Qeveria e RMV-së: Me gjithsej 615 milionë euro kemi amortizuar rritjet e çmimeve

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka ndarë gati 615 milionë euro për amortizimin e goditjes së çmimeve të shkaktuara nga pandemia dhe konflikti luftarak në Ukrainë. Vitin e kaluar, siç thuhet, janë marrë masa për amortizimin e rritjes së çmimeve dhe këtë vit janë miratuar një grup shtesë prej 26 masash për të mbështetur standardin e qytetarëve dhe kompanive, por edhe për mbështetjen financiare të kompanive përmes Bankës Zhvillimore, transmeton Potalb.mk.

“Falë këtyre masave ne kemi çmimin më të ulët të naftës dhe derivateve të naftës në rajon. Efektet e vendimeve të qeverisë dhanë rezultate. Përmes ngrirjes së çmimeve të produkteve ushqimore, kurse më pas edhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar nga pesë për qind në zero për qind, arritëm të parandalojmë një rritje të madhe të çmimeve. Në mënyrë shtesë, produktet ushqimore bazë janë të kufizuara në marzhin e shitjes me pakicë dhe shumicë për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Pa këto masa, faturat e ushqimit do të ishin m të larta për 1500 denarë në muaj. Gjithashtu, për kategoritë e cenueshme të qytetarëve kemi ofruar mbështetje financiare prej 1.000 denarë në muaj për t’i mbuluar llogaritë e tyre dhe e kemi ngritur pagën minimale në 18.000 denarë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria thotë se në periudhën e kaluar, të gjitha resurset e saj i fokusoi në përballimin e krizës.

“Me masat për ruajtjen e likuiditetit të kompanive dhe likuiditetit të sektorit të energjisë, ne si shtet kemi vendosur që të subvencionojmë 80 për qind të faturave të energjisë elektrike. Pa këto masa, çmimi i rrymës, gjegjësisht faturat e energjisë elektrike të qytetarëve do të ishin për 2.150 denarë më të larta. Po të mos ishin kufizimet e marzheve dhe ulja e TVSH-së, ndërsa derivatet e naftës do të paguheshin vetëm në bazë të TVSH-së, pa ulje të akcizës, 300 denarë më shumë”, thuhet në njoftim.

Më tej, nga Qeveria shtojnë se është rritur edhe paga mesatare, kurse në shumicën e sektorëve në vend në vitet e fundit pagat janë rritur mbi 20 për qind gjatë tre viteve të fundit. Qeveria, nënvizohet tutje, është një hap larg realizimit të premtimit për minimum 30.000 denarë pagë mesatare, të dhënat e fundit tregojnë se paga mesatare është 29.980 denarë.

“Investimi në standardin e qytetarëve është prioritet i lartë, veçanërisht në kushtet e një krize të madhe ekonomike dhe Qeveria do të vazhdojë të mbështesë financiarisht qytetarët dhe kompanitë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button