meritave të secilit vend kandidat dhe respektimin e vlerave thelbësore të Bashkimit, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimin e fqinjësisë së mirë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu theksohet se ministrja e Jashtme Teodora Gençovska e rikonfirmoi qëndrimin e Bullgarisë në bisedën e saj me shefin gjerman në kuadër të Këshillit për Punë të Jashtme të mbajtur dje në Luksemburg.
“Sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, është thelbësore që Bullgaria të arrijë rezultate të pakthyeshme në ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe marrjen e garancive të qarta në procesin e negociatave të BE-së për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017. Ne presim garanci kushtetuese për respektimin e të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një deklaratë të sotme nga Ministria e Jashtme bullgare.
Në fund, theksohet se për palën bullgare janë kryesore janë rezultatet dhe jo përkushtimi në afate specifike.
Ministrja gjermane Analena Berbock tha dje se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të nisin negociatat për anëtarësim në BE në gjysmën e parë të vitit 2022, duke theksuar se ka pasur bisedime dypalëshe me ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska, gjatë të cilave të dyja ranë dakord se në situatën aktuale është vendimtare që të nisin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Euractiv: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile për BE në qershor
- LEXO: Po rritet presioni për nisjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin
- LEXO: Maqedonia dhe Bullgaria po zhvillojnë biseda intensive, presim rezultate konkrete, pohon ambasadori bullgar në Tiranë
- LEXO: Von der Leyen Petkovit: Bullgaria të ndihmojë në zbatimin e vendimit të KE-së nga viti 2020 për fillimin e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë
- LEXO: Shqipëria do të mundohet të ndahet nga Maqedonia e Veriut, paralajmëroi Edi Rama për procesin eurointegrues
- LEXO: Spasovski: Struktura të ngjashme që ishin kundër NATO-s dhe marrëveshjes me Greqinë, punojnë kundër marrëveshjes me Bullgarinë
- LEXO: Petkov: Agjentë rus punuan kundër marrëdhënieve Sofje-Shkup